Keqinterpretimi i Ramës për mesazhin e SHBA-ve
Gjërat qëndrojnë pak a shumë kështu. “Një njeri mund të realizojë qëllimin e jetës së tij, duke gjetur pyetjen të cilës nuk i përgjigjet dot dhe duke tentuar një sipërmarrje që s’mund ta realizojë”. Kështu mendonte shkrimtari i njohur Oliver Uendell Holmes në shekullin e XIX-të. Një këshillë e tillë duket se i është sugjeruar – dhe e ka pranuar - sidomos kryetari i Partisë Socialiste, Edvin Rama, i cili për të realizuar qëllimin e unit personal s’po di t’i përgjigjet pyetjes “pse nuk u hap kutia?”. Apo pyetjes përmbledhëse: Pse tentoi një sipërmarrje që s’mund të realizohej, kur të gjitha kishin mendimin se ishte anti-ligjore dhe anti-kushtetuese?
Natyrisht askush nuk është në gjendje t’u japë përgjigje logjike pyetjeve me bazë reale se përse alibia e kutisë monopolizoi për dy vjet aksionin e opozitës. Afërmendsh, të gjithë vrasin mendjen se pse sipërmarrja madhore “hap kutitë ose largohu” përfundoi në një vrimë uji në lumin e Lanës. Shpenzimi i energjive të tepërta për një sipërmarrje pushteti (me ose pa dhunë), pa plan koordinimi dhe veprimi, është falimentimi më i parashikueshëm i bursës politike.
Sakaq reagimi politik i PS-së për vitin 2011 është dukshëm i një intensiteti të dobët. Ngjan më shumë me heshtjen përpara stuhisë së zgjedhjeve lokale sesa me një strategji të pamenduar opozitare. Në fakt strategjia për këtë vit të rëndësishëm politik për opozitën ende s’ka filluar seriozisht. Ndonëse ka pasur vetëm ca cimbisje në komunikata për shtyp, që gjejnë vendin e merituar në ca radhë kronike, sepse tjetër gjë s’përfaqësojnë.
Deputeti socialist Blendi Klosi doli dje në konferencë për të lexuar hartimin që më parë e patën lexuar Saimir Tahiri dhe Taulant Balla. Asgjë më shumë. Të tre deputetët socialistë iu kundërvunë shtinjakisht dhe me urdhër SHBA-ve, që thanë përmes intervistës së Zv/Ndihmës Sekretarit të Shtetit Amerikan, Tomas Kantrimen se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë punën në bazë të rregullave të tij. Ka ndjekur procesin e nevojshëm për të arritur në këtë vendim. Është e rëndësishme për të gjitha partitë dhe anëtarët e komisionit të marrin pjesë në këtë proces”.
Kaq mjafton për të parë këndvështrimin e superfuqisë së botës. Mirëpo këtij mesazhi të qartë dhe të fuqishëm, PS-ja e Edvinit iu përgjigj me paradoksin e përshëndetjes formale dhe deklaratave të protestave substanciale. Domethënë protesta derisa të realizojnë marrjen e pushtetit. Një papjekuri politike që vë në dukje marrëdhëniet jo të mira të së majtës me administratën e Obamës.
Gjithsesi është për t’u theksuar këtu në mënyrë të qartë se reagimi i djegies së fletëve të votimit praktikisht nuk është asgjë. Fletët u dogjën dhe mirë u bë që u veprua sipas Kodit Zgjedhor. Është momenti për t’u bërë sepse rrezikohet procedura e zgjedhjeve të ardhme të 8 majit. Bile kishte shumë kohë për t`u realizuar një kompromis politik. Të dy palët kishin forcat të barabarta. Mazhoranca ishte ligjërisht në rregull me ligjin dhe kushtetutën. Kurse PS-ja dhe opozita kishte kundër ligjin dhe pro-moralin. Por morali nuk është sipër ligjit sepse ligji nuk është moral.