E Diel, 1 Nëntor 2026

Fakti/Lëvizja pa viza frenon trafikun e emigrantëve të paligjshëm drejt Greqisë

10-01-2011 / VOA

Lëvizja pa viza e qytetarëve shqiptarë ka frenuar trafikun e emigrantëve të paligjshëm drejt Greqisë. Pas gati 20 vitesh të dhënat e policisë flasin për të dhëna të papërfillshme të riatdhesimit  të emigranëtve. Por policia vazhdon ndërkaq të përballet me forma të krimit si transportimin e lëndëve narkotike dhe trafikun e mjeteve motorike. Pas gati 20 vitesh tranzicion Shqipëria ka nisur të marrë frymë e lehtësuar nga trafiku i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë. Të dhënat policore flasin për shifra të papërfillshme të riatdhesimit të emigrantëve  që bllokohen në Greqi ndërsa në brezin e kufrit tokësor mes të dy vendeve  mungon tërësisht kalimi i paligjshëm i kufirit.
Lëvizja e qytetarëve shqiptarë pa viza ka sjellë frenimin e kësaj dukurie që ishte nga më problematiket, thotë për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai. Frenimi i trafikut të emigrantëve “ka lënë pa punë” edhe gati një industri të tërë kriminale që merrej me gjetjen e kontigjenteve të emigrantëve klandestinë në zona të ndryshme të Shqipërisë, përgatitjen e dokumenteve të falsifikuara për depërtimin e tyre në Greqi, transportimin dhe lëvizjen e tyre.
Në Gjirokastër dhe në zonat kufitare  mjedise ku lulëzonin forma të tilla të trafiqeve edhe nën hundën e policisë tani janë të braktisura. Zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës  Mullai thotë se tani policia po angazhohet më fort në  format e tjera të krimit në kufi, siç janë ato që lidhen me transportimin e lëndëve narkotike dhe trafiku i mjeteve motorike. Këto mjete  grabiten në Greqi dhe futen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri nga kufiri tokësor. Policia e Gjirokastrës tha se ka goditur së fundi njërin prej  grupeve që transportonte lëndë  narkotike drejt Greqisë. Nga hetimet grupi e ushtronte aktivitetin  në rrethet Gjirokastër, Sarandë dhe Delvinë. Policia tha se ka arrestuar dy persona dhe është duke hetuar mbi disa të tjerë. Makina me lëndë narkotike e këtij grupi ishte bllokuar në shtator të viti të shkuar me rreth 150 kilogramë  hashash dhe pas hetimeve disa mujore është zbardhur së fundi ngjarja kriminale.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›