E Shtunë, 31 Tetor 2026

Refleksione për një regjim të përdhosur

11-01-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Me rastin e gjëmës së 9 janarit të 2004-s

Viti 2004 e nxori sërish 8-vjeçarin e qeverisjes socialiste si pjesën e brendshme të sëmundjes së fshehtë të njeriut para rrezeve Rëngten. Më 9 janar të atij viti kemi para syve, - si kurdoherë para 7 vitesh dhe si vazhdimisht pas një viti – prapësitë e njëpasnjëshme të një regjimi të përdhosur. Një popull i tërë e di çka vuajtur. Por në këtë mjerim 8-vjeçar janë disa data qe do të mbahen mend në historinë fatkeqe pas rrëzimit të diktaturës: nga 1997-a e marrjes me dhunë të pushtetit demokratik, - triumfator pas zgjedhjeve të 22 marsit të vitit 1992, - gjer në zgjedhjet e 2005-s, kur pushteti që e kishte mbushur kupën, s’mund të qëndronte dot në këmbë. Data 9.01.2004, është njëra ndër më të hidhurat dhe, madje, nga më emblematiket për meskinitetin dhe talljen e neveritshme të fjalës së praruar liri. Në emër të kësaj fjale kanë rrjedhur lumenj gjaku të pastër shqiptar nga regjimi i mungesës tërësore të lirisë prej E. Hoxhës dhe prej pasardhësve të tij në mendësí. Dhjetoristët kanë qenë largpamës kur, me në krye Berishën dhe Azemin, me dy gishtat lart, bënin të jehonin fusha e male me thirrjen liri-demokrací!
Humbja e viktimave të Otrantos është një ngjarje që ka përgjegjës konkretë për qëndrimin mizor të përcjellësve të mendësisë enveriste, kur u dënuan me mbytje në det viktimat e 9 dhjetorit. Në një kohë kur ishin në përdorim celularët, kur ishte dhënë alarmi se burra, gra e fëmijë po bëheshin pré e detit të trazuar dhe kur kumbonte refreni i kobshëm “Ndihmë! Ndihmë!”. Uturima e valëve të detit bashkohej me valët eterike të komunikimit. Por shteti i kohës ishte në rol të sehirxhiut djallëzor dhe të shurdhërisë kriminale. Ndaj këtij  zëri dëshpërues të vëllezërve tanë që kishin rrezikuar jetën bash për atë mungesë lirie në atdheun e tyre, forcat pushtetare kishin “urdhër nga lart” që të ndëshkonin ata që guxuan të bënin të  njohur se u mungonte liria në atdheun e tyre. Atë që kishte bërë R. Alia për bunkerizimin e kufirit detar e tokësor, e bënë pasuesit ideologjikë të Enverit dhe të Ramizit, me një urrejtje të lemerishme. Ata i tërhiqnin zvarrë me traktorë thyerësit e kufirit. Këta  i dënuan me mbytje thyerësit e kufirit detar, pa dallim moshe dhe seksi: burra, gra, e fëmijë! Në një kohë kur gomonet e vdekjes i kishin përdoruesit më të babëzitur të administruesve të këtyre instrumenteve makabre, në kupolën e piramidës shtetërore, në vend që të bënin moratoriumin e këtyre gomoneve vdekjeprurëse, vunë ulërimat çjerrëse kur këtë bllokim e bëri qeveria demokratike që erdhi në fuqi pas zgjedhjeve të 2005-s. Dhe këto protesta hipokrite bëheshin në arsyetimin hipokrit të “mungesës së lirisë së qarkullimit... turistik!”. “Liri” për të çuar në vdekje pikërisht ata që e dinin mirë ç’ishte liria e vërtetë!
Hakmarrja e pushtetit në fuqi të 9 janarit 2004 ishte e pashpirt. Duheshin ndëshkuar pa mëshirë ata që nuk e hanin dot propagandën mashtruese të regjimit të sukseseve të rrejshme, që kishte rënë në vorbullën e dështimeve zinxhir. U duhej dhënë një mësim atyre që u mungonte liria më elementare, e atyre që nuk e duronin dot gjendjen e daljes,  për herë të parë pas diktaturës (si në kohën e mjerimit enverist), të listave të borxheve në dyqanet e bukës (me propagandën e trashëguar të “bollëkut”). Duheshin ndëshkuar ata që ishin varfëruar nga polarizimi, në krye të të cilit qëndronin protagonistët e korrupsionit, të pasuruarit përmes drogës e trafikut të qenieve njerëzore, abuzimit me diskriminimin e licencave fitimprurëse të ndërtimit e aferave të tjera të pista, të pranuara nga kryetari i sotëm i populizmit, që tani kërkon të ripërtërijë dhunshëm atë farë regjimi, që e kishte demaskuar vetë, për të qenë “kryetar”! Ndërsa këta viktima të shkreta, që bënin pjesë në popullin e pamasë, e kërkonin lirinë dhe mirëqenien gjetiu...
Edi Rama bën sot sikur e ka harruar që kishte thënë “E kishim me hak humbjen e pushtetit!”. Pastaj u rrokullis në vazhdën e atij pushteti duke mos pasur ç’etalon të na ofrojë si shëmbëlltyrë frymëzuese. Sepse është bashkëpunëtor i atyre të korruptuarve dhe fushatat e tij janë të zhveshura nga çdo alternativë pa program për pushtetin e ri që kërkon ta marrë në tryezë (këtë akuzë ia kishte vënë në dukje edhe LMN-ja), me anë të  veprimeve antidemokratike. Dhe kërkon të përfitojë nga fatkeqësitë e pazakonta natyrore, në të cilat vende shumë më të begata se ai yni, kanë pasur jo vetëm përmbytje në një sipërfaqe sa Franca dhe Gjermania së bashku (Australia, për shembull), por edhe viktima të panumërta në njerëz. Por Shoqata për të vërtetën në lidhje me viktimat e 9 janarit 2004 ka dokumentuar dhe ka vënë gishtin në plagë se të mbyturit në kanalin e Otrantos janë viktima që mund të shmangeshin fare lehtësisht nga motovedetat, ekuipazhi i të cilave kishte urdhër që të bënte sehir se si mbyteshin vëllezërit e tyre! Mbytje kriminale, që s’ka të bëjë fare me fatkeqësitë natyrore, që propagandohen sot me lot krokodili, kur s’ka asnjë viktimë, falë ndërhyrjes së menjëhershme qeveritare, duke vënë në shërbim të gjitha resurset ushtarake dhe të rendit, në përmasa të papara ndonjëherë.
Këtu mund të bëhet një krahasim i vetvetishëm: pushteti që vret dhe pushteti që i shpëton njerëzit nga rreziku!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›