Keqmenaxhmi i pandemisë, presidenti i Brazilit sfidon hetimin e Senatit: “Nuk mund të më bëjnë asgjë!”

Presidenti i ekstremit të djathtë i Brazilit, Jair Bolsonaro, u tha mbështetësve të tij në qytetin Ponta Pora se komisioni i Senatit, që është duke hetuar sjelljen e tij gjatë pandemisë së koronavirusit “nuk mund t’i bëjë asgjë”, duke i quajtur disa nga anëtarët e tij “kriminelë”.
“Nuk mund të më bëjnë asgjë. Ata nuk do të më nxjerrin nga zyra me gënjeshtra ose me një komitet hetimor të Senatit (CPI), i cili përbëhet nga shtatë kriminelë. Ne kemi një mision përpara nesh: të drejtojmë fatin e kombit tonë dhe të sigurojmë mirëqenien dhe përparimin e popullit tonë”, tha tha Bolsonaro. Në deklaratën e tij duke lavdëruar ushtrinë, ai tha se, “Unë ndiej vetëm paqe dhe qetësi sepse e di që, përveç popullit, unë kam Forcat e Armatosura të përkushtuara për demokracinë dhe lirinë tonë”. Deklaratat e presidentit brazilian erdhën në të njëjtën ditë kur deputetët e opozitës paraqitën një kërkesë për fajësim kundër tij në dhomën e ulët të Kongresit. Më shumë se 120 kërkesa të ngjashme janë paraqitur tashmë. Nisma e fundit, me nënshkrimet e ish-aleatëve të Bolsonaro-s, ndryse njihet si një “super kërkesë” pasi rendit 21 akte nga Bolsonaro të cilat konsiderohen si krime të përgjegjësisë. Përveç përfaqësuesve nga e majta, qendra dhe e djathta, dokumenti është nënshkruar edhe nga subjekte të shoqërisë civile. Presioni për largimin e Bolsonaro-s nga detyra është rritur ditët e fundit, që nga zbulimi i akuzave për korrupsion në blerjen e vaksinave, ndërsa përparimi i punës së komitetit në Senat e ka bërë Bolsonaro-n më të prekshëm.