Rafting, tani edhe në Botëror

Rafting jo vetëm për turizëm, apo për të promovuar kanionet e lumejve në vend si në Osum, Vjosë, apo dhe gjetiu tjetër, por dhe për garë. Kështu ka ndodhur me Shqipërinë, e cila që nga 28 qershori është pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Raftingut, që është duke u zhvilluar në Arzhentier la Bese të Francës.
Janë mbi 30 ekipe që marrin pjesë, kurse Shqipëria merr pjesë me Ali Spatharën, i cili është kapiteni i kombëtares, Behar Zeqon, Geri Spatharën dhe Franci Koronin. Trajnerë Andrea Gati, kurse ndihmësa të tij Daniele Krosi dhe Fabio Krosi. Konkurrohet në tre kategori në Botërorin e Raftingut, që janë RX, ose dueli kokë më kokë me kundërshtarin, slallom apo ndryshe rrëshqitje dhe daun river.
Tanimë në duelin kokë më kokë, apo RX, Shqipëria ka mbërritur në gjashtëmbëdhjetëshe, atje ku më tej do të mund të ketë kundërshtar Kilin ose Rusinë. Nëse kombëtaret e tjera kanë mbi 40 vjet që ushtrojnë dhe garojnë në rafting, Shqipëria është e re dhe në këtë aktivitet, sipas drejtuesve të kësaj përfaqësueseje, kanë shkuar me shpenzimet e tyre. Kampionati Botëror i Rafting, atje ku Shqipëria është duke kërkuar një rezultat të mirë, përfundon më 3 korrik.
Një sport i ri, apo dhe një aktivitet atraktiv që sjell një adrenalinë ndryshe jo vetëm për ato që e ushtrojnë, por dhe për amatorët e raftingut. Që do të thotë se jemi në hartën e veprimtarive ndërkombëtare edhe në rafting…