Keqpërdorimi i shëndetit të Presidentit
KRISTI PINDERI
Ka një tentativë, herë naive, herë malinje, për të krijuar një debat në lidhje me aftësitë fizike të Presidentit të Republikës. Por, këto tentativa kanë qenë, në shumicën e herëve, të ndërmarra Presidenti i Republikës qartazi ka një problem shëndetësor që e bën atë ndryshe, në kuptimin që e bën të parin President që ecën me vështirësi, që në fakt, mezi ecën, apo që të paktën njërën dorë e përdor më pak e këmbët nuk i kalon njëra mbi tjetrën kur ndodhet i ulur në karrige, siç bëjnë njerëzit zakonisht kur duan të relaksohen apo dhe të marrin siguri.
Por, sulmet mediatike, të motivuara politikisht, që e keqpërdorin këtë veçori fizike të z. Nishanit, janë të turpshme dhe tregojnë se jemi ose një shoqëri e ligë, që slëmë pa thënë asgjë për kundërshtarin tonë, duke keqpërdorur me paramendim çdo gjë, ose jemi vërtet një shoqëri e mbrapshtë, injorante, raciste, e paaftë për të kuptuar nevojën për të respektuar këdo për atë që është apo duhet të jetë, jo për faktin që fizikisht mund të jetë ndryshe.
Është shumë i gjatë ky debat. Fillon që nga stereotipat që ne kemi të ngulitura keqas në gjuhësi dhe fjalor për njerëzit që janë o të shkurtër, o të gjatë, o brunë, o biondë, o …. ndryshe apo të veçantë.
Por, nga ana tjetër, duket shumë dëshpërues fakti që vetë viktimat e paragjykimeve janë gjithashtu paragjykues të vetes së tyre! Jam shumë mirë me shëndet, por nuk mund të vrapoj dot, ndonëse bëj çdo ditë not, ka thënë Nishani si përgjigje për problemin e vet shëndetësor, duke mos thënë, në fakt asgjë, por duke tentuar të fshehë gjithçka. Sikur ne të jemi duke pritur një maratonomak apo ndonjë kampion olimpik atje te zyra e bulevardit…
Z. Gilman Bakalli shkruante pak ditë më parë në një shkrim interesant se zakonisht sëmundja i bën njerëzit, sidomos njerëzit e mëdhenj, më të kthjellët mendërisht dhe më të matur në çdo veprim të tyrin. Kjo është më se e vërtetë. Njerëzit e mëdhenj që z. Bakalli citonte si shembuj kanë thënë apo kanë vërtetuar me veprime konkrete edhe diçka tjetër: janë më të fortë ata që thonë të vërtetën dhe dinë të jetojnë pa komplekse me të.
Si përfundim, nuancat malinje që disa media pranë opozitës kanë dashur ti japin këto ditë sëmundjes së Presidentit, janë tregues jo i sinqeritetit për drejtësinë e kauzës që opozita duhet të mbrojë (përfshirë edhe faktin që me apo pa kontributin e vet institucioni i Presidentit po humbet gjithnjë e më shumë dinjitetin), por janë tregues i qelbësirllëkut që na ka pushtuar ne si shoqëri, që nuk stimulojmë dinjitet dhe respekt për këdo që është ndryshe nga shumica, por mbjellim fyerje, injorancë dhe dashakeqësi.
Dhe së dyti, siç ndodh në çdo vend demokratik ku liderët bëjnë një skaner shëndetësor për të gjithë kombin, në mënyrë që i gjithë kombi të bindet se drejtuesit janë të aftë të kryejnë detyrën, ashtu duhet të bëjë dhe z. Bujar Nishani. Të tregojë publikisht pamundësinë e tij për të vrapuar, të mos pranojë skenografi televizive të ofruara nga ABC apo TVSH, sepse vetëm ashtu, pra duke na treguar gjithçka, mund të bëjë hapin e parë drejt rivendosjes së dinjitetit të vetes së vet, së pari, e të institucionit që do të duhet të drejtojë, së dyti!
Ministri i Financave në Gjermani lëviz me karrocë, kolegu i tij në dikasterin e Punëve të Jashtme është një gej i deklaruar dhe pret zyrtarisht delegacione bashkë me partnerin e vet. Ama kjo nuk i pengon ata të jenë ata që janë, e as Gjermaninë të jetë ajo që është.