Pse kërkova pavarësi të kushtëzuar për Kosovën
Para pak javësh, Grupi Ndërkombëtar Drejtues (GND) pati në Vjenë një nga takimet e tij më të rëndësishme, në mos më të rëndësishmin, lidhur me fatin e Kosovës. Në këtë Grup bëjnë pjesë të gjitha vendet anëtare të BE-së që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, SHBA dhe Turqia. GND vendosi që, në shtatorin e sivjetshëm ti jepet fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së shtetit më të ri në Europë, Republikës së Kosovës. Në mbyllje të këtij takimi, Kryeministri Hashim Thaçi dukej më i gëzuari, më krenari, dhe me plot të drejtë. Por, do të doja të vlerësoja posaçërisht në këtë rast një vetëdije të dobishme realizmi që vura re në fjalët e tij tek shprehej për të ardhmen e Kosovës me pavarësi të pakushtëzuar tashmë. Ai tha se ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Për më tepër, unë dua të ritheksoj zotimin tonë për ta rritur përfshirjen tonë në raport me të gjitha komunitetet në Kosovë, e në mënyrë të veçantë me serbët që jetojnë në Veri të vendit, të cilët meritojnë ti gëzojnë të gjitha të drejtat që janë të përcaktuara me Planin e Ahtisarit dhe me ligjet e me Kushtetutën e Kosovës. Ishte pikërisht ajo që pritej: një qasje realiste nga ana e Kryeministrit të Kosovës ndaj së ardhmes së afërt të vendit që ai është mandatuar të qeverisë. Një qasje e tillë realiste u jep sigurinë e nevojshme vendeve deri dje anëtare të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, siç edhe mbarë vendeve të tjera për ta rritur e zgjeruar bashkëpunimin me Kosovën në të ardhmen, tashmë në një nivel cilësisht të ri e që është mirëfilli partneriteti. Kosova do të ketë nevojë edhe më shumë se më parë për këtë bashkëpunim.
2.
Kur dhashë dorëheqjen nga funksionet e ministrit të Jashtëm në fund të prillit 2007, ndër shumë telefonata të zakonshme për një rast të tillë, që mora nga kolegë, ishte edhe ajo e ministrit të Jashtëm të njërit nga vendet europiane të përfshira më fort e më haptas në mbështetje të idesë se, zgjidhja në të cilën do të duhej të arrinte presidenti Ahtisari me grupin e tij negociator, ishte pavarësia e Kosovës. Për të qenë i saktë: pavarësia e kushtëzuar. Ky mik i shqiptarëve, posaçërisht i Kosovës, i shtyrë edhe nga afrimitetet miqësore që ushqenim unë dhe ai personalisht për njëri-tjetrin, shkoi në atë bisedë telefonike përtej shprehjes standarde të falënderimeve për bashkëpunimin e mirë që kishim pasur. Ai më pyeti se çfarë kisha pasur parasysh me shpjegimin tim lakonik: U lodha. Kur pa se unë po i shmangesha përgjigjes, më ndërpreu:
- Për ti rënë drejt: a ka lidhje dorëheqja jote me ndonjë presion të Kryeministrit Thaçi mbi Berishën për shkak të tezës tënde mbi pavarësinë e kushtëzuar?
Pyetja më zuri në befasi.
- Jo, jo, – u nxitova ti përgjigjem për të mos i lënë përshtypjen se kisha mëdyshje. Nuk ka asnjë lidhje. Asnjë lidhje.
Miku nuk nguli këmbë. Vetëm më la të kuptoj se nuk e kisha bindur.
- Uroj të jetë kështu! – më tha.
Pak muaj më vonë, gjatë verës, rasti e solli të mblidhesha në një darkë private me këtë mik në qytetin e tij. Ai vazhdonte të ishte ministër i Jashtëm i vendit të vet dhe vazhdonte po ashtu ta mbështeste shumë e më shumë në emër të vendit të vet perspektivën për pavarësimin e Kosovës. Ai e solli përsëri bisedën te arsyet misterioze të dorëheqjes sime dhe u ndal pa e shkelur mirësjelljen te një presion i mundshëm i Hashim Thaçit mbi Berishën. Unë nuk kisha fare dëshirë të mësoja nga i buronte atij një hamendje e tillë, siç nuk kisha dashur asnjëherë ta mësoja nga i buronte Hashim Thaçit njëfarë vreri që derdhte kundër meje në mjedise të caktuara shqiptarësh apo të huajsh e që mbërrinte dashje pa dashje pa vonesë në veshin tim.
Nuk ishte e vështirë për mua ta përfytyroja sakaq, se një hamendje e tillë shkonte përtej rastit të mikut që po i lejonte vetes të ma shprehte. Përvoja ma mundësonte ta merrja me mend se ky dyshim krejt i paparashikuar nga ana ime kur mora vendimin për tu tërhequr, ishte përfolur midis ish-kolegëve të mi. Sidomos midis atyre më të përfshirë në çështjen e Kosovës. Gjithsesi, unë isha i bindur dhe vazhdoj të jem i bindur edhe sot e kësaj dite se Thaçi nuk do të kishte guxuar kurrë ti fliste Berishës kundër meje. Mos qofsha i gabuar! Marrëdhëniet e mia me Berishën ishin të tilla asokohe, sa unë besoj sinqerisht që Berisha nuk do ta kishte lejuar një presion të tillë. Dhe po të kishte ngulur këmbë Thaçi, – ma thotë mendja mua Berisha nuk do të ishte ndikuar dhe madje do të më kishte vënë në dijeni. Për hir të së vërtetës, Berisha nuk më ka kërkuar kurrë as drejtpërdrejtë e as tërthorazi të largohem nga ekipi i tij. Dhe, përsa i përket tezës sime për pavarësinë e kushtëzuar, e cila u shndërrua menjëherë në platformë për diplomacinë tonë në qasjen ndaj zhvillimeve për të ardhmen e Kosovës, Berisha më ka kërkuar vetëm një herë ta përmend sa më rrallë publikisht. Jo ta fshij nga veprimi ynë diplomatik. Dhe unë e kam mirëkuptuar. Një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik shqiptar, qoftë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi apo qoftë edhe në diasporë, ishte ende tepër emocional dhe nuk kishte veshë për të dëgjuar asnjë lloj shpjegimi racional. Këtë pjesë të opinionit publik do të përpiqej ta qetësonte Berisha me deklaratat e tij për pavarësi të plotë të Kosovës, ndërsa unë vazhdoja punën time diplomatike duke shmangur me vetëdije të gjitha polemikat me sharjet dhe akuzat që më vinin breshëri nga të gjitha anët: nga Beogradi, nga Thaçi me të vetët në Prishtinë, nga Pandeli Majko me të vetët në Tiranë, nga Ismail Kadare, nga opinionistët e zellshëm që i njohim të gjithë, nga atdhetarët gjuhëbrisk të blogjeve. Ishte zbuluar tradhtari i madh i kombit që po shiste Kosovën.
3.
Ditën e tretë të marrjes zyrtarisht të detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme mu desh të nisem për në Nju Jork për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Festohej njëherësh edhe 60-vjetori i themelimit të Organizatës dhe delegacioni ynë i madh kryesohej nga Presidenti Moisiu. Në përbërje të tij ishte edhe Kryeministri Berisha, i cili, kuptueshëm, donte të përfitonte nga ky rast për të fituar kohë në vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me sa më shumë kryetarë qeverish dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndërkombëtarë. Por ai nuk do të fliste para Asamblesë së Përgjithshme. Fjalimin shqiptar në sesionin jubilar do ta mbante Presidenti i Republikës, ndërsa atë në sesionin e zakonshëm do ta mbaja unë, që do të thotë se unë do të paraqisja drejtimet nëpër të cilat do të ecte qeveria e re për sa i përket politikës së jashtme të Shqipërisë gjatë katër viteve të ardhshme. Bashkë me objektivin tonë për integrim në NATO e në BE, çështja e Kosovës do të zinte natyrshëm vend në qendër të vëmendjes.
Në atë javë të dytë të shtatorit 2005, në Nju Jork ishin mbledhur të gjithë aktorët ndërkombëtarë që do të vendosnin për rrjedhën e zhvillimeve të afërme në Kosovë, përfshirë këtu edhe ambasadorin Kai Eide, i cili sapo kishte përfunduar misionin faktmbledhës në Kosovë, por nuk kishte bërë ende të ditur asgjë rreth përfundimeve ku kishte arritur. Raportin e vet ai e kishte për ta nxjerrë në fillim të nëntorit. Unë kisha sjellë më vete nga Tirana një fjalim të përgatitur nga stafi diplomatik e të përkthyer, ku, ashtu si edhe në fjalimin e Presidentit Moisiu, shprehej mendimi i Shqipërisë se për Kosovën nuk mund të kishte zgjidhje tjetër veç pavarësisë. Ky mendim ishte shprehur me zë të lartë dhe në vazhdimësi nga kancelaritë politike dhe diplomatike shqiptare qysh pas ndërhyrjes shpëtimtare të NATO-s në ish-Jugosllavi në pranverë 1999. Unë vija, pra, para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me një mendim të pritshëm, përsëritur e stërpërsëritur nga paraardhësit e mi, aq sa për veshët e ndërkombëtarëve d
