Politikë e nxehtë dhe frikë e akullt në Maqedoni
Ka kohë që në skenën politike të Maqedonisë ndodhin fenomene të çuditshme. Ato nuk janë të rastësishme, ad-hok apo spontane, por mirë të organizuara dhe të projektuara me qëllime të caktuara nga shtabe të posaçme, me rekomandim të estabilishmentit pushtetmbajtës. Së këndejmi, ekzistojnë të gjitha indiciet që “vera e nxehtë politike” të stërzgjatet, me “temperatura” tepër të larta politike edhe në muajt e vjeshtës, por mund të ndodhin edhe tentime për mbjellje të frikës së akullt. Çka në të vërtetë, kushtimisht thënë, mund të ndodhë?
Së pari, në shtator Maqedonia pritet të marrë një vlerësim pozitiv nga BE-ja për përmbushjen e “detyrave të shtëpisë” që i ka marrë për obligim disa muaj më parë nga negociatat paraqasëse me BE-në, që ishte një shteg i vogël kompromisi me këtë vend kryeneç ballkanik, që po mbahet pezull për shkaqe që dihen tashmë disa vite për të filluar negociatat e vërteta.
Së dyti, në këtë eufori lëvdatash për reformat e realizuara, kreu shtetëror do të detyrohet nga diplomatë të BE-së dhe NATO-s, por edhe të OKB-së, që të mbështetet “për muri”, që më në fund të pranojë bisedime të vërteta dhe konstruktive me Greqinë për zgjidhjen e kontestit me emrin, të cilat duhet të japin rezultatet fillestare në gjysmën e parë të dhjetorit, kur Komisioni Evropian do t’u sugjerojë ministrave të jashtme të BE-së që të japin datë për negociata me Maqedoninë, për t’i përmbushur kriteret për anëtarësim.
Së treti, partia maqedonase në pushtet, e cila në këtë periudhë do të jetë në telashe të mëdha, ndonëse e mbështetur nga partneri i vet shqiptar i koalicionit qeverisës, me sugjerim të shtabeve të veta pritet të inskenojë krizë qeveritare, për të nisur procedurën e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sepse është vlerësuar prej tyre që “vija e kuqe” do të jetë pikërisht kjo vjeshtë, deri kur partitë në pushtet do të kenë distancën e duhur të mbështetjes elektorale përballë partive opozitare që po mblidhen në strumbullarin e Branko Cërvenkovskit. Fitorja në këto zgjedhje, sipas vlerësimeve, do të jetë garanci edhe për një ngadhënjim në zgjedhjet e rregullta lokale që duhet të mbahen në mars të vitit të ardhshëm. Kësisoj ky koalicion qeverisës pretendon të sigurojë edhe një mandat në të dy nivelet e pushtetmbajtjes.
Së katërti, në taborët e partive politike në pushtet, megjithatë, pritet të rritet në një shkallë të padurueshme nervozizmi politik dhe si pasojë e frustrimeve të këtilla mund të ndodhin veprime të paparashikueshme të trysnive institucionale ndaj oponentëve politikë. Pritet të shpeshtohen kërcënimet me motive politike, ngritje akuzash dhe padish penale, që mund të përfundojnë edhe me arrestime. Kjo do të shkaktojë tensionime shtesë në skenën politike, që mbase mund të dalin edhe jashtë kontrollit.
Së pesti, “fushata” tashmë e filluar parazgjedhore nga ana e opozitës për zgjedhjet e ardhshme lokale, që nuk është zyrtare dhe është kundërligjore, për shkak të shkeljes së afatit të fillimit të përcaktuar me ligj, mund të jetë një ngarkesë shtesë për çrregullime të tjera në skenën politike. Kjo mund të shkaktojë spostimin e vëmendjes së elektoratit nga problemet reale dhe nga programet politike, në një kacafytje politike, ku e tërë vëmendja mund të përqendrohet në mbjelljen e frikës në të gjitha nivelet. Opozita do të tentohet të prezantohet si “gogol” për qytetarët, me etiketime nga më të ndryshmet, në radhë të parë me imputimin e opsionit tashmë të zvenitur nga viti 2001, për “ndarjen e Maqedonisë”, që u rivampiros pas deklaratave të Lubço Georgievskit për televizionin kroat, se atëbotë ka pasur bisedime me Gjinxhiqin serb për “shkëmbim territoresh”, që me gjuhën e sofistikuar nënkuptohet si “pastrim etnik”, sikundër edhe nga deklarata e ish-kryetarit të PDSH-së, Arbën Xhaferi, se “ndarja e Maqedonisë po bisedohet në çdo shtëpi maqedonase”. Këta të dy “partnerë të dikurshëm strategjik” tashmë janë transferuar në kampin “teknik” të Cërvenkovskit. Gogol për elektoratin maqedonas do të jetë edhe nxjerrja në skenën politike e “Marrëveshjes së re shqiptare-maqedonase” të Menduh Thaçit, vizavi Marrëveshjes së Ohrit të Ali Ahmetit tashmë të tkurrur në 11-vjetorin e saj të nënshkrimit.
Së gjashti, opinioni në Maqedoni, si rezultat i ashpërsimeve të mundshme verbale politike, mund të dëgjojë nga “luani i plagosur”, Lubço Georgievski, shumë të palara që janë bërë në mandatin e VMRO-DPMNE-së, me implikime serioze të funksionarëve të tashëm të kësaj partie. Pritet që skajshmërisht të demaskohet politika maqedonase nga viti 1991 e deri më tash, ku në shesh mund të dalin shumë manipulime dhe keqpërdorime të pushtetarëve. Në këtë kontekst, nuk dihet se sa do të provokohet “indi shqiptar”, në mënyrë që të shfrenohet vokabulari i PDSH-së dhe BDI-së, jo vetëm për atë se “kush janë tradhtarë dhe kush janë patriotë”, por mund të preket edhe “kutia e tenderëve” dhe e abuzimeve të tjera.
Së shtati, përkundër prepotencës së skajshme të partisë maqedonase në pushtet, se është në rrugë të drejtë dhe ka përkrahjen e palëkundur të elektoratit, se ka vënë në veprim të gjitha mekanizmat partiake dhe institucionale për ngadhënjim të paluhatur në zgjedhjet e ardhshme, megjithatë ka disa indicie që kjo parti tërthorazi po përgatitet për largim nga pushteti. Siç mësohet, për në shtator dhe tetor po paralajmërohet një paketë ligjesh për administratën publike, Mbrojtjen dhe MPB-në, me dispozitat e të cilëve do të mund të “siguroheshin” të gjithë ata që do t’i punësojë kjo parti në pushtet në muajt që vijnë para se të mbahen zgjedhjet.
Së teti, edhe BDI-ja, e cila pas rastit “Monstra”, pësoi goditje të pariparueshme në imazhin e vet politik, por edhe ngathtësia e veprimit politik një kohë më të gjatë përballë politikave rrënuese të partnerit të vet, ka lëvizje tektonike në radhët e saj, ndaj dhe pritet të hyjë në lojë politike me partnerin e tashëm për të përfituar sa më shumë që është e mundur, sepse me polarizimet momentale në skenën politike të Maqedonisë, nëse nuk bëhet ndonjë kthesë tjetër e madhe dhe e papritur, gjithsesi se kjo parti do të mbetet në “jarani” vetëm me Gruevskin. Pritet të shihet se çka do të thotë populli, i cili, siç ka thënë një politikan, “edhe kur gabon, ka të drejtë”.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”