E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ska më dialog me Serbinë

Sejdiu: Jemi gati të marrim të gjitha përgjegjësitë shtetërore dhe të shtrijmë autoritetin në të gjithë territorin e Kosovës

Nuk ka asnjë çështje që kërkon ridialog me Serbinë. Ishte kjo deklarata e presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, gjatë një interviste dhënë dje për radion “Blue Sky” (RTK). Sipas tij, pas 15 qershorit UNMIK-u do të jetë në pozitë të njohjes reale apo praktike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa misioni i ri ndërkombëtar, veç sigurisë së integritetit të shtetit dhe asaj që ka të bëjë me rendin e ligjin, do të ketë edhe karakter mbështetës. Sejdiu tha se pas kësaj date, kur hyn në fuqi edhe kushtetuta e re, institucionet e Kosovës do të marrin të gjitha përgjegjësitë shtetërore, siç parashikohet në pakon e Marti Ahtisarit. Presidenti kosovar konfirmoi lajmin mbi mbërritjen e letrës së sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ku pritet njoftimi për rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe kalimin e kompetencave tek institucionet vendore. I pyetur nëse Kosova është e gatshme të marrë të gjitha këto përgjegjësi, Sejdiu u përgjigj: “Absolutisht, Kosova është e gatshme që të vazhdojë me funksionim të institucioneve të saj, mbi bazë të përgjegjësive që ka marrë dhe përgjegjësitë e reja që do të marrë. Natyrisht në pjesën e sigurisë dhe të sundimit të ligjit, bashkëpunimi do të vazhdojë me misionet ndërkombëtare, pasi ne ende nuk kemi ndërtuar institucione që do të jenë përgjegjëse me kompetenca të plota”. Sa u përket institucioneve paralele serbe, presidenti i Kosovës tha se ato janë një sfidë si për institucionet kosovare, ashtu edhe për ato ndërkombëtare. “Projekti “Ahtisari” parasheh shumë qartë se ato duhet të shuhen menjëherë. Prandaj ne insistojmë që mekanizmat ndërkombëtarë të bëjnë punën e vet. Ne nuk kemi pas qasje dhe nuk do ta kemi qasjen e konfrontimit me qytetarët serbë që hezitojnë në këtë kohë, apo janë edhe kundërshtarë të proceseve në Kosovë. Për ne është me rëndësi që KFOR-i ta bëjë punën e vet, që të kontrollojë mirë hyrjet dhe daljet në Kosovë, të gjithë ato elemente që kanë për qëllim të krijojnë destabilitet dhe, në anën tjetër, të vihet hap pas hapi kontrolli i përgjithshëm i gjithë hapësirës së Kosovës me punë funksionale të institucioneve të saj”, -u shpreh Sejdiu. Ai u shpreh se institucionet e Kosovës janë të gatshme të ushtrojnë autoritetin e tyre të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, gjithmonë në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Por për sa u përket masave të mundshme në fushën e sigurisë për eliminimin e këtyre strukturave paralele të Beogradit, presidenti kosovar tha se kjo është një kompetencë dhe detyrim i mekanizmave ndërkombëtarë. Sejdiu tha gjithashtu, se nuk beson që të ketë ndarje të Kosovës, pasi ekziston një garanci e fuqishme ndërkombëtare e Grupit të Kontaktit, e BE-së dhe në vetë Këshillin e Sigurimit. “Mendoj se çdo qasje tjetër do të ishte, në radhë të parë, në dëm të interesit të përgjithshëm të popullit të Kosovës, por s’do të ishte në interes as të komunitetit serb. Unë mund të them se të gjithë vendet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, e kanë njohur si republikë të pavarur dhe sovrane”, - u shpreh ai. Presidenti kosovar përfundoi duke mohuar lajmet se procesi i njohjes ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës ka ngecur. “Është një proces që vazhdon. Nuk varet gjithçka nga pjesa dhe vullneti ynë. Unë them se shumë vende që kanë njohur Kosovën, janë të peshës së veçantë në glob. Nga ana tjetër kemi edhe paralajmërime, se me hyrjen në fuqi të Kushtetutës, do të kemi edhe njohje të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›