Kërcënimi i Edi Ramës, 2 mijë të tjerë gati për grevë
Mbi 50 vetë lënë grevën, grevistët: Kjo, java e fundit
Kur çdo ditë që kalon, mendohet se do të jetë e fundit për grevistët që po durojnë në kufijtë e fundit të qëndresës së tyre fizike në grevën e urisë së nisur nga Partia Socialiste më datë 20 prill, Rama kërcënon qeverinë se do të fusë më shumë se dy mijë veta në një grevë të re urie. Kërcënimi ka ardhur dje, në një kohë kur grevistët e larguar drejt spitalit janë shtuar dhe shëndeti i atyre që vazhdojnë të qëndrojnë në çadra, është përkeqësuar. Mjekët u bëjnë thirrje grevistëve që të ndërpresin këtë vetësakrifikim, kurse Rama ka folur për rezistencë të mëtejshme. Por dhe vetë ai duket se e ka kuptuar se fiziku i njerëzve që kanë pranuar të sakrifikohen, nuk po duron më. Siç mësohet nga burime brenda çadrës së grevës së urisë, grevistët thonë se kjo është java e tretë dhe e fundit që ata do të rrinë në grevë, edhe pse kërkesat e tyre vazhdojnë të mos marrin përgjigje pozitive nga mazhoranca. Nga ana tjetër, Rama po mendon të ndërpresë grevën të paktën deri të premten e kësaj jave, por para se ta bëjë këtë, ka kërcënuar se do të nisë një grevë të re urie. Është e rëndësishme ta marrin vesh që të gjithë ata që kujtojnë se për shkak se fuqitë fizike të këtyre njerëzve kanë një fund, një fund do të ketë edhe greva, edhe protesta, pa i dhënë fund zgjidhjes dhe pa i dhënë fund mbylljes së kutive. Janë deri në çastin që po flasim 2173 qytetarë dhe qytetare të regjistruara për të hyrë në grevën e urisë dhe për të mos e ndalur këtë grevë, - tha dje Rama në mitingun e pasdites. Duke e parë dhe vetë se loja me kohëzgjatjen e grevës është e rrezikshme për shëndetin e grevistëve, ndërkohë që arritja e një kompromisi mund të kërkojë kohë, ai gjithsesi ka premtuar se sdo të hiqet dorë nga greva dhe protesta. Nuk ka shans që kjo grevë të përfundojë dhe që kutitë të mbeten të mbyllura, - ka theksuar më tej Rama. Rama ritheksoi se kërkesat për transparencë nuk kanë synim marrjen e pushtetit në tavolinë, por, siç tha ai, është një betejë për ti hapur rrugë përparimit të vendit. Kjo nuk është një betejë për të përmbysur pushtetin, por për ti hapur rrugë përparimit të një vendi që ka rënë përmbys. Ne nuk jemi këtu për pushtetin, por për vendin ku jetojmë. Që jeta të bëhet më e mirë, duhet që politika të bëhet më e mirë dhe që politika të bëhet më e mirë, njerëzit duhet të çlirohen nga frika dhe varfëria, - u shpreh ai.
Ndërkohë, brenda çadrave ka pasur pak gëzim të vogël dje, pasi deputeti Fatmir Xhafaj është detyruar ta festojë ditëlindjen në atë ambient ku është ngujuar që nga nata e 20 prillit. Vetë Rama e ka uruar dhe i ka dhuruar një tufë me lule. Por Xhafaj, i cili po reziston, ka përcjellë dje për në spital deputeten e Beratit Ermonela Felaj, si dhe Besnik Baren, i cili u rikthye për në grevë, pasi u mjekua një herë në spital.