Kërcënimi i prokurorëve, pranga 72-vjeçarit të zhgënjyer për pronat
Pas kërcënimit të hedhur me shishe në korridorin e Prokurorisë së Përgjithshme, policia arreston Raimi Karasanin. I moshuari kishte denoncuar një konflikt pronësie, por prokuroria mbylli hetimet duke e këshilluar t’i drejtohej gjykatës
Tiranë Një 72-vjeçar i zhgënjyer për një çështje pronësie është arrestuar nga policia si autor i kërcënimit të dy prokurorëve. Raimi Karasani u prangos mëngjesin e djeshëm, pasi policia e akuzon si autor të hedhjes së një shisheje dhe një fitili përcjellës, shoqëruar me një letër kërcënuese në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme. Ndonëse shishja ishte bosh, autori ka lënë të kuptohet me mesazhin e tij se ishte gati që herës tjetër “t’u bënte dhuratë” një bombë të vërtetë prokurorëve. Që në momentet e para të hetimit, policia e ka pasur 72-vjeçarin të dyshuarin kryesor, pasi ai kishte dërguar një kërcënim të ngjashëm më shumë se një vit më parë në Prokurorinë e Tiranës, kur u shoqërua dhe pas tri orësh u la i lirë. Burime nga grupi hetimor i thanë gazetës se 72- vjeçari prej disa muajsh bën përgjegjës institucionin qendror të akuzës për mbylljen e një hetimi për një konflikt pronësie që ai ka me një ndërtues. Mësohet se disa vite më parë, 72-vjeçari ka lidhur një kontratë me një ndërtues, sipas së cilës ai vinte në dispozicion truallin që kishte në pronësi, ndërsa pas ndërtimit të objektit do të përfitonte një sipërfaqe banimi. Kontrata mes 72-vjeçarit dhe ndërtuesit është nënshkruar rregullisht përpara një noteri publik, por Raimi Karasani pretendon se biznesmeni e ka mashtruar, duke i dhënë më pak apartamente se ç’i kishte premtuar verbalisht. Pikërisht për këtë kontratë, 72-vjeçari është drejtuar në prokurori dhe ka denoncuar ndërtuesin duke pretenduar se ai e kishte mashtruar. Prokurorët kanë nisur verifikimet pas kallëzimit të tij, ndërsa e kanë pyetur të moshuarin nëse firma e tij dhe e ndërtuesit, të hedhura në kontratën noteriale ishin të falsifikuara. Ky i fundit është përgjigjur se ai e kishte firmosur vetë kontratën, por nuk i kishte lexuar kushtet me të cilat kishte rënë dakord më parë. Në këto rrethana, prokurorët e kanë këshilluar Karasanin t’i drejtohej gjykatës për të hapur një proces civil, pasi kallëzimi i tij nuk kishte elementë të veprës penale, vendim që duket se ka zhgënjyer të moshuarin. Asokohe, ai i është drejtuar me një ankesë Prokurorisë së Përgjithshme, prej së cilës ka marrë të njëjtën përgjigje. Ky fakt duket se ka irrituar të moshuarin, i cili dy ditë më parë realizoi kërcënimin e tij të dytë ndaj institucionit të akuzës. Burime nga grupi hetimor thanë se 72- vjeçari prej kohësh ka shfaqur çrregullime të ekuilibrit mendor, fakt ky që pritet të jetë lehtësues për pozicionin e tij në lidhje me kërcënimet. Ai është arrestuar mëngjesin e djeshëm dhe në përballje me punonjësit e policisë nuk e ka mohuar se është ai dërguesi i mesazhit për prokurorët, që sipas tij janë të shitur dhe të korruptuar. Zyrtarisht, i moshuari Karasani akuzohet për “kërcënim të figurës së Prokurorit”, ndërsa në bazë të Kodit Penal, vepra që ai ka kryer parashikon një dënim që fillon me gjobë deri në tre vite burg.
Letra kërcënuese
“Jeni të shitur e të blerë. Ky është shansi i fundit që po ju jap. Këtë herë po e hedh të pandezur, por herës tjetër do e hedh të ndezur…. Jeni të pacipë!”
Letra e 72-vjeçarit për prokurorët: Jeni të shitur
I moshuari ka kërcënuar përmes mesazhit të tij se këtë herë po i falte prokurorët, ndërsa herën tjetër do ta hidhte shishen të ndezur
Letra kërcënuese e 72-vjeçarit Raimi Karasani u është drejtuar me emër dy prokurorëve të organit qendror të akuzës, të cilët kanë shqyrtuar ankesën e tij për pronën. Njëri është numri 2 i Prokurorisë së Përgjithshme, Sokol Stojani, ndërsa tjetri është prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në letër, i moshuari akuzonte prokurorët se janë të korruptuar, madje bazuar në tekstin e letrës mësohet se i moshuari ka premtuar se herës tjetër do të hidhte një bombë të vërtetë “Molotov” në prokurori. “Jeni të shitur e të blerë. Ky është shansi i fundit që po ju jap. Këtë herë po e hedh të pandezur, por herës tjetër do e hedh të ndezur. Jeni të pacipë’,- shkruhet ndër të tjera në letrën ku përmenden edhe tabulatet telefonike. Shishja brenda së cilës gjendej letra kërcënuese, është gjetur mesnatën e së hënës nga roja i Prokurorisë së Përgjithshme, në korridorin e katit të parë. Ndonëse shishja ka qenë bosh, prezenca e fitilit dhe e letrës shoqëruese e ka bërë të qartë se për institucionin qendror të akuzës ishte adresuar një mesazh kërcënues. Roja i institucionit ka njoftuar menjëherë efektivët e komisariatit nr.1 të policisë në kryeqytet, të cilët kanë nisur hetimet për çështjen. Burime nga grupi hetimor sqaruan për MAPO-n se shishja është hedhur në korridor përmes një dritareje të katit të parë të prokurorisë gjatë pasdites së të hënës. Brenda një kohe të shkurtër grupi hetimor identifikoi autorin e saj, Raimi Karasani, i cili nuk ka mohuar aktin. Ai ka përsëritur përpara punonjësve të policisë akuzat për prokurorët, por verifikimi i konfliktit të pronësisë ka nxjerrë në pah se pretendimet e tij janë të padrejta. Tashmë, 72-vjeçarit do t’i duhet të përballet me akuzën e “kërcënimit të figurës së prokurorit në gjykatë”, ku pritet të vendoset edhe fati i tij i mëtejshëm.
Roja i Prokurorisë denoncoi kërcënimin
Roja i Prokurorisë së Përgjithshme, duke ecur në korridorin e katit të parë ka vënë re një shishe bosh, të mbështjellë me letër të bardhë, brenda së cilës ndodhej një fitil përcjellës. Ndonëse shishja ka qenë bosh, prezenca e fitilit dhe e letrës shoqëruese e ka bërë të qartë se për institucionin qendror të akuzës ishte adresuar një mesazh kërcënues. Roja i institucionit ka njoftuar menjëherë efektivët e komisariatit nr.1 të policisë në kryeqytet, të cilët kanë nisur hetimet për çështjen. Burime nga grupi hetimor sqaruan për MAPO-n se shishja është hedhur në korridor përmes një dritareje të katit të parë të prokurorisë, gjatë pasdites së të hënës.