E Diel, 1 Nëntor 2026

Zihet me gruan, i vë flakën shtëpisë, rrezikon 5 fëmijët

Kastriot Ymeri ka hedhur benzinë dhe i ka vënë flakën shtëpisë në të cilën jetonte me gruan dhe pesë fëmijët. Fati i ka shpëtuar këta të fundit, ndërsa babai i ka lënë pa strehë dhe në mëshirë të fatit

Nuk dihet ende se çfarë e ka shtyre 41-vjeçarin Kastriot Ymeri të hidhte benzinë dhe t’i vinte flakën shtëpisë, në të cilën jetonte bashkë me gruan dhe 5 fëmijët në Cërrik. Burime nga policia thanë se ai ka vepruar në një moment çekuilibrimi dhe tronditjeje, ndërsa ka rrezikuar që bashkë me banesën të djegë edhe fëmijët e tij.

Ngjarja

Ngjarja e rrallë ndodhi dje në orët e para të mëngjesit, në qytetin e Cërrikut. Policia e Elbasanit ka ndaluar Kastriot Ymerin 41 vjeç, me banim në lagjen 2 në këtë qytet, i cili sipas saj, e ka djegur shtëpinë në kushtet e tronditjes psikologjike pas konflikteve të vazhdueshme me bashkëshorten e tij, Anita Ymeri. Burime nga policia thanë se burri, në një moment pas grindjes i ka hedhur benzinë shtëpisë e më pas i ka vënë flakën. Për fat, 5 fëmijët e çiftit Ymeri kanë shpëtuar për mrekulli, po kështu edhe bashkëshortja 38-vjeçare, të cilët mesa dukej ndodheshin brenda shtëpisë në momentin e zjarrvënies. Kanë qenë fqinjët dhe më pas zjarrfikësit që janë përpjekur të ndihmojnë familjen. Në fillim, ata kanë mundësuar të shpëtojnë aq sa mund të nxirrej nga banesa në flakë dhe kanë tentuar ta shuajnë atë, por përpjekjet kanë qenë të kota.

Ndalimi

Në vendin e ngjarjes shkoi policia dhe një grup hetimor, ndërkohë që nga të dhënat paraprake, bazuar edhe në dëshmitë e bashkëshortes, Kastriot Ymeri i ka vënë flakën banesës për shkak të konflikteve të vazhdueshme që kishte me gruan për motive xhelozie, por edhe për arsye ekonomike. Pushteti vendor po përpiqet të ndihmojë 5 fëmijët dhe bashkëshorten e tij për t’i sistemuar në një strehë të re, pasi babai i ka lënë ata pa një çati mbi kokë dhe po ashtu mjaft të varfër. Burri ndërkohë do të akuzohet për veprën penale të “zjarrvënies me qëllim” dhe mund të rrezikojë disa vite burg, për shkak se vepra që ka kryer ka vënë në rrezik edhe familjen e tij. F. Salliu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›