E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjeti i prostitucionit me jahte për VIP-at i kalon shtetit 2.6 mln euro

SHKRUAN: Leonard Bakillari 15-12-2011 11:55

Gjykata e Krimeve të Rënda konfiskon llogaritë bankare të vëllezërve nga Berati, Aleksandër e Sokol Shehu, të cilët akuzohen se kishin krijuar një rrjet prostitucioni nga më të mëdhenjtë në Greqi

Tiranë Gjykata e Krimeve të Rënda ka konfiskuar dje 2.6 milionë euro në emër të vëllezërve beratas Aleksandër dhe Sokol Shehu, të akuzuar nga drejtësia greke për trafik prostitucioni. Historia e bujshme e dy vëllezërve Shehu ka tronditur kryeqytetin helen në vitin 2010, kur policia sekuestroi pesë jahte, që dyshohet se përdoreshin nga organizata kriminale që kishte si qëllim trafikun e femrave për prostitucion. Operacioni i bujshëm që përfundoi me njërin prej vëllezërve të arrestuar dhe tjetrin në kërkim, nuk u la jashtë vëmendjes nga prokuroria shqiptare, e cila evidentoi llogaritë bankare të të dyshuarve. Plot pesë llogari bankare rezultuan në emër të Aleksandër dhe Sokol Shehut, brenda të cilave ndodhej shuma e konsiderueshme prej 2.6 milionë eurosh. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata urdhëroi sekuestrimin e përkohshëm të këtyre llogarive, ndërsa akuza në bashkëpunim me autoritetet greke arriti të provojë se paratë kanë ardhur nga veprimtaria e trafikut të prostitucionit në Athinë. Të dyshuarit, sipas hetimit ishin pjesë e një grupi kriminal, në përbërje të të cilit kishte edhe femra që operonin kryesisht në zonën e Athinës. Të dyshuarit trafikonin vajza kryesisht nga vendet e Lindjes, të cilat më pas shfrytëzoheshin si prostituta në Greqi. Madje policia greke bllokoi edhe 5 jahte në pronësi të të arrestuarve, të cilët dyshohet se përdoreshin për transportin e prostitutave për klientë VIP. Hetimi për transaksionet e dyshimta financiare nga Greqia ka nisur fillimisht nga Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, e cila më pas e përcolli dosjen në Prokurorinë për Krime të Rënda, në kuadër të ligjit “Antimafia”. Gjatë kësaj kohe Gjykata e Tiranës kishte vendosur sekuestron e përkohshme mbi llogaritë bankare të të dyshuarve, si dhe të afërmve apo personave që kishin lidhje shoqërore me ta. Hetimet treguan se shuma e konsiderueshme e parave prej 2.6 milionë eurosh ka ardhur si pasojë e veprimtarisë kriminale të trafikut dhe shfrytëzimit të prostitucionit në vendin fqinj. Gjatë procesit gjyqësor që u zhvillua në Gjykatën për Krime të Rënda, familjarët e Aleksandër dhe Sokol Shehut nuk mundën të provojnë burimin e ligjshëm të të ardhurave që ishin depozituar në banka të ndryshme në vend. Për këtë arsye, akuza kërkoi konfiskimin dhe kalimin përfundimtar në favor të shtetit të shumës prej 2.6 milionë eurosh, të sekuestruar më parë në pesë llogari të ndryshme bankare. Shuma e konsiderueshme e parave, sipas objektit të kërkesës së prokurorisë ishte në pronësi të Aleksandër dhe Sokol Shehut, si dhe të personave të tretë, Can Murataj, Fatos Zeka, Nexhmije Oruçi, Arben Hajdinaj, Zenun Zeka, Sadri Mutaraj, Syle Gerguri dhe Nazmi Murataj. Prokuroria gjithashtu ka argumentuar se këto para janë të ardhura të përfituara nga trafiku i prostitucionit, pasi nga informacionet e autoriteteve greke rezulton se të ardhurat e kësaj veprimtarie ishin të konsiderueshme. Fitimet e organizatës kriminale, pjesë e së cilës ishin edhe vëllezërit Shehu, arrinin shifrën e 12.000 eurove në ditë. Një pjesë e mirë e këtyre parave janë transferuar në Shqipëri edhe nëpërmjet personave të tjerë që kishin lidhje familjare apo shoqërore me të dyshuarit, të cilët janë pjesë e një hetimi të nisur nga autoritetet greke.

Të konfiskuara

Llogari në emër të Aleksandër Shehut, 967 dollarë

Llogari në emër të Aleksandër Shehut, me gjendje 507.271 euro

Llogari në emër të Aleksandër Shehut, me gjendje 519.274.85 euro

Llogari në emër të Aleksandër Shehut, me gjendje 549.965.38 euro

Llogari në emër të Sokol Shehut dhe Fatos Zekës, në shumën 522.561 euro

Llogari në emër të Can Murataj, në shumën 500.000 euro

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›