E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi për minatorët: Rikthehuni punës ose mbyllim minierën

Vazhdon në ditën e tretë protesta e minatorëve të Bulqizës, të cilët nuk tërhiqen deri në plotësimin e kushteve. Flet kreu i Sindikatës Dylaver Përkoxha, i cili sqaron se do të ketë përshkallëzim të protestës

BULQIZË Minatorët e Bulqizës u shprehën dje se lëvizjet e tyre sindikaliste do të përshkallëzohen. Në qoftë se brenda tri ditëve, ata nuk do të marrin një përgjigje nga drejtuesit e firmës ‘Albanian Krom’, kërcënojnë me grevë urie pa afat. Kryetari i Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci dhe kryetari i Këshillit Sindikal të Minatorëve të Bulqizës, Dilaver Përkoxha, thanë dje se protesta do të zhvillohet në hyrje të minierës dhe rreth orës 09.30 ajo do të zhvendoset në qendër të qytetit, duke kërkuar edhe mbështetjen e qytetarëve të Bulqizës. “Kërkesat tona janë thellësisht ekonomike dhe nuk do të pranojmë asnjë politikan të përfshihet në veprimet tona sindikaliste” - tha Koleci. Minatorët e Bulqizës kanë hyrë në ditën e tretë të grevës, për plotësimin e kërkesave jetike nga ana e Kompanisë Koncesionare ACR. Afro 700 minatorët e Bulqizës janë përkrahur nga metalurgët e Burrelit dhe ata të Elbasanit, që janë nisur mëngjesin e djeshëm drejt mjediseve të Kompanisë ACR, ku janë tubuar minatorët e Bulqizës. Ata po protestojnë ndaj Kompanisë Koncesionare austriake ACR, pasi kjo e fundit nuk ka mbajtur premtimet për përmirësimin e kushteve të punës. Në krye të sindikatës së minatorëve qëndron prej vitesh Dilaver Përkoxha, një minator ky i përkushtuar dhe mjaft këmbëngulës për kërkesat e kolegëve të tij. Ka organizuar disa protesta paqësore, greva urie, marshime drejt Tiranës dhe së bashku me kolegët kanë bllokuar rrugët nacionale. Edhe në protestën e fundit, ai qëndron në krye të protestuesve, paçka se drejtuesit e minierës i kërkojnë të distancohet, madje thuhet se mbi minatorët ka pasur dhe kërcënime e presione të shumta, duke u kërkuar atyre të rikthehen urgjent në vendet e tyre të punës. Në një intervistë për “Mapo”-n, Përkoxha tregon detaje të kësaj proteste.

Zoti Përkoxha, kur vendosët për protestën e fundit dhe cilat ishin shkaqet?

Prej disa javësh minatorët e Bulqizës kanë kuptuar se po luhet me mundin dhe djersën e tyre. Kushtet e punës janë ato të shumë viteve më parë, ndërkohë paga e minatorëve, duke marrë parasysh çmimet, ka mbetur ajo që ishte. Të punosh gjithë muajin në thellësitë e galerive të minierave dhe në fund të marrësh 36-38 mijë lekë, kjo është shqetësuese. Minatorët vënë jetën në rrezik në çdo moment. Ato punojnë në lagështirë, në pluhur, në errësirë, në kushte tejet të rënda. Firma austriake ‘Albanin Krom’ na premtoi se do të investonte të paktën 26 milionë dollarë, ndërkaq nuk janë investuar as 1 milion. Pra ne vetëm mashtrohemi, ndërkohë të tjerë majmen me djersën e gjakun tonë. Protesta jonë lidhet, siç e thatë më lart, me pagat e ulëta, me kushtet e vështira në punë, me punën pirate të disa firmave që punojnë brenda koncesionit, me mungesën e perspektivës së minierës, me moshën e lartë të daljes në pension, etj. Këto janë arsyet që na bënë të ngrihemi në protesta pa afat. E kemi deklaruar disa herë këto nuk janë kërkesa politike, por thjesht dhe vetëm ekonomike.

Keni kontaktuar me zyrtarët e firmës së huaj dhe ç’përgjigje keni marrë?

Ne u kemi dërguar një letër me kërkesat tona firmës së huaj, Ministrisë së Ekonomisë, Prefektit të Dibrës, dhe institucioneve të tjera. I kemi paralajmëruar ato prej ditësh, se ne nuk do të ndalemi deri në rritjen e pagës 20 %, ndaljen e taksës së dyfishtë, largimin e firmave të palicencuara nga territori i firmës ‘Albanian krom’, si dhe nisjen e investimeve të premtuara prej vitesh. Dje kemi marrë një përgjigje qesharake nga zyrtarë të firmës. Çuditërisht kërcënohemi se në qoftë se nuk rikthehemi në punë, firma e huaj do të ndalë punën në minierë për disa muaj. Ky kërcënim nuk na tremb aspak. Ne do të qëndrojmë deri në fund. Askush nuk mund të na gënjejë apo kërcënojë me mbyllje të minierës apo largime nga puna. Të gjithë jemi bashkë, për të njëjtin hall që kemi.

Në qoftë se nuk merrni një përgjigje pozitive, si do të veproni?

E kemi deklaruar dje para punëtorëve. Sot do të zhvillojmë një tubim të madh në qendër të qytetit. Do të vijnë për të na mbështetur pensionistë, ish minatorë, gra e burra, nxënës të shkollave e të papunë. Ndërkohë kemi vendosur të mos lejojmë asnjë mjet të ngarkuar me krom të lëvizë drejt Portit të Durrësit. Durimi është sosur dhe nuk ndalemi para asgjëje. Dje kemi dërguar në petición pranë firmës austriake dhe u kemi lënë tri ditë afat për zgjidhjen e kërkesave tona ekonomike. Jemi të informuar se do të vijnë nga larg pronarët e firmës. Në se nuk plotësohen kërkesat ne e kemi rrugën tonë, do të fillojmë grevën e urisë pa afat. Boll kemi duruar.

PAJTIM HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›