E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënohet me vdekje vajza që denoncoi Xhelal Mziun

Prej dy ditësh nuk ka guxuar të shkojë në punë, aty ku prej më shumë se dy vjetësh është punonjëse e administratës së Bashkisë së Kamzës. E vështirë se këmba e saj do të shkelë ndonjëherë tjetër në këtë institucion, për sa kohë që drejtues të jetë Xhelal Mziu. Ky njeri e ka ngacmuar sistematikisht me sms erotike duke i bërë presione të ndryshme, deri sa vajza nuk ka duruar më dhe e ka denoncuar. Ka kërkuar ndihmën e drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar, e kur askush nuk e ka vënë ujin në zjarr, ka vendosur të flasë. Jo vetëm për të mbrojtur vetën, pasi prej muajsh ndiet e kërcënuar, por edhe punonjës të tjera të bashkisë që për të siguruar bukën e gojës përballen me arrogancën dhe dhunën verbale të një kryetari Bashkie. Për gazetën “Shekulli”, vajza që ka bërë publike sms-të, thotë se është kërcënuar me vdekje, ndërkohë që tashmë ka frikë dhe për familjen saj. E sipas saj, nëse ndodh ndonjë incident, përgjegjës dhe autor, është kryetar i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.

Zonjë, pasi u bënë publike sms-të që ju keni marrë nga kryetari i bashkisë së Kamzës, a keni shkuar në punë?
Jo! Dhe nuk besoj se mund të shkoj më aty deri sa në krye të këtij institucioni të jetë një njeri si Xhelal Mziu. Që kur nuk pranova ofertat e tij, unë kam pasur shumë probleme. Fillimisht në punë, pastaj dhe me kërcënime, që shkonin me ekzekutimin tim fizik.

Përse nuk denoncuat në organet kompetente këto ngjarje?
Kush tha që nuk e kam bërë? Për të gjetur një zgjidhje të këtij problemi, që unë të punoja e qetë e të vijoja normal jetën time, shqetësimin tim ua kam bërë më dije drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar. Por askush nuk denjoi qoftë edhe të verifikojë këto sms, që unë ende vazhdoj t’i ruaj. Pasi unë ua kam bërë me dije këto sms kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, sekretarit organizativ të PD-së, Flamur Noka dhe deputetit të zonës, Myqerem Tafaj, me kanë ardhur njerëz më kanë kërcënuar. Janë shprehur se do të ma marrin shpirtin dhe kjo qe arsyeja përse unë vendosa t’i publikoj këto fakte. Është shumë e çuditshme që pasi unë kërkoj ndihmë tek drejtuesit më të lartë të shtetit dhe të partisë sime, jam anëtare me teserë të PD-së, njerëz të caktuar fillojnë dhe më kërcënojnë me vdekje.

Kur ia keni dërguar mesazh kryetares së kuvendit Jozefina Topalli?
Në fakt i kam çuar disa mesazhe ku e vija në dijeni çfarë kishte ndodhur dhe i kërkoja ndihmën e saj si kryetare e Kuvendit, por mbi të gjitha si grua për të më ndihmuar. I kam treguar gjithçka, mesazhet erotike, si dhe faktin që kur unë nuk pranova kërkesat e z. Mziu, ai më kaloi thjeshtë një operatore në Bashki. Prisja që znj. Topalli, së paku të më thërriste për të më pyetur, por nuk ndodhi aspak kështu. Unë fillova të kisha dhe më shumë problem, ndërsa njerëzit e partisë ku unë aderoj as që denjuan të rishikonin këtë problem. Ndaj dhe për të shpëtuar vete, sepse z. Mziu u vu në dijeni që unë po denoncoja ngacmimet e tij, dhe gra të tjera në Bashki unë vendosa të bëj publike gjithçka që ka të bëjë me moralin e kryetarit të Bashkisë së Kamzës.

Ju thatë që ju kanë kërcënuar, ka qenë z. Mziu që ju ka kërcënuar?
Jo. Por ka dërguar njerëz të tij dhe unë këtë mund ta provoj.

Keni frikë?
Sigurisht. Por më shumë më kam frikë për familjen time. Ata ende nuk dinë asgjë, sepse nuk guxoja t’u tregoja. Po tashmë jam shumë e qartë, nëse më ndodh mua diçka apo dhe familjes sime, i vetmi përgjegjës për këtë është kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Unë deri më tani nuk kam asnjë problem tjetër, po ashtu edhe familja ime. Ndaj, nuk presim të keqe prej askujt tjetër.

Nga mesazhet vihet re se ju keni komunikuar me Xhelal Mziun. Si është e vërteta?
Unë çdo kërkesë së z. Mziu e kam refuzuar dhe kanë qenë ftesa për darka, dreka apo edhe për të kaluar diku fundjavat. Këto sms që unë kam publikuar nuk dëshmojnë se mes meje dhe z. Mziu ka pasur komunikim, por kjo është gjuha që përdor ai për çdo femër për ta joshur, ose për t’i bërë presion për të mbajtur vendin e punës. Dhe atëherë kur e refuzon nxjerrë në pah anën e tij më brutale.

Pse, çfarë bën?
Kur unë refuzova kërkesat e tij, ai mori vendim që të më kalonte në një pozicion pune që nuk ka fare të bëjë me arsimin tim. Kur kam marrë këtë vendim unë nuk kam qenë në punë, por e sëmurë me raport. Madje, kishte vendosur që as ditët e raportit të mos më paguhen. Kam kërkuar takim zyrtar me të, për të ditur arsyet, por nuk pranon. I thotë sekretares të shporret së bashku me mua. Pas kësaj, unë vendosa të kërkoj ndihmën e drejtuesve të Partisë Demokratike me shpresën që provat dhe historia ime do të merrej në konsideratë nga ata. Por ndodhi krejt e kundërta.

Ju po thoni se kaq brutalisht sillet më këto kryetari i Bashkisë së Kamzës, apo vetëm me ju?
Me njerëzit që nuk i shkojnë pas vijës sjellja e tij është tejet brutale. Por të gjithë kanë frikë dhe nuk flasin. Kanë frikë se humbasin vendin e punës dhe durojnë sjelljet e tij arrogante.

A do të bëni denoncim në prokurori, qoftë edhe me akuzën e ngacmimit seksual?
Në qoftë se mua apo dhe ndonjë anëtari të familjes sime u ndodh diçka, sigurisht që do të bëj denoncim në prokurori, sepse njeriu i vetëm prej të cilit mund të më vijnë të këqijat është z. Mziu. Por, nëse gjërat nuk shkojnë me tej, dua të vijoj jetën time. Ua thashë, që unë këto sms i bëra publike për të shpëtuar veten dhe shumë gra të tjera që ndihen nën presion psikologjik të një kryetari që ushtron dhunë verbale ndaj punonjësve të tij, që në fund të fundit të gjithë ne paguhemi nga taksapaguesit shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›