E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja projektet që e shndërruan Kasharin në një komunë të nivelit europian

07-05-2011 / Intervistoi: Leonard Quku

Flet për gazetën “55”, Besnik Fuçia, kandidati i PD-së dhe “Aleancës për Qytetarin” për komunën Kashar


Ja përse duhet të votoni për Besnik Fuçinë, kryetar komune në Kashar!


Komuna e Kasharit, në periferi të qytetit të Tiranës, është ndoshta shembulli më spektakolar i urbanizimit të një njësie vendore në vendin tonë. Falë një pune të shkëlqyer, vullneti dhe përgjegjësie të veçantë të kryetarit të saj, Besnik Fuçia, brenda dy viteve pas marrjes së detyrës prej tij, Kasharit do t’i “dhurohej” perspektiva e një zhvillimi tipik evropian. Duke filluar nga modernizimi i infrastrukturës rrugore, nxitja e zhvillimit të biznesit dhe rritja e punësimit të banorëve, bërja transparente e taksave dhe të ardhurave të komunës si dhe miratimi i buxhetit me pjesëmarrje, janë risitë që komuna Kashar i sjell pushtetit vendor në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën “55” kryetari i komunës Kashar dhe njëherazi kandidati për një tjetër mandat në këtë detyrë, shprehet se puna e tij konsiston në bashkë-vendimmarrjen me qytetarët. Sipas tij, janë qytetarët ata që përcaktojnë objektivat e punës së Komunës dhe më pas është kjo e fundit që bën financimin e projekteve që i vinë në ndihmë komunitetit dhe urbanizimit të Kasharit. Besnik Fuçia parashikon që për mandatin e ardhshëm të realizojë atë që askush s’e kishte menduar; Kashari do të jetë një komunë e nivelit Evropian.


Në vetëm dy vite, askush s’do ta besonte këtë punë kolosale të pushtetit vendor në Kashar. Cilat ishin ato objektiva që ju i vutë vetes ditën e parë që u ulët në këtë zyrë?


Është normale që pas dy vjetësh në krye të punëve të njësisë sonë vendore, të kujtojmë edhe një herë, me modesti, edhe punët kryesore të cilat kanë qenë aq afër qytetarit dhe që kanë sjellë një  ndryshim të jetës së tij. Kishim objektiva të ngjeshura të cilat kanë kërkuar një impenjim të gjithë strukturave tona e ky impenjim ka qenë kryesisht në infrastrukturë e që sot, ne me mburrje, mund të themi se në krejt sipërfaqen e komunës, nga Yzberishti e deri në Kus e Mazrek kemi një sistem rrugor të përfunduar, madje diku edhe me trotuare, me kanalizime e me pemë dekorative. I dhamë komunitetit tonë dy shkolla të ndërtuara nga themeli, përkatësisht një në fshatin Kashar e tjetra në Yrshek. Në mënyrë të ndjeshme ne shtuam sasinë e ujit të pijshëm për banor për çdo fshat, ndërtuam disa depozita, shtuam burimet ujore, ndërtuam një sistem pothuaj të ri të linjës së ujësjellësit. Bëmë një studim një plotë urbanistik të zonës 240 ha. Në Yzberisht, kemi pesë muaj që punohet në 14 investime njëkohësisht në rrugica të lagjeve tona, në kanalizime për mbledhjen e ujërave, i dhamë komunitetit dy linja urbani, bëmë një njohje të thellë të gjithë problematikës së jetës të qytetarëve tanë nëpërmjet një pyetësori, e për herë të parë ndërtuam një buxhet, ku prioritetet i vendosën vetë qytetarët nëpërmjet një votimi. Të gjitha këto që u realizuan në një kohë rekord, kanë shërbyer jo pak në jetën e njerëzve tanë dhe e afruan komunën tonë afër kryeqytetit duke i dhënë asaj jo pak elementë të qytetërimit.


A ka pasur frymë mirëkuptimi mes anëtarëve të Këshillit të Komunës në problematikat e saj?


Nëse diku më tej kemi dëgjuar për bllokime të punëve të njësive vendore, që do të thotë  paralizim i jetës së qytetarëve, në njësinë tonë vendore, përkundrazi, është gjetur një mirëkuptim i cili është arritur së pari për ndjenjën e përgjegjësisë e cila ka qenë sunduese në objektivat e planet tona si dhe për  koherencën e gatishmërinë që kanë ndier edhe përfaqësuesit e opozitës në Këshillin e Komunës, të cilët asnjëherë nuk kanë qenë bllokues të propozimeve tona në të gjitha drejtimet. Është një frymë e re bashkëpunimi e mirëkuptimi e cila u pa aq qartë edhe në miratimin e buxhetit të këtij viti e që tregoi njëherazi rritjen e përgjegjësisë për hallet e njerëzve tanë. Është rasti që edhe në emër të banorëve të shpreh mirënjohjen për këtë mirëkuptim të opozitës. 


Komuna Kashar ka sjellë një standard më vete për pushtetin vendor, që është buxhetimi me pjesëmarrje. Çfarë të rejash solli në krijimin e një tradite ku qytetarët vendosin prioritetet e investimeve?


Për të realizuar transparencën dhe prioritetet e qytetarëve, buxheti i këtij viti u ndërtua 100% me pjesëmarrjen e qytetarëve. Pas një pune të gjerë studimore nga studentët tanë në stinën e verës, për gati një muaj e gjysmë ky buxhetim rrugëtoi fshat më fshat të komunës duke çuar aty një tabelë të qartë investimesh. Ky rrugëtim u dha komisioneve tabelat e duhura të cilat do të  tërhiqnin edhe investimet e këtij viti. Dhe kohë pas kohe, komuna, pasi njohu edhe prioritetet të cilat u volën pas një votimi, sendërtoi edhe punën e vet duke ndërtuar një buxhet me destinacione të qarta, i cili tregoi nga ana tjetër edhe shembullin më të qartë të një demokratizimi të pushtetit lokal e të hartimit të projekteve të tij. Dhe ky buxhet erdhi e mori “vulën” më datën 31 janar në Këshillin e Komunës i cili ka autoritetin e tij të plotë të miratimit duke u dhënë kështu edhe  rrugën e lirë investimeve të këtij viti. Për herë të parë, në gjithë historikun e ndërtimit të buxhetit,  u ndërtua një buxhet, ku mendimi qytetar ishte ai që vendosi se ku duhet të bëheshin investime, se cili investim shkonte direkt në përmirësimin  e jetës së tyre e kjo u arrit nëpërmjet një votimi të hapur qytetar.


Cilat kanë qenë marrëdhëniet e njësisë vendore me bizneset për të zbutur papunësinë? Siç më komunikoni një risi e komunës Kashar është edhe ndërtimi i një marrëdhënie të re mes pushtetit vendor dhe biznesit, pra, “Partneriteti biznes- komunë”...?


Në përfundim të vitit të kaluar përfaqësues të të gjithë bizneseve që janë dislokuar dhe operojnë në territorin e komunës si dhe titullarë e specialistë të njësisë  sonë vendore, organizuan  një takim  i cili kishte si qëllim kryesor  njohjen dhe rritjen e mundësive për të ulur shkallën e papunësisë të njerëzve tanë. Ishte një nismë e re e cila u përpunua në zyrat e pushtetit vendor për të nxjerrë modalitetet me të cilat mund të operohet këtë vit duke pasur një synim; punësimin e njerëzve dhe uljen e shkallës së papunësisë. Ishte një diskutim i një pakete fiskale e cila u sendërtua brenda një muaji nga strukturat e njësisë sonë vendore dhe bërja prezent e kësaj pakete, ishte një risi, ku e thanë fjalën e tyre edhe bizneset si partner seriozë të cilët mund dhe duhet të japin ndihmën e tyre. Këtu qëndron edhe fryma e një bashkëpunimi të frytshëm, duke krijuar edhe hapësirat e duhura për të punësuar banorë të komunës. U fol nga pjesëtarët për  efikasitetin e ngritjes së këtyre marrëdhënieve në një tjetër stad. Ato këtej e tutje do të jenë më  të hapura. U theksua se këto biznese operojnë në një territor me një infrastrukturë moderne, falë kjo investimeve, të cilat, viteve të fundit, i kanë dhënë krejt komunës fizionominë e një qyteze aq të preferuar për të jetuar dhe potencialisht edhe për të ushtruar aktivitet biznesi. Janë 1750 biznese që operojnë në territorin tonë dhe mundësitë e punësimit aty janë të mëdha. E sigurisht është hedhur edhe hapi i parë i kësaj lidhjeje  i cili mund të përçojë një frymë të re bashkëpunimi e mirëkuptimi. U vendos kështu me bizneset një partneritet si një dimension i ri pune, besimi reciprok e ndjeshmëri sociale.   


Çfarë keni vlerësuar të stafi me të cilin ju keni punuar?


Stafin nuk e krijova unë, por e gjeta të ngritur. Gjeta në këtë staf edhe punonjës që nuk i takonin forcës sime politike, por ata mbetën pjesë e këtij stafi. Gjeta një ekip të kompletuar, ku modeli i krijuar buron nga përgjegjësia për punën e që kjo përgjegjësi është edhe baza e sukseseve tona.  Kemi pasqyruar një model se si duhet të jetë një zyrtar, e  kjo paraqitje  i ka dhënë institucionit tonë  fizionominë e plotë si duhet të jetë ai. Zyrtari ynë është gjithnjë pranë njeriut e hallit të tij, e statusi i tij buron nga përgjegjësia morale, ndjeshmëria njerëzore e njohja e ligjeve të shtetit.


Me këtë ritëm zhvillimi duket sikur Kashari e ka prekur Evropën... Por, si do jetë Kashari i së ardhmes?


Ne, me vizionin tonë e kemi nisur rrugën Europiane të Kasharit. Ne kemi projekte tepër të rëndësishme që kemi filluar dhe zbatuar për kthimin e kësaj komunë model në të gjithë Shqipërinë. Ne sot diskutojmë ndryshe nga dy vjet me pare, ku sot liberalizimi i vizave nuk është më një ëndërr, por një realitet dhe shqiptarët, mund të lëvizin pa viza në të gjithë Europën. Unë premtoj se Kashari do të jetë një Komune e nivelit Europian, kjo falë dhe mbështetjes së plotë nga pushteti qendror. Ne jemi sot këtu vetëm për një qëllim, të ndihmojmë njëri tjetrin dhe më 8 maj të fitoj dhe do të fitojë e ardhmja e qytetarëve, e fëmijëve... Kashari do t’i thotë jo, të shkuarës, Kashari është ndarë njëherë e përgjithmonë nga e keqja.


Çfarë u uroni votuesve të komunitetit ditën e votimit?


Së pari u uroj një ditë të qetë, një ditë e cila të shprehë vullnetin e ligjshëm të qytetarëve tanë që të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese. Dëshiroj që të tregojmë me këtë ditë një standard të lartë demokracie, ku vota e lirë të jetë shprehësja më e qartë e këtij vullneti qytetar. Është çasti  më i volitshëm që të shprehim qytetarinë tonë, legjitimitetin tonë, i cili buron nga një votë e lirë dhe e fshehtë. Të tregojmë me këto zgjedhje se, ne meritojmë të jemi pjesë e Evropës. Të  dëshmojmë me këtë akt të lartë se rruga jonë drejt saj është pa kthim. Është një shans të cilin ne nuk duhet ta humbasim Duhet të kemi të qartë se rruga jonë drejt Evropës kalon së pari te vota jonë e lirë, të dëshmojmë se kjo votë është treguesi më sintetik i shkallës së demokracisë sonë.


Pse duhet votuar kandidati i Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin” në Kashar, Besnik Fuçia!


Nëse dy vjet më parë, Besnik Fuçia, një kandidat i ri për kryetarin e ardhshëm të komunës së Kasharit, propozuar nga Partia Demokratike, ishte brenda dilemës se, nëse do të mundte të përmbushte detyrimin e madh që buron nga një votëbesim, dy vjet më pas, pas një përvoje dy vjeçare në krye të kësaj njësie vendore, kjo dilemë nuk është më... Duhet thënë se ajo është zëvendësuar me qëndrimin e patundur se qenia e tij në krye të qeverisjes vendore ishte jo vetëm një zgjedhje e qëlluar, por edhe aq e suksesshme. Ishin dy vjet punë, kohë e cila formësoi te qytetarët ndjesinë se kontributi i tij, vlerat e tij morale, intelektuale, vlerat njerëzore, kishte mundur t’i vinte plotësisht në shërbim të njerëzve e ai vjen në betejën e zgjedhjeve të 8 majit me një përvojë të pasur qeverisëse e cila është edhe shtylla kryesore e një përfaqësimi të denjë drejt marrjes edhe të një mandati të dytë. Mjafton një vështrim sipërfaqësor në gjithë territorin e komunës dhe  do të shfaqen aq qartë punët e mira që janë bërë në shërbim të komunitetit. Zona e Yzberishit  është tani një zonë urbane e studiuar, asfalti ka njohur thellë  edhe fshatrat Kus e Mazrek, linjat e ujit të pijshëm janë shtrirë si arterie nëntokësorë gjithandej, Katundi i Ri dhe Yzberishi u ngjajnë qytezave ku jeta po fiton vlera të reja qytetarie. “Në dy vitet e fundit iu dhanë komunitetit tonë dy shkolla të reja nga themeli (në Yrshek dhe në Kashar), janë shtrirë mijëra metra linear tubacionesh për shkarkime ujërash, janë vendosur dy linja urbani duke e afruar së tepërmi këtë zonë me kryeqytetin. Vetën në gjashtë muajt e fundit punohet në 14 investime. Sa rrugica të asfaltuara po shkojnë deri të dera e qytetarit tonë. Makinat tona të pastrimit, çdo mëngjes mbledhim mbetjet urbane. Të gjithë banorët e mbajnë mend fare mirë iniciativën personale të kryetarit Besnik Fuçia për të njohur nga afër gjithë problematikat e jetës qytetare e për këtë u mundësua edhe një pyetësor, të cilën e çuan derë më derë një staf studentësh. U evidentua gjithçka që ka të bëjë me jetën qytetare e kjo krijoi mundësinë për të ndërtuar edhe një buxhet i cili do të ishte aq efikas, thotë Fuçia, ndërsa shton se, ky efikasitet u sigurua nëpërmjet ndërtimit të një buxheti i cili u quajt edhe ‘buxheti me pjesëmarrje, e për më tepër ishte një votim i cili përcaktoi se cili do të ishte edhe prioritetit i njësisë sonë vendore për këtë vit”. Sipas tij, vetë qytetarët që u bënë aq aktivë, nëpërmjet një votimi sollën nevojat e tyre. Besnik Fuçia në gjithë ushtrimin e detyrës, e ka patur fare të qartë se demokracia lokale  nënkupton së pari e së fundi, pjesëmarrjen e gjerë të qytetarëve në administrimin e pushtetit, e që kjo pjesëmarrje, në këtë njësi vendore, është realizuar më mirë se tjetërkund. Duhet votuar kandidati i Partisë Demokratike edhe për arsye të tjera. Ai gjeti një staf në përbërjen e të cilit kishte edhe punonjës që nuk i takonin forcës së tij politike, por që ata  vazhdojnë të punojnë edhe sot aty, në komunën Kashar. Ishin dy vjet të mjaftueshme për të, që të konfirmonte një model pushtetari, ku intelektualitetin e vet e harmonizon me të drejtën operuese që të jep pushteti e që, për këtë model ia vlen të votohet. Gjithë sjellja e tij ka patuar projeksionin e vet në stafin me të cilin ai operon. Në zyrat e komunës Kashar, qytetarët kanë gjetur përherë një staf të përkushtuar për punën, një staf model, serioz. Këto dy vjet kanë qenë një shtysë për titullarin e komunës, sepse ka gjeneruar ide e që zbatimi i tyre ka qenë përherë një premisë në dobi të shoqërisë. Lehtësimin në ushtrimin e detyrës ia siguron një koherencë e vazhdueshme të cilën ai e ka kontribut të vet, ku integritetin që ai zotëron, vlerat e larta morale, kanë dëshmuar se ai njeri është më shumë besnik i fjalës së dhënë se sa i partisë që e ka propozuar. Për këto që thamë e për vlera të tjera të cilat qytetari i njeh, duhet të votohet për  kandidatin Besnik Fuçia.  


Kush është Besnik Fuçia


I lindur në fshatin Yrshek, ai është përfaqësuesi më dinjitoz i një fisi të madh siç është fisi Fuçia.  Pinjoll i një familjeje të nderuar, që dinjitetin e ka pasur armën më të fortë të jetës, një familje  që jetën ia kishin besuar djersës së ndershme të punës. I diplomuar në Fakultetin e Bujqësisë, ai hyri në politikë me një përvojë të pasur jetësore, përvojë të cilën e kishte krijuar në disa vende pune brenda profesionit të vet. I kompletuar me arsimin e duhur, me një përvojë të pasur akademike, me disa specializime brenda e jashtë vendit, ai erdhi në politikën qeverisëse në Kashar dy vjet më parë, por që dy vjet më pas, ai sendërtoi me punën e vet modelin më të mirë të një ushtruesi të pushtetit që kjo njësi vendore ka parë në demokraci.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›