E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënon punëdhënësin me granatë, masakrohet nga shpërthimi i saj

Ka tentuar që të hakmerret ndaj pronarit që nuk i jepte paratë duke e kërcënuar me një granatë dore, por ajo i ka plasur në duar duke e gjymtuar përjetësisht çobanin 40-vjeçar nga Elbasani 

SARANDË - Ngjarja e rëndë, sipas policisë, ka ndodhur në orën 21.30 të ditës së enjte, në vendin e quajtur "Sheshi i autobusëve", në qendër të qytetit të Sarandës. Viktima Çezar Qamil Hysa, i punësuar si çoban tek një pronar në zonën e Limjonit në Sarandë, sipas mjekëve të spitalit të qytetit i është nënshtruar një ndërhyrje emergjente kirurgjikale pak çaste sapo ka mbërritur në spital. Nga shpërthimi i granatës ai ka humbur dorën e djathtë, ndërkohë që gjithçka do të saktësohet nga rezultatet e operacionit kirurgjikal. Burime policore pohojnë për Gazetën se granata luftarake e tipit GD-42, mendohet që të jetë aktivizuar pa dashje gjatë konfliktit mes punëdhënësit dhe çobanit, ose nga mosditja e përdorimit luftarak të saj nga 40-vjeçari. Por nuk përjashtohet dhe mundësia e hedhjes së qëllimshme të granatës, duke u bërë dhe vetë viktimë e saj. Burime për Gazetën konfirmojnë se ngjarja e rëndë është paraprirë nga një konflikt disaditor mes çobanit e punëdhënësit, pasi ai nuk i kishte dhënë një shumë parash për punën e kryer. Ndërsa ngjarja ka ndodhur pak momente para se punëtori sezonal të nisej pranë familjes me autobusin e linjës Tiranë-Sarandë. Burime për gazetën shtojnë se në momentin që ka shpërthyer granata, në "Sheshin e autobusëve" ka pasur shumë njerëz (disa pasagjerë të linjës), por fatmirësisht nuk ka pasur të dëmtuar të tjerë. "Isha pak metra pranë autobusit që për pak nisej drejt Tiranës. Dëgjova një shpërthim të fuqishëm shoqëruar me të thirrura e britma. Pati dhe xhama të thyer në banesat afër. Në fillim kujtuam se u hodh në erë autobusi. Nuk kuptuam gjë, u tmerruam", - pohoi një nga pasagjerët. Gjatë orëve të natës, teksa 40-vjeçari ishte në sallën e operacionit, policia administroi provat në vendin e ngjarjes dhe pyeti disa persona. Ndër të shoqëruarit, është dhe punëdhënësi, emri i të cilit nuk publikohet nga policia.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›