E Diel, 1 Nëntor 2026

Municionet në Patos, frikë nga një "Gërdec" i dytë

Nga Irma Hoxha
Prej pesë ditësh, me dhjetëra automjete ushtarake të tonazhit të rëndë qarkullojnë me ngarkesa municionesh në fshatin Grizë, që ndodhet vetëm 1 km larg Patosit e 7 km nga Fieri 

FIER -Dhjetëra automjete me municione që lëvizin këto ditë nga magazinat e repartit ushtarak Nr.43/2 në Grizë drejt Beratit dhe anasjelltas, kanë alarmuar banorët e këtij fshati dhe ata të qytetit të Patosit, nga frika e një tragjedie të mundshme me përmasat e asaj të Gërdecit. Banorë e drejtues vendorë kanë trokitur të shqetësuar tek drejtuesit e këtij reparti, ku kanë mësuar se po bëhet zhvendosja e tonelata municionesh drejt Bazës Ushtarake të Furnizimit në Berat, por asgjë më tepër. Ata i janë drejtuar gjithashtu prefektit të Qarkut të Fierit për një transparencë rreth lëvizjes së municioneve dhe sigurisë për të evituar ndonjë tragjedi me përmasa të mëdha. Por sasia e municionit, lloji i tij e destinacioni mbahen sekret, gjë që e shton më tej misterin dhe panikun e banorëve. Ushtarakë të këtij reparti pohojnë për Gazetës se në të gjitha veprimet ata janë të përjashtuar, bëhen larg tyre dhe se vetëm pak njerëz dinë se çfarë futet e çfarë del në këto magazine. "Nuk lejohet që asnjë prej nesh t'i afrohet vendit ku janë makinat. Nuk e di nëse po largohen apo po vijnë municione të tjera", - pohon ushtari K.Braha, me banim në Zharrëz.
MISTERI
Prej pesë ditësh, me dhjetëra automjete ushtarake të tonazhit të rëndë qarkullojnë me ngarkesa municionesh në fshatin Grizë, që ndodhet vetëm 1 km larg Patosit e 7 km nga Fieri dhe vetëm 100 metra poshtë fshatit. Kanë mësuar se transferohen municione të rrezikshme, ndaj janë alarmuar dhe kërkojnë siguri. Dhe një ditë më parë, në mëngjes, në këtë repart u futën 5 automjete ushtarake të tonazhit të rëndë, e pasi u ngarkuan, në orën 11.00 u larguan. "Së bashku me mjetet e tonazhit të rëndë kanë ardhur edhe xhenierë dhe asnjë nga ushtarët e këtij reparti nuk është lejuar t'i afrohet makinave dhe magazinave", - pohoi një ushtar i këtij reparti për Gazetën. Banorët thonë se janë në panik dhe për faktin se në këtë repart ka shumë armë e municione, e duhen ditë e javë për zhvendosjen e tyre, ndaj kërkojnë që të merren masa për një lëvizje të shpejtë të tyre dhe me masa të forta sigurie. "Nuk mjaftojnë 5 ditë për të larguar tonelatat me tritol, municione dhe armë që ndodhen në këtë repart. Do zoti që të largohen të gjitha e të mos na ndodhë ndonjë tragjedi", - pohon E.Ruzhdia, banor i këtij fshati. Ndërsa Lirika Semeu, banore e Grizës, këmbëngul për një ndërhyrje sa më urgjente të Ministrisë së Mbrojtjes. "Po kryhet largimi i municioneve që kanë qenë në këtë repart prej dhjetëra vitesh. Municionet po shkojnë drejt Mbreshtanit dhe Vertobit, në Berat. Nuk di çfarë lloj municionesh po largohen, si dhe a do të hiqen të gjitha. Thonë që janë të rrezikshme, por dhe se janë marrë masa!", - shton një grua oficeri, që nuk pranon të identifikohet.
ARSENALI
Pas tragjedisë së Gërdecit, për sasinë dhe rrezikshmërinë e armëve e municioneve, reparti ushtarak i Grizës është përfshirë zyrtarisht nga Ministria e Mbrojtjes në listën e zonave me rrezik të lartë. Por përtej misterit me të cilin mbështillet zhvendosja e këtij arsenali luftarak, ushtarakë dhe banorë që kanë kryer shërbim me uniformë në këtë repart, pohojnë disa nga municionet që ndodhen nëpër depo. Sipas tyre, aty janë (e po zhvendosen) mijëra ton tritol, lëndë plasëse të llojeve të ndryshme, municione të armëve të këmbësorisë, predha artilerie të kalibrave (të lehtë e të rëndë), predha antitanke etj. Banorët presin nga Ministria e Mbrojtjes zhvendosjen në një kohë sa më të shpejtë të tyre dhe masa për të evituar ndonjë tragjedi.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›