Kërkesa e IPU ndaj Spiropalit, Paloka: Berisha po persekutohet politikisht

Në një fjalim të tij në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka shprehur kritika të ashpra ndaj qeverisë së Kryeministrit Edi Rama, duke theksuar përpjekjet e tij për të mbuluar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe përndjekjen politike ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha.
Paloka ka përmendur kërkesën formale të Unionit Nderparlamentar (IPU) për dërgimin e një misioni faktmbledhës lidhur me përndjekjen e Sali Berishës, duke theksuar se Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht pjesë e mazhorancës, nuk ka kthyer përgjigje për këtë kërkesë, çka, sipas tij, tregon një qëndrim politik të urdhëruar nga Kryeministri Rama.
“Nga 30 tetori i vitit te shkuar Unioni Ndërparlamentar (IPU), organizata më e madhe ndërkombëtare ku përfaqësohen 181 Parlamente nga e gjithë bota, nëpërmjet Sekretarit te Përgjithshëm i ka kërkuar kryetares se Kuvendit te Shqipërisë të pranojë një mision fakt mbledhës për çështjen e përndjekjes së liderit të opozitës Sali Berisha! Pas më shume se dy muajsh Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë nuk ka denjuar as ti kthejë përgjigje Sekretarit të Përgjithshëm të IPU që është dhe funksionari më i lartë i Unionit! Është e qartë që kemi të bëjmë me një qëndrim politik të urdhëruar nga Edvin Rama , autori dhe ekzekutori i përndjekjes politike të Sali Berishës! Kryetarja e Parlamentit nuk do të guxonte të mbante një qëndrim te tille ndaj Organizatës më të madhe botërore Parlamentare pa qene urdhëruar nga shefi i saj politik”, deklaroi Paloka.
Në fjalimin e tij, Paloka ka theksuar se ky rast është i pari në historinë e IPU-së që një organizatë ndërkombëtare ka shqyrtuar shkelje të të drejtave të deputetëve në një shtet evropian. Ai ka vënë në dukje se ky zhvillim është një goditje për imazhin e qeverisë shqiptare dhe përpjekjeve të saj për të fshirë informacionet dhe për të shmangur përgjegjësinë për shkeljet që kanë ndodhur.
Gjithashtu, Paloka ka folur për mbështetje të fuqishme ndërkombëtare që opozita shqiptare ka marrë nga organizata si EPP, IDU dhe ICD, të cilat kanë dënuar ashpër regjimin e Ramës dhe kanë shprehur mbështetje të plotë për përpjekjet e opozitës për rikthimin e demokracisë në Shqipëri.
Në fund të fjalës së tij, Edi Paloka ka theksuar se Rama po përpiqet të fshehë abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, duke e çuar këtë çështje në një nivel ndërkombëtar që tani është bërë një shqetësim për organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.
/rtsh.al/