Debati, aleatët i kërkojnë Berishës tryezë
“E djathta aktualisht është e përçarë dhe se përgjegjësia për këtë realitet është vetëm e PD-së”
TIRANË- Aleatët e Partisë Demokratike janë përfshirë shpejt në ethet e zgjedhjeve 2009, aq sa kërkojnë me ngulm mbledhjen urgjente të tryezës së koalicionit, e cila nuk është mbajtur që pas fitores së vitit 2005. Kodi i ri Zgjedhor dhe fati i peshës politike që do të kenë në të ardhmen i kanë futur në mendime të thella partitë e djathta, ndërsa hasin në indiferencë të vazhdueshme nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Demokristianët dhe republikanët kanë kërkuar dje, përmes aktiviteteve të veçanta, zhvillimin e një takimi mes gjithë partive aleate dhe Partisë Demokratike. Ndërsa PR, për vetë pozicionin politik në të cilën ndodhet është treguar më e rezervuar në kërkesat e saj, demokristianët, të përjashtuar tashmë nga qeveria aktuale, janë shprehur se e djathta aktualisht është e përçarë dhe se përgjegjësia për këtë realitet është vetëm e Partisë Demokratike. Sipas kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, partia në pushtet po mban një qëndrim të njëanshëm dhe aspak korrekt jo vetëm me Partinë Demokristiane, por edhe me aleatët e tjerë të së djathtës. Ndoka kërkoi mbledhjen në mënyrë urgjente të tryezës politike të mazhorancës në mënyrë që të arrihet në një konkluzion në lidhje me aleancat e ardhshme para zgjedhore. Në këto kushte, ai ka kërkuar që Partia Demokratike të shprehet qartas në lidhje me marrëveshjen me Partinë Demokristiane. “Për fat të keq, Partia Demokratike pasi shkeli në mënyrë të njëanshme marrëveshjen me PDK-në për bashkëqeverisje, vazhdon të ndjekë politika joinstitucionale, duke mbështetur individë që nuk përfaqësojnë forcat politike pjesëmarrëse në koalicion”,- tha Ndoka. Për të vijuar më tej argumentin, kryetari i PDK-së tha se aktualisht në qeveri mungojnë ish- të persekutuarit, ish-pronarët, demokristianët, dhe se këto grupe, sipas tij, janë baza e së djathtës shqiptare. Ndërkohë debateve të fundit që lidhen pikërisht me Ministren e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila përfaqëson PR-në në qeveri, demokristianët i janë përgjigjur si një “sulm që po vjen nga autorët politikë të Gërdecit” . Në anën tjetër republikanët, përmes mbledhjes së kryesisë së partisë, kanë kërkuar që Kodi Zgjedhor të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe se ka ardhur koha që të përcaktohet edhe bashkëpunimi i ardhshëm i së djathtës, përmes zhvillimit të tryezave. “Është koha për të vepruar dhe për të organizuar një bashkëpunim larg spontanitetit të momentit të fundit, e cila duhet të konsiderojë gjithë përvojën pozitive të këtyre viteve, por dhe fenomenet negative që na kanë shoqëruar. E përsëris se patjetër duhet të përfitojmë nga përvojat më të mira evropiane si në organizimin e koalicioneve, por dhe të fushatës së ardhshme”,- tha kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, gjatë mbledhjes së kryesisë. Ndërsa kryetari i Asamblesë Kombëtare i PR-së, Sabri Godo, e vuri theksin në çështjen e pronës, si një nga problemet kryesore që shqetëson njerëzit.