Kërkesa e PD-së, Gjiknuri: Jo votim i emigrantëve pa dokumente shqiptare, alibi për humbjen

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Deputeti socialist Damian Gjiknuri, në cilësinë e negociuesit me opozitën për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, u shpreh sot në një intervistë televizive se në asnjë tryezë dialogu me PD, kjo kërkesë nuk është ngritur nga ata si shqetësim.
I pyetur për deklaratat nga drejtues të Partisë Demokratike që emigrantët duhet të votojnë me dokumente biometrike të shtetit ku jetojnë, Gjiknuri u shpreh se “ky është kusht mbi kusht, ose siç thotë populli “është sebep”, alibi për të mos njohur zgjedhjet”.
“Kemi rënë dakord që shtetasit duhet të votojnë me një nga dokumentet. Dhe këtë njeh ligji shqiptar. Këtë e kanë pranuar të gjitha palët. Edhe kur ishim në bisedimet pranë KQZ, e njëjta qasje ka qenë. Nuk është ngritur ndonjëherë si problem. Madje gjithmonë me njëri-tjetrin kemi thënë që kjo është absurde”, u shpreh Gjiknuri.
Nga të dhënat e bëra publike nga KQZ, rezulton se rreth 160 mijë shtetas nuk disponojnë asnjë dokument shqiptar.
Gjiknuri u shpreh se regjistrimi i tyre nuk lejohet nga platforma elektronike.
“Nëse një njeri nuk ka foto, nuk ka të dhëna, minimalisht nuk ke me çfarë ta krahasosh. Dhe hapet hapësira për abuzim. Dhe ka të bëjë me parimin: një njeri që nuk ka asnjë lidhje me territorin e Shqipërisë, s’ka ardhur asnjëherë të marrë një ID, nuk e di çfarë lloji votuesi është ky. Një shtetas shqiptar që jeton këtu nuk voton dot pa ID, pse ai që jeton jashtë e paska këtë privilegj?”, u shpreh Gjiknuri.
“Sot që flasim, nuk janë regjistruar më shumë se 55 mijë emigrantë. Ja deri në fund, me këtë ritëm, do të shkojnë 150-160 mijë. Atëherë, nga doli ky problem? A thua se mbaruan të tjerët dhe do të duhet të fillojnë nga e para”, vijoi ai.
Gjiknuri tregoi edhe se çfarë cenohet nga procesi. “Për votën e diasporës, PD kërkon komisione politike. Kjo gjë nuk do të realizohet. Do të rrezikohet edhe një pjesë e zgjedhësve. Mund të ngelen zgjedhës që duan kohë, sidomos ata që jetojnë në SHBA dhe Kanada. Por procesi do të vazhdojë; treni i diasporës do të vazhdojë dhe nuk mund ta ndalojë njeri”, u shpreh ai.
Shtyrja e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit nuk do të preket nga kjo situatë me PD. Gjiknuri u shpreh se opozita ka edhe 10 ditë kohë për të reflektuar.
“Drafti do të shqyrtohet në Komisionin e Ligjeve. Nëse duan ta votojnë, mirë; nëse nuk duan, do të jetojmë me regjimin aktual ligjor”, u shpreh ai.
Në draftin e depozituar në Kuvend, parashikohet që të afrohen me nga 10 ditë afatet për regjistrimin e listave të kandidatëve në KQZ, për t’i dhënë më shumë kohë emigrantëve të kthejnë në kohë me postë fletën e votimit, ndërsa pagesa e zarfit merret përsipër nga shteti, në të dyja drejtimet. Gjithashtu, pjesë e dakordësisë së arritur e tashmë në pikëpyetje është edhe përbërja politike e komisionit për numërimin e votës së diasporës.
/r.e/