Kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, Këshilli i Mandateve shtyn mbledhjen

TIRANË, 19 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka shtyrë mbledhjen për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe njëherësh deputetes Belinda Balluku.
Në mbledhje ishin të pranishëm drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho, si edhe prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.
Mbledhja e Këshillit u shoqërua me debate mes palëve lidhur me transparencën e procesit.
Partia Demokratike kërkoi që mbledhja të jetë e hapur për median dhe publikun, deri në momentin kur prokurorët e SPAK të paraqesin informacionin e klasifikuar si sekret hetimor.
Ky qëndrim nuk është pranuar as nga përfaqësuesit e shumicës dhe as nga prokurorët e SPAK, të cilët kanë kërkuar që i gjithë procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Kryetari i Kuvendit u kërkoi prokurorëve të SPAK të propozojnë një mekanizëm që t’u mundësojë deputetëve akses në informacionin konfidencial, pa cenuar sekretin hetimor.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi hapjen e mbledhjes dhe pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve, si dhe vënien në dispozicion të provave.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla theksoi se mbledhja duhet të jetë e mbyllur, në respekt të sekretit hetimor, dhe se në të duhet të marrin pjesë vetëm anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit.
Ardian Kalija, avokati i Belinda Ballukut, kërkoi të shtyhet me 3 javë mbledhja e Këshillit të Mandateve për t’u njohur me të gjitha aktet e SPAK.
Deputetë të mazhorancës kërkuan të pritet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së së shkallës së parë.
Përfaqësuesit e SPAK u shprehën se maksimumi mund të marrë 5 ditë kohë për t’u njohur me aktet, por avokati thotë se janë 10 mijë faqe dosje.
PS ka propozuar që mbledhja të shtyhet më datë 19 janar.
Kryetari Niko Peleshi njoftoi Këshillin për shtyrjen e mbledhjes, për t’u dhënë kohë palëve, në respekt të së drejtës së tyre kushtetuese dhe ligjore, të njihen me dokumentacionin dhe provat e paraqitura. Mbledhja e radhës e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të njoftohet në vijim./gj.m/j.p/r.e/