Kërkesa për heqjen e imunitetit të 3 deputetëve, sot pritet të reagojë Rama

Kreu i Partisë Socialiste do të reagojë do të reagojë sot në lidhje me kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë Taulant Balla, Besnik Baraj dhe Tom Doshi.
Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama deklaroi dje se “Për të sqaruar plotësisht pozicionin e deputetëve Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla në raport me ngjarjet e datës 21.01.2011, për veprën penale të “organizimit dhe pjesmarjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, lind e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj tyre”.
Sipas kryeprokurores, Prokuroria e Përgjithshme, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për procedim të 3 deputetëve socialistë.
Pas reagimit të djeshëm të deputetit Sajmir Tahiri në lidhje me kërkesën e prokurorisë, sot pritet që vetë kreu i PS-së të prononcohet në lidhje me këtë kërkesë pasi ditën e djeshme ai ndodhej në Gjermani.
Në konferencën për shtyp deputeti socialist Sajmir Tahiri tha se PS-ja është e gatshme të hiqet imuniteti i të gjithë deputetëve që kanë qënë në protestën e 21 janarit, në mënyrë që t`i hapet rrugë kështu hetimeve të ngjarjeve të 21 janarit .
Nga ana tjetër Partia Socialiste ka kërkuar nisjen e hetimeve në lidhje me ngjarjet e 21 janarit, për kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha i cili aktualisht mban postin e kreut të Bashkisë së Tiranës.