E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesë për Kryeministrin

Zyrtarët e lartë të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës: Hajredin Kuçi, nënkryetar dhe anëtarët e kryesisë, Arsim Bajrami, Fehmi Mujota, Memli Krasniqi dhe Adem Grabovci kanë kërkuar, secili veç e veç, nga Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, që të lirohen nga njëra prej përgjegjësive që bartin, në qeveri apo parlament.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, kjo kërkesë e zyrtarëve të PDK’së është parashtruar në kuadër të rritjes së angazhimeve qeverisëse dhe politike, të qeverisjes së mirë, vazhdimit dhe afirmimit të reformave demokratike të gjithanshme shtetërore, vlerësimit dhe afirmimit të energjive të reja dhe integrimit të tyre në institucione, ndarjes së përgjegjësive ekzekutive dhe legjislative.

Ndërsa, Kryeministri Thaçi ka mirëpritur gatishmërinë e zyrtarëve të lartë të PDK'së për t'u liruar prej përgjegjësive.

“Kryeministri i Qeverisë së Republikë së Kosovës, Hashim Thaçi e ka mirëpritur gatishmërinë e zyrtarëve të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, dhe i ka inkurajuar për vazhdimin e punës aktive në realizimin e reformave demokratike qeverisëse, ekzekutive dhe legjislative”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›