E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkime intensive për kapjen e Kumbaros

Njësitet policore të kriminalistikës në Scotland Yard, para dy javësh kanë nisur gjahun në kërkim të 59 vjeçarit, i cili në Angli po shfrytëzon një identitet të rremë të një shtetasi të Kosovës, Shaqa Shatri.

Ish- kryetari i Degës së Parë Operative në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë, Ilir Kumbaro u dënua vitin e kaluar me 15 vite burg, për torturim me pasoja të rënda që çoi në vrasjen e biznesmenit nga Maqedonia, Remzi Hoxha.
Detektivi Murray Duffin i Policisë Metropolitane të Londrës ka theksuar se policia po vijon kërkimet intensive për të nxjerrë para drejtësisë Kumbaron, transmeton Ina.

“Lajmi rreth burgimit në mungesë vetëm sa e forcon vendimin tonë që të ndihmojmë ta sjellim ate para drejtësisë”, ka theksuar Duffin.

Kumbaro dështoi të paraqitet para gjyqit Westminster Magistrates Court për dëgjimin rreth ekstradimit të tij në nëntor të vitit 2011.

Policia Metropolitane e Londrës ka apeluar qytetarët që nëse kanë ndonjë informatë se ku gjendet Kumbaro mund të bëjnë thirrje anonime tek Crimestoppers në 0800 555 111.

Historia e rrëmbimit

Paraditen e datës 21 tetor 1995, katër persona të prezantuar si punonjës të SHIK-ut kanë marrë me makinë biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, teksa ky i fundit ndodhej në firmën e tij të duraluminit “Albatros”.

Sipas dëshmitarëve, Remziu u fut në një makinë me ngjyrë të bardhë dhe pas askush nuk di se çfarë ka ndodhur me të. Por ato ditë u rrëmbyen edhe gazetari kosovar Avdyl Loshaj dhe biznesmeni sarandjot Ziso Kristopulli. Të mbijetuar nga torturat gjatë hetimeve të vitit 1997, ata rrëfyen se SHIK-u i kishte rrëmbyer dhe keqtrajtuar duke i akuzuar si agjentë të huaj. Për Remzi Hoxhën dëshmuan se ishte torturuar, por nuk dinin se ku kishte përfunduar.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›