Kërkohej nga Spanja, arrestohet 67-vjeçari në Fier, pjesë e një grupi kriminal

Nje 67-vjeçar, pjestar i një grupi kriminal që merrej me drogë dhe armë në Spanjë është arrestuar këtë të enjte (2 mars) nga policia e Fierit.
Policia njofton se 67-vjeçari, me iniciale Gj. P, banues në Fier ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Organizata kriminale”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, të parashikuara nga legjislacioni penal i Spanjës.
I arrestuari në bashkëpunim me shtetas të tjerë, përshtatnin ambiente të mbyllura, në qytete të ndryshme të Spanjës, për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.
Arrestimi i tij është përkohësisht në fuqi, pasi Interpol Tirana ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Spanjës. Ndërkohë, 10 ditë më parë, Policia vuri në pranga një 22-vjeçar, pjesëtar i po këtij grupi kriminal.
/rtsh.al/