Kërkohej për vrasje, arrestohet 30-vjeçari
GJIROKASTËR- Një person i shpallur në kërkim është arrestuar nga policia e Gjirokastrës mesditën e sotme. Gëzim Rizvani, 30-vjeç, lindur dhe banues në Korçë, rezulton të jetë i dënuar me 5 vjet heqje lirie, për veprat penale të "Vrasjes me dashje mbetur në tentativë dhe "Armëmbajtjes pa leje të armëve luftarake". Ngjarja për të cilën akuzohet ai ka ndodhur në muajin nëntor të vitit 2005 në vendin e quajtur "Ura e Lumit", të qytetit të Gjirokastrës, në anën e lumit Drino, në banesat provizore ku rrinë disa familje rome të ardhura nga Korça. Pas një grindjeje banale me një të afërmin e vet, me inicialet E. Q, Rizvani ka marrë një armë zjarri tip kallashnikov që e kishte në banesën e vet dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasit E.Q dhe pasi ka hedhur armën në lumë është larguar në drejtim të paditur. Në lidhje me këtë ngjarje, në vitin 2006 Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka vendosur për Rizvanin ta dënojë me 11 vjet heqje lirie në mungesë, vendim ky që është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Ndërkaq, Kolegji i Gjykatës së Lartë e ka ulur dënimin në 5 vjet heqje lirie dhe në bazë të këtij vendimi në muajin qershor të këtij viti, policia e Gjirokastrës e ka shpallur 30-vjeçarin në kërkim. Burimet policore kanë theksuar se kapja e tij u bë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative në një lokal në lagjen "18 shtatori" në qytetin e Gjirokastrës.