Policia: Në korrik, dyfishohen aksidentet me vdekje. Faji, edhe i emigrantëve
TIRANË- Numri i aksidenteve po rritet frikshëm, çdo ditë 2-3 persona mbeten të vdekur në rrugë dhe 10-ra të tjerë marrin plagë të rënda. Policia ka nxjerr sot buletinin e aksidenteve të muajtit korrik, ku thuhet se plot 48 vetë, kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë plagosur. Krahasuar me një vit më parë, numri është dyfishuar. Në korrik të 2008-ës, vdiqën nga aksidentet 25 persona dhe 33 të tjerë u plagosën.
Zëdhënësi i Policisë së Shtetit në komunikimin me median tha se "gjatë këtij sezoni nëpërmjet pikave të kalimit kufitar kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria 579 540 automjete, ose 133 mijë automjete më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Një pjesë e madhe e aksidenteve janë shënuar pikërisht nga emigrantët".
Policia e Shtetit i kërkon të gjithë drejtuesve të automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet normat e sjelljes së Kodit Rrugor, dhe të ndërgjegjësohen për pasojat e rënda që sjell mos zbatimi i këtyre rregullave për ta, pasagjerët apo qytetarët e tjerë. Policia e Shtetit do të ndëshkojë maksimalisht të gjithë ata drejtues të automjeteve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
"Aksidentet rrugore gjate sezonit turistik dhe veçanërisht ato të ndodhura ditët e fundit, kanë krijuar një situatë shqetësuese", thotë zëdhënësi Klodian Branko. Policia Rrugore, e mbështetur dhe nga policia e Rendit dhe e Forcave Lëvizëse operacionale, prej disa ditësh ka kaluar në shërbim të përforcuar, duke shtuar prezencën e saj në akset rrugore.
Gjithashtu janë ngritur disa grupe Taskë Forcë, të drejtuar nga Drejtoria e Policisë Rrugore për të operuar në të gjithë territorin e vendit. I është dhënë kompetencë Patrullave të Përgjithshme të Policisë së Shtetit për të operuar në fushën e qarkullimit rrugor.