E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po shuhen shpresat e Ramushit

Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj nuk po pret më sikur disa ditë më herët për t’u bërë kryeministër.

Kjo për shkak se nuk po merr një përgjigje pozitive nga PDK-ja sa i përket krijimit të koalicionit qeverisës.
Pas mbledhjes së kryesisë së AAK-së, Haradinaj ka thënë se u ka mbetur fare pak dozë optimizmi në atë drejtim, duke shtuar se deri më tash nuk kanë sinjale pozitive për koalicion.

Megjithatë, sipas tij, deri të hënën do të dihet saktësisht epilogu i koalicionit me PDK-në.
“Po shkojmë kah mundësia për t’i dhënë epilog mundësisë për një marrëveshje qeverisëse. Po pritet në këto ditë me i dhanë epilog. T’ju them të drejtën një dozë optimizmi e ruajmë, por nuk kemi sinjale që do të mbyllet për po”, ka thënë Haradinaj.

Duke folur rreth mundësisë së bashkëpunimit me partitë e tjera opozitare për ta rrëzuar qeverinë, Hardinaj ka theksuar se po mundohen ta zhvillojnë një politikë të pavarur karshi partive tjera politike dhe deri më tash nuk kanë ndonjë opsion për një gjë të tillë.

“Ne po mendojmë ta zhvillojmë një opsion politik që është sovran, që nuk varet nga bindjet e akterëve tjerë. Kjo oferta jonë tash është për ta ndërruar një situatë qeverisëse, në rast se nuk na jepet kjo mundësi, atëherë dëshirojmë këtë me e kërkua prej qytetarëve kur ka zgjedhje të rregullta, kurdo që vijnë. Por nuk kemi paraparë veprime tjera”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, po sot kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është takuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa. Mësohet se temë e bisedimeve ka qenë reforma zgjedhore si dhe situata aktuale në vend./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›