Kërkohet zgjatja e afatit të bonove të privatizimit

Pasi afati i përdorimit të bonove të privatizimit përfundoi më 31 dhjetor 2023, është propozzuar që ky afat të përdoret deri më 31 dhjetor 2027. Deputetja socialiste Antoneta Dhima, ka depozituar në Kuvend ndryshimet në ligjin përkatës. Ajo e argumenton këtë me krijimin e mundësive personave për t’i përdorur në disa drejtime.
Aktualisht, një numër i konsiderueshëm i objekteve që administrohen nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, organet e pushtetit vendor etj, nuk janë privatizuar ende.
Shumë prej ketyre objekteve shtrihen në tokat e pronarëve të ligjshëm, të cilëve u është njohur, apo kthyer prona me vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave. Sipas deputetes Dhima, duke qenë se pronarët e trojeve kanë të drejtën e parablerjes së objekteve që ngrihen mbi to, kjo masë do t’i ndihmojë ata për të likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve me bono apo lekë privatizimi.
Gjithashtu, punonjësit e shoqërive aksionare mund t’i përdorin bonot dhe lekët e privatizimit për blerjen e aksioneve të këtyre shoqërive. Ndërkohë, një numër i konsiderucshëm objektesh, apo banesash janë në procesin e legalizimit, nëpërmjet ALUIZNI-t dhe bonot e privatizimit mund të përdoren edhe në këtë proces.
Në privatizimin e objekteve shtetërore të dhëna me kontratë qiraje apo enfiteozë kur këto objekte u shiten drejtpërdrejt qiramarrësve, të cilët mund të paguajnë deri në 80% të vlerës me bono, apo lekë privatizimi.
Shpërndarja e bonove të privatizimit nisi në vitin 1995 me qëllim privatizimin e objekteve dhe pronave shtetërore, ndërsa që nga ai vit e deri më sot procesi ka kaluar përmes zvarritjesh dhe shtyrje me disa herë të vlefshmërisë së këtyre letrave. Aktualisht, nuk ka të dhëna zyrtare për përdorimin e tyre.
Por, sipas këtyre të dhënave që i referohen fillimit të vitit 2022, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë.
/ rtsh.al /