E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kërkojmë pension minimal 25 mijë lekë”

Flet Vangjel Kondo, kreu i Lidhjes së Pensionistëve të Shqipërisë

Albert Gjoka
“Pensioni minimal në Shqipëri duhet të jetë të paktën 25 mijë lekë”. Kjo është kërkesa që Lidhja e Pensionistëve të Shqipërisë i adreson qeverisë shqiptare, duke kërkuar edhe miratimin e një statusi të veçantë për këtë kategori të shoqërisë shqiptare. Në një prononcim të dhënë për gazetën “Albania”, kreu i kësaj shoqate, zoti Vangjel Kondo, ka analizuar gjendjen social-ekonomike të pensionistëve shqiptare. Zoti Kondi ka kërkuar nga shteti që të marrë masa për përmirësimin e gjendjes ekonomike të moshës së tretë në vend. Ai ka renditur edhe disa kërkesa të tjera, si: ngritja e qendrave të argëtimit për të moshuarit, rishikimin e çmimeve të ilaçeve apo garantimin falas të udhëtimit për të moshuarit.

Problemet
Kërkesa kryesore e pensionistëve është rritja e pensioneve. Sepse 20 për qind e pensionistëve, sipas zotit Kondo, në bazë të një studimi që është bërë, jetojnë me një pension minimal dhe mbajnë frymën e 2-3 vetave në familje. “Edhe unë e kam këtë problem social. Me paratë e pensioneve ne na duhet të paguajmë dritat, ujin, telefonin, ilaçet etj. Pensioni i mjaftueshëm për një pensionist nuk duhet të jetë më pak se 25 mijë lekë”, - ka deklaruar Kondo. Ai ka theksuar se Lidhja ka shtruar edhe kërkesa të tjera të tilla, si: në çdo qytet të ngrihen shtëpi argëtimi për pensionistët, ku të jenë të përshtatshme për të kaluar kohën të moshuarit. Çështja e transportit urban është një tjetër problem. Ne kërkojmë që pensionistët të udhëtojnë falas.

Kontributet
LPSH ka për synim mbrojtjen e të drejtave të pensionistëve, e fokusuar kryesisht te të drejtat ekonomike dhe sociale. “Që në kohën kur kanë qenë kryeministër Nano, Meta etj., ne kemi kërkuar me këmbëngulje që t’u njihen pensionistëve statusi dhe të drejtat që u takojnë. Ne e kemi shtruar në këtë mënyrë problemin: A ka mundësi dhe çfarë mundësish ka shteti që të rriten pensionet, jo një herë, por dy herë në vit? A duhet të kenë status pensionistët, siç kanë edhe disa shtresa të tjera? Për këto nuk kemi marrë ende asnjë përgjigje. Shteti ka qëndruar në heshtje dhe në pozicion mosvlerësues. Së dyti, kemi kërkuar prej vitesh që të gjithë pensionistëve t’u jepen ilaçet falas, vizitat mjekësore dhe ekzaminimet të bëhen pa pagesë etj. Ne propozuam që të gjithë të moshuarit të pajisen me një dokument, siç është libreza shëndetësore. Kjo u realizua në kohën e qeverisë socialiste”, - ka theksuar zoti Kondo. Ai ka shtuar se Lidhja, në bashkëpunim me ISSH-në, ka bërë të mundur që shumë pensionistëve t’u dërgohen pensionet në shtëpi. Këtë po e bën sot edhe Posta Shqiptare.

LIDHJA
Mbron të drejtat e të gjithë pensionistëve

Lidhja e Pensionistëve të Shqipërisë është krijuar me Vendimin e Gjykatës së Tiranës Nr. 526, datë 02.02.1996 dhe me rinovimin e dokumentacionit, sipas ligjit të ri për OJF-të, me vendimin 526/1, datë 12.04.2002. Kjo shoqatë është e regjistruar si person juridik dhe e ushtron aktivitetet e saj në të gjithë territorin e Shqipërisë. Sot kjo shoqatë ka 27 degë në rrethe dhe mbi 35 mijë anëtarë. Shoqata u krijua si një domosdoshmëri aktuale e kohës për vetë faktin se këtu të gjithë pensionistët që i përkasin moshës së tretë apo edhe të tjerët, pa asnjë dallim nga profesionet që kanë pasur, u bashkuan me dëshirën e mirë që të militonin në këtë organizatë. Së dyti, nëpërmjet kësaj shoqate, të gjithë pensionistëve t’u krijohej mundësia që të kërkonin në mënyrë institucionale të drejtat e tyre legjitime që u takojnë, ashtu si edhe qytetarët e tjerë të Shqipërisë, pa asnjë dallim. Dhe së treti, shoqata të vlerësohet jo thjesht si një shoqatë pensionistësh, por si një shoqatë ku militojnë njerëzit që kanë dhënë kontribute të çmuara për rindërtimin dhe zhvillimin e Shqipërisë gjatë gjithë jetës së tyre. Së fundi, të gjithë pensionistët të thonë fjalën e tyre deri në instancat më të larta të shtetit për problemet që u përkasin pensionistëve edhe jashtë kësaj sfere. Rasti konkret ishte pjesëmarrja e kësaj shoqate edhe në hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë. Edhe këtu ne e thamë fjalën tonë.

Bashkëpunimi
Marrëdhëniet me shoqatën e pensionistëve në Amerikë

Shoqata “Lidhja e pensionistëve të Shqipërisë”, nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Tiranë, është e lidhur edhe me shoqatën amerikane të pensionistëve “ARP”, me qendër në Uashington dhe Nju Jork. “Me këtë shoqatë jemi lidhur që nga marsi i vitit 2001. Ne kemi shkëmbyer mjaft informacione dhe literaturë, që kanë të bëjnë me politikat social-ekonomike që shteti ndjek për moshën e tretë. Nga literatura e kësaj shoqate janë bërë edhe programime nga ana jonë, duke u formuluar në propozime konkrete në adresë të qeverisë apo ISSH-së. Shoqata amerikane ka një përvojë dhe eksperiencë jashtëzakonisht të madhe në mbrojtjen e të drejtave të të moshuarve”, - thotë Kondo.

KËRKESAT E PENSIONISTËVE
1- Miratimi i statusit (ligjit) të pensionistëve
2- Rritja e pensioneve në masën 25 mijë lekë
3- Ngritja e qendrave të argëtimit në çdo qytet
4- Garantimi i transportit urban falas për pensionistët

5- Ulje të çmimit të ilaçeve, vizita mjekësore falas

25 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›