E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akti për ushtarakët “rrëzon” maxhorancën



TIRANË – Kërkesat e komunitetit të ushtarakëve rrëzojnë maxhorancën. Gjatë votimit në seancë, në orët e para të ditës së djeshme, Akti Normativ mori 70 vota pro dhe 1 kundër, duke reflektuar rrjedhje të ndjeshme votash. Votimi i tij në Kuvend ishte urgjent për qeverinë, pasi sot mbush 45 ditë nga miratimi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, gjë që do të sillte pavlefshmërinë e tij sipas Kushtetutës. Që prej datës 10 nëntor të këtij viti, kur qeveria miratoi në “vendim në urgjencë” për të penalizuar ushtarakët, është shtyrë disa herë përfshirja në seancë për shkak të qëndrimeve kundër që kanë pasur deputetë brenda maxhorancës.

Votimi
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm kaloi për votim në seancë Akti Normativ i Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 10142, datë 15.5.2009, ‘Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipëris뒔, pa u miratuar në Parlament. Ndonëse, në sallë ishin të pranishëm edhe deputetë të opozitës, ata nuk morën pjesë në votim. Pas votimit, 70 deputetë votuan pro Aktit të paraqitur nga qeveria, ndërsa një deputet i maxhorancës votoi kundër. E gjithë maxhoranca ka 75 mandate në Kuvend, gjë që flet për një rrjedhje.

Akti
Nëse nuk do të miratohej në seancën parlamentare të nisur ditën e enjte dhe të përfunduar në orën 5:30 të ditës së premte, Akti Normativ i Këshillit të Ministrave do të ishte nulifikuar. Sipas Kushtetutës, Akti është i vlefshëm kur ai votohet në Kuvend brenda 45 ditësh nga dita e miratimit në Kuvend. Sipas ligjit themeltar të shtetit, përcaktohet mënyra e nxjerrjes së një akti normativ dhe procedurat për ligjshmërinë e tij: “Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve”, - thuhet në Kushtetutë. Qeveria nuk ndoqi rrugën e përgatitjes së një ligji, por e konsideroi çështjen e pensioneve të ish-ushtarakëve si emergjente dhe përgatiti Aktin Normativ, i cili bie ndesh me Statusin e Ushtarakut dhe kuadrin ligjor në tërësi që ka të bëjë me të drejtat e këtij komuniteti.

Krisja
Edhe brenda maxhorancës ka pasur përplasje përsa i përket miratimit të Aktit Normativ. Vetë LSI-ja nuk ka qenë dakord me rrugën e ndjekur nga kryeministri. Deri pak ditë më parë kjo forcë politike ka pasur hezitime, pasi një pjesë e elektoratit të saj i përket komunitetit të ushtarakëve. Madje, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, LSI-ja ka qenë e vetmja forcë që ka paraqitur një platformë për zgjidhjen e problemeve ligjore dhe social-ekonomike të kësaj shtrese, e cila, ndonëse mbrojtje legjislative përmes statusit, asnjë prej qeverive që kanë qenë në pushtet nuk ka plotësuar detyrimet ligjore ndaj këtij komuniteti.
Partia Socialiste e ka konsideruar antikushtetues Aktin Normativ dhe ka deklaruar se me të ardhur në pushtet do ta rrëzojë. Edhe në seancën e zhvilluar në Komisionin Parlamentar për Çështjet Sigurisë Kombëtare, deputetët socialistë shprehën qëndrimin e tyre kundër dhe bojkotuan seancën.

REAGIMET NË SEANCË

Ridvan Bode
Akti Normativ për 7400 ish-ushtarakë

Ky debat nuk ka të bëjë me ushtarakët në detyrë dhe ata në pension, por ata 7400 që kanë dalë në pension në moshën 40-vjeçare, që përbëjnë një grusht votash, sipas opozitës, që mund të futen në xhepin e votave që përpiqen të mbledhin. Jeni të gatshëm të fusni në konflikt social edhe ushtarakët brenda për brenda. Për një grusht votash nuk keni as parime dhe as moral. Kërkoni të vrisni shpresën e 540 mijë pensionistëve, sepse me këtë fond që do të kursehet mund të shtohen pensionet e fermerëve, të arsimtarëve, mjekëve. Ju keni psikologjinë e Bllokut dhe të privilegjeve. Ju krijoni dhe mbroni kastat”, - shtoi ai.

Pandeli Majko
Ligji i 2005-s, me asistimin e NATO-s

Ish-ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, ka kundërshtuar ministrin Bode duke deklaruar se ligji për pensionet e ish-ushtarakëve, i miratuar në 2005-n, kur PS-ja ishte në pushtet, ishte miratuar me 100% të votave, edhe nga vetë Bode. Sipas tij, ky ligj është bërë nën asistencën e NATO-s. “Ministri Bode gënjen. Na thatë se ne socialistët, në maj të 2005-s, duke ikur, miratuam një ligj që ishte një bombë për sistemin e sigurimeve në Shqipëri. Ligji i 2005-s është ligji fundor për pensionet e ish-ushtarakëve dhe është bërë me asistimin e NATO-s. Ne kishim miratuar pensionet suplementare për forcat ajrore, pastaj për nënujësit dhe në 2005-n, pa asnjë votë kundër, miratuam ligjin që Bode e konsideroi si bombë” - theksoi Majko.

AKTI NORMATIV
(Sipas Kushtetutës)

Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.

FINANCA
Analiza e Aktit Normativ

Ministria e Financave, në një deklaratë për shtyp të shpërndarë më 23 dhjetor ka sqaruar se përse është i drejtë miratimi i Aktit Normativ, i cili ndryshon Ligjin Nr. 10142 për pensionet suplementare. Sipas Ministrisë së Financave:

1- Ligji që është çuar në Parlament përmes Aktit Normativ, prek interesat e vetëm 7400 ish-ushtarakëve, nga 540 mijë pensionistë që aktualisht trajtohen me pagë pleqërie në Republikën e Shqipërisë dhe synon të vendosë drejtësi sociale dhe trajtim të barabartë para ligjit përsa i takon trajtimit të shtetasve shqiptarë.

2- Pensionet suplementare nuk janë një kontribut i paguar nga të punësuarit, por është një fond i alokuar nga buxheti i shtetit për trajtimin preferencial të ish-ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm.

3- Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, vetëm 7400 persona përfitonin një shumë prej 1.2 miliardë lekësh në vit. Duke iu referuar këtij vendimi, Ministria thekson gjithashtu se vetëm gjysma e fondit me të cilin sot shpërblehen 11 517 persona, të cilët trajtohen me pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi si ish-ushtarakë, është sa dyfishi i fondit të pensioneve që sot u shpërndahet 180 mijë pensionistëve në fshat.

4- Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, një ish-ushtarak që nuk ka plotësuar moshën për pension dhe ka vetëm 27 vjet punë, përfiton një pagë mujore të barabartë me 107 300 lekë (të rinj) në muaj. Kjo kur një nënë që ka punuar 27 vjet dhe nuk ka plotësuar vitet për pension, merr, sipas ligjit, vetëm 7960 lekë. Ndërkohë që qeveria ka kompensuar nga buxheti i shtetit diferencën për të garantuar një pension prej 11 400 lekësh për këtë kategori.

5- Përveç pagës prej 107 300 lekësh të rinj, buxheti i shtetit paguan për ish-ushtarakët që trajton me pension të parakohshëm edhe 11.2% si kontribut për vjetërsi, derisa këta shtetas të plotësojnë vjetërsinë për të përfituar pensionin e pleqërisë, duke shtuar në këtë mënyrë një kosto për buxhetin edhe më të lartë se paga që raportojmë në këtë deklaratë.

25 Dhjetor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›