E Diel, 1 Nëntor 2026

Akti Normativ do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese



Kadri MUKA

Cenimi i të drejtave të fituara
Deri sot janë miratuar dy statuse, tre ligje të sigurimit shoqëror suplementar, katër ligje për disa ndryshime e shtesa në ligjin e sigurimit shoqëror suplementar, një akt normativ dhe katër vendime në zbatim të tyre. Të gjitha këto kanë ndjekur të njëjtën linjë: linjën e mosrespektimit dhe moszbatimit të të drejtave të fituara me status apo me ligje të mëparshme. Së drejtës për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, veç vjetërsisë 12 vjet femra dhe 15 mashkulli, në të gjitha ligjet e ndryshimet ligjore është shtuar edhe kushti i moshës. Masa e këtij pensioni, nga 50% e pagës mujore (pagës referuese) për 12 vjet femra e 15 mashkulli dhe 2% e kësaj page për çdo vit tjetër shërbimi, përcaktuar nga statusi, ka kaluar nga kufizimi në kufizim. VKM Nr. 225, datë 29.5.1992, “Për trajtimin financiar të ushtarakëve që dalin në lirim nga zbatimi i reformës në strukturat e Forcave të Armatosura”, që pagës mujore i hoqi shtesat për gradat, vjetërsinë dhe vështirësinë, masën e vendosi në 60% të pagës neto, shtesën e 2 përqindëshit e vendosi në kufijtë e jo më shumë se 20% të shtesës. Ligji i 13 marsit 1996 i sigurimit shoqëror suplementar, të drejtën e këtij pensioni e njohu në rastin kur ushtaraku ka jo më pak se 3/4 e vjetërsisë në punë si ushtarak. Kësaj i shtoi shërbimin jo më pak se 2 vjet shërbim me status, si dhe plotëson moshën 50-55 vjeç femra dhe 53-59 vjeç mashkulli. Masën e kufizoi në 25% të pagës mesatare mujore neto të vitit të fundit të shërbimit për 15 vjet shërbimi. Për çdo vit tjetër masën e uli në 1% të pagës mesatare mujore neto e vitit të fundit të shërbimit, pa kaluar gjithë masa e pensionit 50% të pagës mesatare mujore neto të vitit të fundit të shërbimit. Me gjithë përmirësimin që i bëri këtij deformimi dhe mohimi të së drejtës së fituar me ligj organik, ligji i korrikut 1999, për disa shtesa e ndryshime në ligjin e 1996-s, nuk arriti në parametrat e statusit. Ai ndryshoi moshën 42 vjeç femra e 47 mashkulli dhe vendosi trajtimit 3 vjet femra e 2 vjet mashkulli me pagë kalimtare. Po ashtu kufizoi masën e pensionit mbi 12 e 15 jo më shumë se pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi. Përveç këtyre mohoi edhe të drejtën e pensionit në rast punësimi. Të njëjtat defekte reflektoi dhe ligji i 20 majit 2005. Edhe pse statusi i 23 marsit 2004 përligji të drejtën e pensionit të parakohshëm menjëherë me daljen në rezervë, shfuqizoi kufizimin mbi skemën dhe mosndërprerjen e pensionit në rast punësimi, apo shpërblimin e ushtarakëve që nuk plotësojnë kushtet për pension të parakohshëm, ligji më sipër nuk i përfilli ato. Ai riktheu pagën kalimtare, vendosi moshën 44 dhe 47 vjeç dhe kufizimin në katër pensione bazë. Ligji i 16 shkurtit 2006 që bëri ndryshime në ligjin e 2005-s i ndau ushtarakët në para e pas statusit të 2004-s, shkallëzoi kufizimin e masës së pensionit me grada dhe kufizimin e tij në rast punësimi. Më skandaloz dhe më i dhunshëm në mohimin e të drejtave të fituara me status e ligje të mëparshme u tregua ligji i fundit, ai i 15 majit 2009. Ky ligj, në 19 dispozita të tij cenoi ndjeshëm të drejtat e fituara dhe kufizoi masën e pensionit të parakohshëm sa dy pensione bazë. Pagën referuese të çastit të lindjes të së drejtës e zëvendësoi me pagën mesatare referuese të të gjithë karrierës, ndërkohë që akti normativ i para pak javësh uli përqindjen e përfitimit mbi vjetërsinë bazë nga 2% në 1.5% dhe pagën mesatare referuese e zëvendësoi me pagën mesatare neto.
Trajtimi me pension suplementar pleqërie, i vendosur në masën 40% të masës së pensionit të pleqërisë për 12 vjet femra e 15 mashkulli dhe 2% të këtij pensioni për çdo vit tjetër, por pa kaluar 60% të pensionit të pleqërisë, përcaktuar me ligjin e 20 majit 2005, u ul në 50%, pra 10% më pak nga ligji i 16 shkurtit 2006. Ligji i 15 majit 2009 nuk u mjaftua me kaq. Çështjen e ktheu në pikën e fillimit të 1996-ës me 1% të pagës mesatare referuese të të gjithë karrierës dhe jo më shumë se 50% e masës së pensionit të pleqërisë.
Derdhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore për periudhën e trajtimit me pagë kalimtare dhe pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi për efekt të njohjes vjetërsi shërbimi nga me pagë referuese, nga ligji i 16 shkurtit 2006 u kthye me pagë minimale në shkallë vendi për ushtarakët e periudhës 1.10.1993 deri 31.12.1998. Po këtë fat u rezervoi ky ligj edhe atyre që nuk plotësojnë kushtet për pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
E drejta për lehtësi në taksa e tatime e përligjur që më 3 korrik 1991 nuk u respektua kurrë. Ajo u eliminua që me vendimin 225 të 1992-shit dhe nga ligjet e mëvonshme, përfshi këtu edhe nga statusi i 23 marsit 2004. Këtë fat pati ndihma në të holla për familjet e ushtarakëve të shërbimit aktiv që kanë të ardhura për frymë nën nivelin minimal të jetesës. Përparësia në pagë që u njoh prej 3 korrikut 1991, me VKM të pas 2004-s, përfundoi në raport diskriminues për ushtarakët krahasuar me pagat e punonjësve të Policisë Shtetit, Burgjeve, zjarrfikësve, Gardës, SHISH dhe SHKB. Sot ushtarakët, edhe në fund të karrierës, sipas gradave, marrin 8 000 deri në 16 000 lekë më pak nga sa marrin homologët e mësipërm në çastin e gradimit. Këtë fat pësoi edhe njohja vjetërsi pune periudha e trajtimit me pagë papunësie të bashkëshortes apo bashkëshortit të ushtarakut, e cila nga 15 u ul në 7 vjet.
Përkeqësimi i situatës më drastike e më dramatike e bëri ligji i 15 majit 2009. Absurdi arrin deri aty sa në kundërshtim me nenin 12 dhe kreun XV të Kushtetutës që i japin pozitë kushtetuese Forcave të Armatosura dhe me pikën 3 të nenit 2 të ligjit për shërbimin civil, që fikson se: “Marrëdhëniet juridike të pjesëtarëve të FA rregullohen me dispozita të veçanta ligjore”, i barazon në trajtim me punonjësit e Policisë së shtetit, Policisë Burgjeve, Zjarrfikëse dhe me ata të Gardës, SHISH dhe SHKB marrëdhëniet e të cilëve rregullohen me statusin e nëpunësit civil apo me Kodin e Punës.
Nuk janë pak, por 19 dispozita brenda 32 neneve të tij që cenojnë dhe mohojnë të drejtat e fituara me status dhe me ligjin e 2005-s, të ndryshuar me ligjin e 2006-s të sigurimit shoqëror suplementar. Ky ligj, që pa asnjë rezervë mund të quhet famëkeq pas atij të 13 marsit 1996, mohon të drejtën që vjetërsia e shërbimit mbi 6 muaj të quhet vit i plotë. Pagën referuese të çastit të lindjes të së drejtës e zëvendësoi me pagën mesatare të qëndrimit në gradë apo funksion për gjithë karrierën. Në vend të shpërblimit në aq paga sa vjetërsi shërbimi ka ushtaraku që del në rezervë a lirim e nuk plotëson kushtet për pension të parakohshëm riktheu pagën kalimtare. Ai përjashton të drejtën e përfitimit të pagës kalimtare në rast vepre penale, mase disiplinore apo kërkese për nxjerrjen në rezervë. Pagën kalimtare e jep pas dy muajsh dalje në rezervë a lirim, në emër të shpërblimit të dy paga mujore. Masën e pensionit të parakohshëm e kufizon në masën e dy pensioneve bazë dhe në rast punësimi në një pensioni bazë. Pas ndërprerjes së punës, të drejtën e pensionit të parakohshëm e jep jo menjëherë, por pas dy vjetësh ndërprerje të punës. Pensionin suplementar të pleqërisë e kthen në 1% të pagës mesatare referuese për vit shërbimi pa kaluar 50% të pensionit të pleqërisë. Pensionin suplementar të invaliditetit nga 2% të pagës referuese e vendos në 1% të pagës mesatare referuese për çdo vit shërbimi. Pensionin suplementar familjar për ushtarakun që humbet jetën në detyrë nga 100% të pagës referuese e zbret sa diferenca ndërmjet pagës referuese dhe pensionit familjar. Kontributet për periudhën e trajtimit me pagë kalimtare e pension të parakohshëm në rast punësimi i fikson paga minimale. Përfitimet kur kërkohen më vonë se një vit nga data e lindjes të së drejtës, i njeh vetëm nga data e kërkesës. Përfitimet e caktuara, por të dhëna më pak sipas tij, nuk mund të tërhiqen për më shumë se një vit.
Siç shihet, ndryshimet ligjore e nënligjore në asnjë rast nuk kanë qenë në koherencë me parimin kushtetues të shtetit të së drejtës, parimin e sigurisë juridike. Ky parim sanksion se, rregullimet ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e shtetasve duhet të kenë qëndrueshmëri të mjaftueshme që siguron vijimësinë e tyre. Si rregull, nuk mund të mohohen interesa dhe pritshmëri të ligjshme të qytetarëve nga ndryshimet në legjislacion dhe shteti duhet të synojë të ndryshojë një situatë të rregulluar më parë vetëm nëse ndryshimi sjell pasoja pozitive, konkretisht trajtim më të mirë financiar për subjektet përfituese.

Trajtimi me ligje të shfuqizuara
Tipar dallues në qëndrimin ndaj ushtarakëve ka qenë dhe vazhdon të jetë trajtimi me ligj të shfuqizuar. Një absurditet tjetër ky që i ka fillesat nga data 14 maj 2004, kur sipas nenit 49 të statusit të ushtarakut të 23 marsit 2004, shprehja “por jo më shumë se pensioni maksimal i pleqërisë në shkallë vendi” e germës “b”, të nenit 11, të Ligjit Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar dhe të gjitha aktet ligjore e nënligjore në kundërshtim me këtë status u shfuqizuan. Pavarësisht këtyre, prej kësaj date e në vijim pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi vazhdoi të jepet pa këtë shfuqizim. Ushtarakët e para 1991-shit nuk ushtruan të drejtën për pension suplementar pleqërie. Më 1 janar 2006 hyri në fuqi ligji i 20 majit 2005 i sigurimit shoqëror suplementar. Ky ligj, me nenin 33, përjashtoi trajtimin e ushtarakëve të Forcave të Armatosura me Ligjin Nr. 8087, datë 13.03.1996, i ndryshuar. Megjithatë, trajtimi vazhdoi me këtë ligj të shfuqizuar. Po me këtë ligj të shfuqizuar u vazhdua edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të 16 shkurtit 2006, datë 16 prill 2006 deri më 1 korrik 2009, kur hyri në fuqi ligji më i fundit, Ligji Nr.10142, datë 15.05.2009. Pas kësaj date trajtimi u pezullua dhe vazhdon mostrajtimi i ushtarakëve, që e drejta u ka lindur para e pas kësaj date .
Ky lloj trajtimi që është tipik vetëm për Shqipërinë, i kundërqëndron deklarimeve për tolerancën zero në zbatimin e ligjit dhe respektimin e shtetit ligjor. Ai ndan përfundimisht demagogjinë pushtetare nga realiteti, ku në vend të ligjit në fuqi për mbi 6 vjet me ushtarakët aplikohet e zbatohet ligji dhe dispozitat ligjore që janë shfuqizuar. Një krim i pastër ligjor ky, i toleruar dhe i pandëshkuar, që i kundërvihet hapur shtetit ligjor.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese
Si për asnjë grup social dhe për asnjë problem tjetër në Shqipëri nuk ka dy vendime të Gjykatës Kushtetuese. Në harkun kohor 26 shkurt 2007 deri më 24 qershor 2010, për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura kemi Vendimin Nr.9, datë 26.02.2006 dhe Vendimin Nr.33, datë 24.06.2010. I pari shfuqizoi si në papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës ndarjen e trajtimit të ushtarakëve në para e pas datës së hyrjes në fuqi të statusit të ushtarakut të 2004-ës; derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga buxheti i shtetit me pagë minimale për ushtarakët e periudhës 1.10.1993 deri 31.12.1998, si dhe zëvendësimin e 1 janar 2006 me “16 prill 2006”, që bënte ligji i 16 shkurtit 2006 në ndryshim të ligjit të 20 majit 2005. I dyti, Vendimi Nr.33 i 24 qershorit 2010, shfuqizoi si antikushtetues, kufizimin e masës së pensionit të parakohshëm sa dy pensione bazë përcaktuar me VKM, dhe mohimin e të drejtës së trajtimit të ushtarakëve të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për krime me dashje.
Të dy këto vendime patën të njëjtin fat, fatin e moszbatimit. I pari nuk u zbatua deri në miratimin e hyrjen në fuqi të ligjit të 15 majit 2009, por edhe pas hyrjes në fuqi të tij. Ligji shpërfilli këtë vendim dhe për këtë arsye dy nene të tij u shfuqizuan antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese. I dyti edhe pse kishte tre muaj nga hyrja në fuqi, VKM i miratuar pas kësaj periudhe, në vend të zbatimit, vendosi moszbatimin e tij dhe zbatimin e ligjit pa shfuqizimet e bëra nga Vendimi Nr.33, datë 24.06.2010 i Gjykatës Kushtetuese. Në vend të zbatimit, ai vendosi që: “Deri në reflektimin ligjor të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfitimet dhe efektet financiare që rrjedhin prej tyre, llogariten dhe zbatohen sipas ligjit Nr. 10142, datë 15.5.2009, pa ndryshime”.
Turravrapi dhe vendosmëria e moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ndalet me kaq. Ai shkoi edhe më tej. Këshilli i Ministrave para pak javësh miraton aktin normative me fuqinë e ligjit. Nëpërmjet tij ai, bën nul Vendimin Nr.33, datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese, dhe rikthen trajtimin e ushtarakëve në para e pas hyrjes në fuqi të ligjit, shfuqizuar nga vendimi Nr.9, datë 26.02.2007 i Gjykatës Kushtetuese. Me papërgjegjshmërinë ekstreme maksimale ndërhyn në ligj për ta përkeqësuar me bindjen e plotë se po shkel Kushtetutën dhe po sfidon vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij akti normative, masa e pensionit të parakohshëm për çdo vit mbi 12 vjet femra e 15 vjet mashkulli nuk do jetë 2% e pagës mesatare referuese, por 1.5% e pagës mesatare neto të qëndrimit në karrierë.
Këshilli i Ministrave vendos veten mbi Kushtetutën, mbi Gjykatën Kushtetuese dhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke realizuar njëherazi puç kushtetues dhe institucional.

Box 1
Propozime për rrugëzgjidhje

1. Të bashkohen në një organizim të vetëm në kuadër të AKUSH-it të gjitha shoqatat e ushtarakëve; të unifikohen veprimet e qëndrimet me shoqatat e tjera të ushtarakëve që nuk janë bërë pjesë e AKUSH-it dhe të bashkëpunohet për aspekte të veçanta edhe me sindikatat dhe shoqatat e Policisë.

2. T’i kërkohet qeverisë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

3. Të sensibilizohen të gjitha institucionet e huaja dhe ambasadat e akredituara në vendin tonë.

4. Të kërkohet në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimi si antikushtetues i VKM dhe Aktit Normativ.

5. Të paditet penalisht ISSH për shkeljet ligjore në trajtimin e ushtarakëve me pension të parakohshëm dhe pensionet suplementare.

6. Të nxiten ushtarakët drejt gjykatave, në mbrojtje të të drejtave të cenuara e të mohuara dhe tu ofrohet atyre ndihma e nevojshme juridike.

7. T’i kërkohet Gjykatës së Strasburgut për të paditur shtetin shqiptar për shkeljen e të drejtave dhe mohimin e tyre.

25 Dhjetor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›