E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë Shef

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të përcaktohet në mbledhjen e radhës për emrin e njeriut që do ta drejtojë Grupin e saj Parlamentar.
Aktualisht përmenden disa emra si opsione të mundshme për të marrë këtë pozitë, mirëpo ende asgjë zyrtare nuk ndodhet në tavolinën e Kryesisë së LDK’së, organ ky që vendos për emrin e drejtuesit të Grupit Parlamentar.

Ish-drejtuesi i Grupit të LDK’së në Parlamentin e Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo çështje duhet të përmbyllet shpejt.

“Besoj se kjo çështje do të përmbyllet javën e ardhshme”, ka deklaruar ai për Express, të shtunën.

“Unë si ish-Shef i Grupit Parlamentar kam të drejtën e propozimit të emrit që duhet të më zëvendësojë në këtë pozitë”, ka shtuar Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili të mërkurën u emërua në postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente.

Burime të Express, në kushte anonimiteti, kanë treguar se aktualisht përmenden tre emra për këtë pozitë.
Sabri Hamiti, Ismet Beqiri dhe Alush Gashi.

Mirëpo, Lutfi Haziri nuk ka dashur të flasë rreth emrave të mundshëm.

“Asgjë nuk mund të thuhet aktualisht. Kjo çështje nuk është mbyllur ende”, ka thënë ai.

Pozita e Shefit të Grupit Parlamentar të LDK’së ka rëndësi të madhe për funksionimin e koalicionit aktual qeverisës. Pikërisht për këtë shkak duket se edhe PDK do të ketë “gisht” në emërimin e zëvendësuesit të Lutfi Hazirit. Shpeshherë gjatë dy vjetëve të kaluara janë vërejtur çarje në Grupin Parlamentar të LDK’së, kur në rend dite të Parlamentit të Kosovës kanë qenë çështje të ndjeshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›