Kërkon demokraci

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO) në Kosovë, Pieter Feith ka bërë thirrje që rivotimi i së dielës në Skenderaj, Drenas, Deçan që të kryhet në mënyrë demokratike.
Feith ka thënë se mbajtja e rivotimit në këto komuna është një mënyrë e mirë për t’i korrigjuar parregullsitë që kanë ndodhur më 12 dhjetor.
Në një deklaratë për media, dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, ky zyrtar ndërkombëtar ka thënë zhvillimi i këtyre zgjedhjeve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.
Ai ka thënë se udhëheqësit politikë të Kosovës kanë përgjegjësi të veçantë dhe personale për të parandaluar mashtrimet dhe kërcënimet.
“Përfitimi afatshkurtër në llogari të reputacionit ndërkombëtar të Kosovës është i pamatur në veçanti në kohën kur Kosovës i nevojitet përkrahje e mëtejme ndërkombëtare dhe europiane. Qytetarët e Kosovës me të drejtë orvaten për kushte më të mira jetese”. Ka thënë ai.
Përfaqësuesi më i lartë ndërkombëtar në Kosovë ka theksuar se vendit i duhet një qeveri e re kredibile, e pastër dhe e aftë, si dhe e gatshme për t’u ballafaquar me sfidat e vështira që ndodhen para saj, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare.
“Votimet e 12 dhjetorit të vitit të kaluar janë mbajtur në një atmosferë kryesisht konstruktive. Megjithatë, ka pasur parregullsi. Qytetarët e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë Bashkimin Europian, nuk mund t’i pranojnë këto parregullsi. Rivotimet e pjesshme të urdhëruara nga Paneli i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa është një mënyrë për t’i korrigjuar ato. Kosovës i duhet një Kuvend kredibil dhe një Qeveri kredibile”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e Feithit.
Bashkësia ndërkombëtare, e në veçanti përmes misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, sipas tij, do të përcjellë se çka do të ndodhë të dielën., ka thënë ai.
Feith ka theksuar se është e nevojshme që këto zgjedhje t’i përcjellë një atmosferë konstruktive për të cilën kontribuojnë të gjithë aktorët politikë.