E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX ngrit aktakuzë për krimet e luftës

Sipas AFP që thotë se e ka parë aktakuzën në verzionin shqip, thuhet se Sabit Geci e RIza Alija akuzohen për “krime lufte kundër popullatës civile të kryera në dy kampe të UÇK-së në Shqipëri”. Nga Express më 08 janar 2011 në ora 11:30

Prokurori amerikan në kuadër të EULEX-it, Robert Dean, tashmë ka ngritur aktakuzë për krime lufte ndaj Sabit Gecit dhe Riza Alisë.

“Kampet në Kukës dhe Cahan të krijuara nga UÇK-ja thuhej se shërbenin për logjistikë e trajnime, por dy të akuzuarit i përdornin ato për t’i mbajtur civilët dhe personat që nuk merrnin pjesë në luftë”, citon aktakuzën AFP.

Sipas aktakuzës së Dean, Geci e Alija akuzohen se i mbajtën kosovarët që ikën nga konflikti dhe dyshoheshin për bashkëpunim me regjimin serb ose që kishin pikëpamje të ndryshme politike me ato të UÇK-së.

Aty thuhet se të dy ishin direkt të përfshirë në urdhërimin dhe pjesëmarrjen në keqtrajtimin e personave që mbaheshin në këto qendra mbajtjeje, nga fundi i marsit ose fillimi i prillit e deri në qershor 1999.

“Civilët vazhdimisht goditeshin me shufra të llojeve të ndryshme, rriheshin, keqtrajtoheshin dhe abuzoheshin verbalisht. Mbaheshin në vende të ndyra dhe në kushte aspak shëndetësore. Nuk u jepeshin ushqim, ujë apo trajtim mjekësor”, thuhet në aktakuzë.

Dokumenti përshkuran një incident në Kukës ku dy të burgosur u urdhëruan të vishnin xhaketa anti-plumb dhe më pas u vranë nga një njësit qitës, si mënyrë e torturës.

EULEX-i ka vendosur që gjyqësori i Kosovës ka juridiksion për çështjen, edhe pse krimet e supozuara kanë ndodhur në Shqipëri.

Misioni evropian i sundimit të ligjit ka marrë dëshmitë e 20 të burgosurve, identiteti i të cilëve nuk bëhet publik. Ata thonë se kanë pësuar trauma të mëdha fizike dhe psikologjike për shkak të kushteve ku janë mbajtur dhe rrahjeve e torturave. Emrat e tyre janë të koduar në mënyrë speciale, në aneksin konfidencial të aktakuzës, në mënyrë që gjykata të ruajë identitetin e tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›