E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ma n`fund

Që nga janari i këtij viti, ka filluar zbatimi i Ligjit për duhanin. Gjithsej 15 lokale kanë filluar aplikimin e tij. Sipas Ligjit, gjoba për pronarët e lokaleve dhe përgjegjësit e institucioneve, është nga 3 mijë deri në 5 mijë euro. Për prodhuesit dhe importuesit e duhanit nga 5 mijë e deri në 10 mijë, kurse për qytetarët 20 euro. Pronarët kanë filluar të shqetësohen për rënie të punës. Nga Lirita Halili më 08 janar 2011 në ora 09:40

Ndonëse ekziston, ai deri më tash nuk ka nisur të aplikohet.

Pavarësisht reklamave të shumta, si dhe miratimit të Ligjit për duhanin, ky ligj ende nuk po gjen zbatim në Kosovë. Ky ligj është miratuar qysh në vitin 2005 nga Parlamenti i Kosovës. Megjithatë, zbatueshmëria e tij, deri më sot, ka qenë nën zero. Madje, deri më tash, nuk ka as ndonjë ndëshkim kundër atyre që pinë duhan në hapësirat publike.

Kjo mund të vërehet më së miri, nëpër të gjitha kafiteritë dhe restorantet e Kosovës.
Secili pi duhan, edhe pse nëpër muret e disa lokaleve, është e vendosur shenja që një gjë e tillë nuk lejohet. E përveç popullit, Ligji për duhan, nuk zbatohet as nga vetë miratuesit. Deputetët duhanpirës, sa herë që kanë pushim përgjatë seancës plenare, dalin me vrap, në korridorin e objektit të Parlamentit, për ta ndezur një cigare. E përveç Parlamentit, në Kosovë, duhani pihet në spitale, në ordinanca private, dhoma të mjekëve, nëpër objektet komunale, e në shumë vende të tjera. Megjithatë, kësaj dukurie po i vjen fundit. Pas shumë zvarritjesh e ndryshimesh, ky ligj ka nisur të fuqizohet.

Ilirjana Zymberaj, shefe e Inspeksionit Sanitar në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se nga fillimi i këtij viti, inspektorët kanë filluar të marrin masa ndëshkuese, të cilat janë të përcaktuara në Ligjin për duhanin.

“Sepse ka gati tri vjet që ne kemi nisur me formën këshilluese për pronarët e lokaleve. I kemi njoftuar hollësisht për këtë ligj. Ndërsa që tani ne do të fillojmë me masa ndëshkuese”, tregon Zymberaj për Express.

Sipas kryeinspektores Zymberaj, në mënyrë që zbatueshmëria e këtij ligji të ketë efekte të menjëhershme, ajo ka mbledhur gjithsej 70 inspektorë, të cilët do të bëjnë kontrollimin e lokaleve. “Këta inspektorë i kam nëpër gjithë Kosovën. Megjithatë, zbatimi i këtij ligji është përgjegjësi edhe e inspektorëve të tregut, arsimit, shëndetësisë, në mënyrë që të vihet një kontroll nëpër të gjitha vendet publike”, sqaron ajo.

Sidoqoftë, Zymberaj thotë se tashmë pronarët e lokaleve hoteliere kanë filluar të vetëdijesohen për respektimin e Ligjit për duhanin. “Ka lokale që kanë filluar zbatimin e ligjit që nga dita e enjte. Janë diku 15 sosh. Pronarët kanë ardhur direkt te ne për të pyetur lidhur me kushtet të cilat ata duhet plotësuar”, tregon Ilirjana Zymberaj.

E nëse Ligji nuk përfillet nga pronarët e lokaleve dhe përgjegjësit e institucioneve, Zymberaj thotë se pason dënimi me të holla. “Dënimi për pronarët dhe përgjegjësit e institucioneve është nga 3 mijë deri në 5 mijë euro. Ndërsa për prodhuesit dhe importuesit e duhanit gjoba nis nga 5 mijë e deri në 10 mijë euro”, pohon kryeinspektorja Zymberaj, sipas së cilës, nuk janë vetëm pronarët dhe përgjegjësit ata të cilët do të gjobiten. “Nëse edhe qytetarët nuk e respektojnë Ligjin, atëherë edhe ata detyrohen që të paguajnë gjobën prej 20 eurosh”, thotë ajo.

Ligji për duhanin përcakton masat për kufizimin dhe ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike, përbërjes së dëmshme të cigareve, vendosjen obligative të shënimit për dëmet nga pirja e duhanit dhe mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së këtij ligji. Sipas këtij ligji, ndalohet shitja apo ofrimi i prodhimeve të duhanit nga personat më të rinj se 18 vjet. Ndalohet pirja e duhanit në të gjitha institucionet publike apo private ku ofrohen shërbime shëndetësore. Ndalohet pirja e duhanit në të gjitha institucionet publike apo private të edukimit, arsimit dhe të mbikëqyrjes së fëmijëve dhe rinisë. Ndalohet pirja e duhanit në hapësirën publike, përveç në ato hapësira të parapara për pirje të duhanit. Sipas ligjit, hapësira e përcaktuar për duhanpirësit është 30, ndërsa pjesa tjetër prej 70 për qind e lokaleve do të jetë hapësirë ku rreptësisht ndalohet pirja e duhanit.

Sidoqoftë, fillimi i respektimit të këtij ligji ka filluar të bëhet shqetësim për pronarët e lokaleve hoteliere. Granit Kadolli, pronar i një lokali në Prishtinë, thotë se edhe pse deri më sot asnjë nga inspektorët nuk ka qenë në lokalin e tij, nëse Ligji do të hyjë në fuqi, ai do të jetë i pari që do ta zbatojë. Megjithatë, ai ka një hall tjetër. Graniti i frikësohet se për shkak të Ligjit, atij do t’i bjerë puna.

“Çdo i dyti myshteri pi duhan. Nëse një gjë e tillë nuk i lejohet, mendoj se ai nuk do të dalë më në qytet për kafe, por do ta pijë atë në shtëpi”, vlerëson Graniti për Express.

Ai thotë se një rënie e tillë do të ndodhë për shkak se asnjë nga lokalet nuk do të mund t’i plotësojë kushtet e hapësirës, të cilat paraqiten në ligj. “Definitivisht menaxhimi i hapësirës do të jetë shumë problem për bizneset kosovare. Askush nuk do të mund t’i plotësojë këto kushte, sepse shumica e lokaleve janë shumë të vogla”, pohon Graniti.

E, përveç kësaj, për të edhe çmimi i dënimit i përcaktuar me ligj është i papranueshëm.
“Gjobat janë të larta. Ne nuk mund ta marrim përsipër këtë gjobë, sepse nuk guxojmë t’i ndalim klientët që mos ta pinë duhanin. Ose përndryshe duhet që në secilin lokal të rrijë nga një inspektor”, thotë i bindur Graniti.

Pos pronarëve, Ligji do të jetë problem edhe për qytetarët. Njëjtë sikurse Graniti mendon edhe Afrim Ahmeti nga Prishtina. Ai thotë se Ligji për duhanin është i mirë vetëm për shëndetin.

“Në verë lokalet i kanë tavolinat jashtë, pimë aty. E dimrit çfarë do të bëjmë? Sipas Ligjit, në dimër kur të dalim për kafe duhet të pimë cigare jashtë dhe pastaj të futemi brenda dhe ta vazhdojmë bisedën aty ku e lame”, flet i shqetësuar Afrimi për Express. Kjo sepse, sipas tij, vetëm 30 për qind e lokalit ku lejohet pirja e duhanit do të jetë shumë problem. “Gati të gjithë ne e pimë duhanin. Ajo pjesë e vogël nuk do të na zërë të gjithëve”, sqaron ai.

Ndryshe Ligji për duhanin është miratuar që nga viti 2005 nga Parlamenti i Kosovës, mirëpo ai nuk ishte nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut deri në vitin 2007. Megjithatë, zbatimi i tij në praktikë ka hasur në vështirësi dhe se për këtë, janë propozuar disa ndryshime në ligj. Ndryshimi i tij u miratua nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në shkurt të vitit 2010.

Fakte

Sipas të dhënave nga Doganat e Kosovës, gjatë një muaji në Kosovë hyjnë rreth 300 tonë duhan. Ndërsa gjatë vitit importohen mbi 3.500 tonë.
Në Klinikën pulmologjike në Prishtinë, brenda vitit bëhen 2.000 hospitalizime, prej të cilave 500 i takojnë problematikës së tumoreve, kurse rreth 500 të tjera janë nga pasoja e pirjes së duhanit Çdo 10 sekonda duhani shkakton një vdekje. Jetëgjatësia e një personi që pi duhan shkurtohet për 10 vjet. Kosova ka 600 mijë duhanxhinj që brenda ditës së bashku shpenzojnë gjysmë milioni euro për të blerë cigare. Kjo do të thotë se çdo i pesti person në Kosovë llogaritet të jetë duhanpirës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›