Kërkon qartësi

Kryeministri Hashim Thaçi ka mbledhur të martën Këshillin Ndërministror për Integrim Europian dhe ka porositur ata që të jenë më aktivë dhe t’i shtyjnë proceset përpara në këtë fushë.
Thaçi ka deklaruar se perspektiva europiane e vendit për anëtarësim në BE është konfirmuar në vazhdimësi në të gjitha nivelet, por, sipas tij, konfirmimi ende nuk është i mjaftueshëm.
“Kosova ka nevojë për koordinata të sakta të këtij qëllimi. Përkundër partneritetit dhe marrëdhënieve të ngushta me BE’në, Kosova mbetet i vetmi vend pa marrëdhënie kontraktuale me BE’në”, ka thënë Thaçi të martën.
Kryeministri ka përmendur edhe Raportin i Progresit të këtij viti, për të cilin Kosova ka edhe tre muaj kohë për të zhvilluar reforma dhe miratimin e ligjeve që janë paraparë me agjendën europiane. Madje, sipas tij, çështje urgjente është edhe funksionalizimi i departamenteve për integrime përbrenda ministrive.
“Në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që agjenda europiane e Kosovës të pësojë për shkak të mospunës së ndonjë individi, një departamenti apo një institucioni. Gjatë muajve të mbetur Ministria e Integrimit Europian do të ketë mandat dhe përkrahje të plotë në monitorimin dhe raportimin e zbatimit e obligimeve të secilit institucion”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se për integrimin në Bashkimin Europian nuk është i nevojshëm vetëm plotësimi i legjislacionit, por edhe reformat e thella në të gjitha fushat.
“Në këtë drejtim, Kosova është duke bërë reforma të thella, duke instaluar një qeverisje të mirë dhe reformatore, me mentalitet europian. E ardhmja europiane është vullneti i qytetarëve të Kosovës, është vizioni ynë dhe ne jemi të bindur dhe të sigurt në të ardhmen shumë të qartë europiane të Republikës së Kosovës. Presim në të ardhmen fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave, marrëdhënieve tregtare dhe marrëdhënieve kontraktuale”, tha kreu i ekzekutivit.
Ai ka vlerësuar kështu vizitën e presidentit të Komisionit Europian, Barroso dhe Fule, si dhe qëndrimet e tyre mjaft të qarta dhe mbështetëse për perspektivën e sigurt dhe të qartë të Republikës së Kosovës.
Në ditët në vijim pritet që për vizitë në Kosovë të vijë edhe Baronesha Ashton, që të diskutojë me krerët vendorë për rrugën europiane të Republikës së Kosovës.
Edhe ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, ka thënë se përfshirja në procesin e liberalizimit te vizave do të jetë edhe më e shkurtër sesa ishte deklaruar më parë nga shefi i saj, Thaçi.
“Kosova pret shumë shpejt marrjen e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave. Jo për 15 muaj, por për një periudhë edhe më të shpejtë kosovarët do të mund të lëvizin lirshëm”, ka deklaruar Çitaku.
Megjithatë, ministrja Çitaku, pas takimit të gjashtë të Këshillit Ministror për Integrim Europian, ka thënë se nuk e di kur do merret ky udhërrëfyes, pasi që, sipas saj, një gjë e tillë nuk është në mundësinë e institucioneve të Kosovës.
“Ajo çka mund të bëjnë institucionet e Kosovës është që të punojnë në arritjen e standardeve që kërkon BE’ja dhe kjo është duke u bërë, duke filluar nga rregullimi i legjislacionit”, ka thënë Çitaku.