E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkon të ulë deficitin buxhetor në masë të ndjeshme, deri në vitin 2011

Financa Spanja miraton shkurtimet e shpenzimeve për të përftuar 15 miliardë euro

Parlamenti spanjoll ka aprovuar dje paketën e shkurtimeve të shpenzimeve publike me vlerë 15 miliardë dollarë, me një votë, ndërsa qeveria po përpiqet që të gjejë të gjitha mënyrat për të ulur deficitin e lartë buxhetor. Votuan pro 169 deputetë të Partisë Socialiste, ndërsa kundër ishin 168, ndërsa 13 parlamentarë abstenuan. Spanja ishte vendi i parë pas Greqisë që njoftoi planin për votimin e një pakete të shkurtimit të shpenzimeve buxhetore, duke qenë se në këtë vend, situata ishte dhe vazhdon që të jetë shumë problematike. Masat që ajo do të marrë përfshijnë një ulje me 55% të pagave për punonjësit civilë, ndërkohë që shumë plane për investime publike do të ngrijnë dhe do të lihen për një periudhë kur këto masa të mbarojnë. Me anë të kësaj pakete dhe masave të tjera të kursimit, Spanja synon që të mos bjerë në situatën e rëndë në të cilën ra Greqia, e cila kërkoi ndihmë financiare për të shmangur falimentimin e shtetit. Nëse ligji nuk do të ishte votuar, do të ishte një goditje e madhe për Partinë Socialiste në pushtet dhe për vetë Kryeministrin Zapatero. Programi i Spanjës synon që me masat e marra dhe të tjera që parashikohen, të ulë deficitin buxhetor që është 11% në 6% deri në vitin 2011. “Rezultati është qetësues për tregjet, sepse një votë kundër paketës do ta kishte futur vendin dhe investitorët në panik e kaos, e mbi të gjitha, në pavendosmëri për të investuar”, deklaroi një analist spanjoll për financat. Megjithatë, duke qenë se është dashur vetëm një votë për të bërë diferencën qeveria ndihet jo e fuqishme, të paktën krahasuar me periudhën para votës. Shumë spanjollë kanë frikë se efektet e shkurtimeve në shpenzime do të kenë ndikim të menjëhershëm në rënien e blerjeve dhe konsumit dhe si pasojë do të bjerë në mënyrë të pashmangshme edhe ekonomia. Një nga problemet e mëdha është edhe papunësia, që është gjithnjë e në rritje në Spanjë. Dhe të mendosh se gjërat kishin nisur të merrnin për mirë, për sa i përket rritjes ekonomike tremujorin e kaluar. Vendi doli më në fund nga një recesion i gjatë dhe shënoi përqindjen e parë të rritjes ekonomike me 1%. Ndërmarrja e masave është shumë e rëndësishme dhe një kërkesë urgjente që Bashkimi Europian ua ka bërë vendeve si Greqia, Spanja apo Italia për të dalë nga situata e deficitit të lartë buxhetor. Një masë të tillë pritet ta votojë edhe Italia në Parlamentin e saj, por në këtë rast, bëhet fjalë për një paketë 20 miliardë dollarëshe.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›