E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akademia e Arteve çel fondin e të rinjve

Një fond prej 100 mijë eurosh pritet të vihet shpejt në dispozicion për projekte artistike. Rektori Petrit Malaj shprehet se Kryeministri ka dhënë miratimin, ndërkohë që pranë Akademisë së Arteve do të ngrihet një bord që do të shqyrtojë projektet konkurruese. Kjo iniciativë synon të zvogëlojë fenomenin e papunësisë së artistëve të rinj

Në realitetin shqiptar të viteve të fundit, artistët e rinj që dalin nga Akademia e Arteve, më së shumti marrin statusin e të papunëve. Ndonjë projekt tek-tuk dhe një punë e dytë, jashtë profilit sa për mbijetesë. Mes tyre ka dhe nga ata fatlumët që arrijnë ta provojnë radhazi skenën, sheshin e xhirimit apo sallën e ekspozitave. Gjithsesi janë këta të rinj, ende në bankat e Akademisë apo të sapodiplomuar, që kur u jepet mundësia bëjnë thirrje për perspektiva artistike. Së fundmi, duket se do të jetë vetë Akademia e Arteve që do t’u japë ndihmën e parë për t’u hedhur në treg. Rektori i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, bën të ditur se ky institucion, së pari i profilit pedagogjik, do të ketë një fond të posaçëm për projekte artistike, që deri më tani nuk ka ekzistuar. Ndonëse aktivitetet në “Black Box”, në sallën e madhe, në Galerinë e Artit apo në atelietë e këtij institucioni nuk mungojnë gjatë vitit, rektori shprehet se ato janë aktivitete spontane të realizuara nga vullneti i mirë i disa artistëve. Tri javë më parë, Malaj i ka shkruar një letër Kryeministrit të vendit, z. Sali Berisha, ku i ka parashtruar situatën dhe kërkesën për një fond të veçantë. “Tri javë më parë i kam drejtuar një letër Kryeministrit, ku i kam kërkuar më shumë vëmendje nga kjo shkollë. Këtu jep mësim elita e artit shqiptar e po ashtu kemi potencial të madh studentor. Unë kërkova një fond vjetor që do të na shërbejë për t’i shkuar në fund qëllimit që Akademia e Arteve të kthehet në një qytezë arti. Këtu ka ekzistuar Teatri i Akademisë së Arteve që me Spahivoglin, kori, orkestra simfonike, kuartete me studentë, galeria etj. Janë institucione brenda këtij institucioni të madh që ekzistojnë edhe sot, por që duhen vënë në lëvizje. Në parim kam marrë aprovimin e Kryeministrit për një fond prej 1 milion e 400 mijë lekësh të reja dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm”, shprehet Malaj. Në fakt, një pjesë e sallave në Akademinë e Arteve janë funksionale, por Malaj pranon se gjithsesi ka probleme, pasi për rreth 60 vjet nuk është investuar në sistemin tërësor të miradministrimit dhe funksionimit të sallave dhe atelieve. Po si do të veprohet me këtë fond të veçantë dhe sa do të përfshihen të rinjtë? Struktura që shpjegon rektori ngjan pak a shumë me atë të institucioneve të tjera kulturore si Teatri Kombëtar apo Teatri i Operës. Sipas Malajt, pranë Akademisë së Arteve do të ngrihet një bord artistik me përfaqësues të tri fakulteteve: Fakultetit të Muzikës, të Arteve të Bukura dhe të Artit Skenik, i cili do të marrë në shqyrtim projektet artistike që do të konkurrojnë. Sigurisht që ato u janë adresuar më shumë të rinjve, por nuk përjashtohen këtu as bashkëpunimet me pedagogë. “Ky fond do të na ndihmojë të përmbushim një nevojë të madhe të shpërfaqjes së talenteve të reja dhe ta kthejmë Akademinë e Arteve në një qytezë të mirëfilltë arti nga të gjitha fushat që ne lëvrojmë. Brenda procesit metodik dhe krijues, ne kemi projekte që gjatë vitit janë të standardizuara, sepse studentët i kanë provimet e tyre publike, por më vjen mirë që kjo iniciativë e re është kuptuar nga stafi im si domosdoshmëri për shpërfaqjen e të rinjve të talentuar që do të jenë e ardhmja e artit në Shqipëri”, thekson Petrit Malaj. Në fakt, përkrahja nuk do t’u shkojë vetëm studentëve të Akademisë së Arteve, por edhe të sapodiplomuarve që nuk e kanë gjetur veten në tregun e punës. Malaj flet për afrimin e tyre me kontrata të përkohshme në strukturat brenda AA-së. “Në këtë mënyrë do të ketë një zbutje të fenomenit të artistëve të rinj që nuk arrijnë të integrohen në treg, por që premtojnë shumë në fushën ku janë diplomuar”, shton Malaj. Sipas tij, pritet që ky fond të bëhet aktiv për gjysmën e dytë të sezonit artistik, ndërkohë që thekson se këtë vit numri i aktiviteteve ka qenë shumë më i madh, duke i vënë shumë pak në dispozicion sallat për palët e treta. Në vazhdën e aktiviteteve që organizohen aktualisht e që do të vazhdojnë të organizohen në të ardhmen, Malaj rendit aktivitetin treditor, i titulluar simbolikisht “Ura me tri harqe”, që vjen si bashkëpunim me Fakultetet e Arteve të Universitetit të Prishtinës dhe Tetovës. Për tri ditë, nga 31 deri më 2 qershor, një grup i madh studentësh nga fusha e muzikës, artit pamor, skenik dhe e regjisë së filmit do të organizojnë disa aktivitete, të cilat do të pasohen edhe nga ligjërata apo workshope në nivelin e pedagogëve. Pas kësaj, do të jetë Fakulteti i Muzikës që do të mbushë kalendarin artistik me aktivitete që zgjasin deri në datën 18 qershor, kur startojnë provimet. Në fakt, sipas Malajt, sezoni i provimeve përbën një angazhim artistik më vete, pasi të gjitha performancat e studentëve janë publike. Rektori Malaj flet në këtë kuadër edhe për bashkëpunime me disa universitete ndërkombëtare, si ai i Selanikut, Beogradit, me konservatorët e Torinos, Udines, Barit etj. Ndërkohë arti i të rinjve po synohet të bëhet i pranishëm edhe pranë selive diplomatike, siç ka qenë një ekspozitë e studentëve në ambientet e Komisionit Europian, e që synon të jetë i vazhdueshëm.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›