Kërkuan mocion me debat/ Rama i drejtohet opozitës: Nderin e përballjes me mua, nuk do ta keni më

Kryeministri Edi Rama ka folur me tone të ashpra nga foltorja e Kuvendit pas akuzave të opozitës për lidhjen e tij me ish-agjentin e FBI Charles McGonigal. Kreu i qeverisë i bëri të qartë opozitës se nuk do t’u kundërpërgjigjet më asnjë akuze nga ana e tyre dhe se siç theksoi ai “nderin e përballjes me mua këtu apo jashtë këtyre mureve, bam e bum, duke llokanisur kokën e miletit nuk keni për ta pasur më si deri dje”.
Rama ironizoi gjithashtu dhe protestat e opozitës për atë të cilën ata e konsiderojnë si revolucionin e demokratëve.
“Fatkeqësisht jam përfshirë me zell dhe me zjarre përditë dhe më shumë vite në këtë palo-luftë dhe kësisoj jam bërë padashje edhe unë pjesë e asaj mase të errët e keqe dhe ndjellakeqe që i ka tëhuajsuar njerëzit me politikën duke i bërë të mendojnë se të gjithë ne në arenën e saj jemi thjesht jashtëqitje masive e kombit e ndarë përgjysmë. Mjaft më. Shpifni, kërcënoni, shani, shantazhoni, nderin e përballjes me mua këtu apo jashtë këtyre mureve, bam e bum, duke llokanisur kokën e miletit nuk keni për ta pasur më si deri dje. Thoni se jam fshehur kam ikur e jam tretur, mos u shkulni më kurrë nga revoluciuonet tuaja imagjoinare, por mua s’do më keni më palë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal më tej dhe te zgjedhjet vendore të 14 majit, duke ironizuar opozitën për deklaratat paraprake për fitoren e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.
“Keni hyrë në vitin e dhjetë të rrugës kur keni hyrë ccdo vit. Keni mbledhur 100-200 mijë njerëz 100 herë duke më detyruar të fshihem në Malin e Dajtit 60 herë. Ky vit do jetë viti i fitores suaj më të madhe elektorale, më heroike, më 14 maj ku përvcc Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit që siç na keni informuar i keni në xhep, do merrni dhe Vlorën dhe Uashingtonin. Ndihem fajtor! Shumë fajtor që s’kam bërë dot atë që duhet kundër mjerimit të thellë të politikës, ku mbizotëron fukarrallëku i vlerave dhe qëllimeve”, theksoi ai.
/rtsh.al/