E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërrabë, del nga rruga autobusi, 9 të plagosur

16-06-2012 / Gazeta 55

Nuk ka viktima nga aksidenti. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili: Të plagosurit, pa rrezik për jetën


Mbërrijnë në vendngjarje 3 helikopterë të Ministrisë së Shëndetësisë, forcat e policisë dhe autoambulancat 


Flet dëshmitari: Një foristradë na preu rrugën


UPDATE- Një aksident automobilistik është regjistruar sot në orën 15:45 në aksin Tiranë-Elbasan, në Qafë Kërrabë, 3 km pa hyrë në qytetin e Elbasanit, ku një autobus me targa LB 3156 A, me drejtues shtetasin Mit’hat Biçaku, ka dalë nga rruga duke devijuar rreth 10 metra në vendin e quajtur “Qershia”. Në autobus kanë qenë duke udhëtuar rreth 30 të rinj, të gjithë nga qyteti i Librazhdit, të cilët po ktheheshin pas një aktiviteti politik në Tiranë. Në një deklaratë për shtyp, Policia konfirmoi se janë plagosur vetëm 8 prej pasagjerëve, ndërsa një prej tyre, shtetasi Artan Kojku ka thyerje të krahut. Ka qenë 29 numri i të plagosurve nga aksidenti, të cilët janë transportuar menjëherë drejt spitalit të Elbasanit, ndërsa vetëm një prej tyre ndodhet në reanimacion, nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë pas njoftimit të aksidentit, një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë është nisur drejt vendit të ngjarjes për t’iu ardhur në ndihmë të aksidentuarve, ndërsa Spitali Ushtarak po ashtu është në gatishmëri të lartë për të pritur të plagosurit. Në vendngjarje mbërriti menjëherë drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli i cili konfirmoi se grupi i ekspertëve po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe zv/drejtori i Policisë Muhamet Rrumbullaku. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili konfirmoi në një lidhje telefonike se nga aksidenti ka disa të plagosur, por pa rrezik për jetën. Drejtori i Spitalit të Elbasanit, Pjerin Xhuvani tha se 22 të plagosur mbërritën në këtë spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa 6 prej tyre janë paraqitur me fraktura më të rënda. “Numri i personave të plagosurve është 22, ndërsa 6 prej tyre janë në gjendje më të rënd. Të plagosurit do kurohen në spitalin e Elbasanit. Kanë ardhur helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë, por gjendja e të plagosurve nuk është e rëndë dhe ndihma shëndetësore po u jepet në spitalin rajonal të Elbasanit”- tha Xhuvani. Policia mbajti të lirë aksin rrugor, pavarësisht trafikut, për të bërë të mundur transportimin e të plagosurve me autoambulanca. Të plagosurve iu dha ndihma e menjëhershme, pas mbërritjes në vendngjarje të forcave të policisë dhe ekipit të mjekëve nga spitali i Elbasanit.   Vlen të theksohet se kjo linjë (Tiranë-Elbasan), është e ndaluar për udhëtimin e mjeteve të rënda, konkretisht për autobusët. Gjithsesi, do jetë ekspertiza e Policisë ajo që do të konfirmojë nëse automjeti në fjalë i përket mjeteve të tonazhit të rëndë që ndalohet të qarkullojë në segmentin e vështirë të Qafë Kërrabës.


Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili: Të plagosurit, pa rrezik për jetën


"Ka disa të plagosur me plagë të lehta, të cilët po trajtohen në spitalin e Elbasanit. Vetëm një nga personat e plagosur është në gjendje të rëndë, por pa rrezik për jetën. Gjithçka është në dispozicion të të plagosurve dhe në gatishmëri për një transportim të mundshëm drejt Tiranës, nëse është e nevojshme. Situata u monitorua në gatishmëri të plotë".


Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli


“Në vendngjarje janë ekspertët e policisë rrugore dhe kanë thërritur si dëshmitarë shoferin e automjetit. Me të marrë të gjitha të dhënat nga drejtuesi i mjetit, do t’i bëjmë publike. Rruga e Kërrabës kufizon disa nga automjetet e transportit publik, por kjo varet nga kapaciteti mbajtës dhe kjo do bëhet e ditur nga grupi i ekspertëve. Jemi me fat që nga ky aksident rrugor, nuk kemi viktima”.


Drejtori i Spitalit të Elbasanit, Pjerin Xhuvani: Nuk ka të lënduar në rrezik për jetën


“Numri i personave të plagosurve është 22, ndërsa 6 prej tyre janë në gjendje më të rën. Të plagosurit do kurohen në spitalin e Elbasanit. Kanë ardhur helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë, por gjendja e të plagosurve nuk është e rëndë dhe ndihma shëndetësore po u jepet në spitalin rajonal të Elbasanit”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›