E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lëvizja Nano”: Rama si Enver Hoxha, do e rrëzojmë nga Qyteti Studenti

16-06-2012 / Gazeta 55

Simpatizantët e liderit të së majtës, Fatos Nano e krahasojnë nismën e tyre me atë studentore 22 vjet më parë, e cila kulmoi me rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës

Lëvizja e Fatos Nanos për fitoren e socialistëve do të nisë fushatën e saj për rimarrjen e Partisë Socialiste nga Qyteti Studenti. Burime pranë lëvizjes “Nano për fitoren e socialistëve” konfirmojnë se rimarrja e selisë rozë do të nisë nga Qyteti Studenti, njësoj si vite më parë, kur lëvizja studentore rrëzoi regjimin komunist të diktatorit Enver Hoxha.
Një ditë më parë, Bardhyl Agasi deklaroi se Lëvizja e Nanos ka marrë mbështetje të gjërë në bazën socialiste si dhe në unionet studentore, të cilët kanë shfaqur një interes për lëvizjen e re brenda PS-së. Kësisoj, Qyteti Studenti do të jetë një pikë nisjeje e rimarrjes së Partisë Socialiste. “Historikisht, nga vendosja e demok-racisë, Qyteti Studenti ka qenë vatër e rëndësishme e lëvizjeve të mëdha të ndryshimit të sistemit dhe të partive politike. Duke qenë se ka një interes të gjerë të rinisë për lëvizjen e zotit Nano, është menduar që të mbahet në qendër të vëmendjes fillimi i një lëvizjeje, duke filluar me Qytet Studenti. Në takimet që ka zhvilluar zoti Nano ka pasur një interes të madh nga unionet studentore dhe për t’i bërë pjesë studentët në lëvizjen “Nano për fitoren e socialistëve”. Lëvizja me studentët do të nisë shumë shpejt”- pohojnë burime pranë Lëvizjes së Fatos Nanos.
Si një nga figurat e PS-së së qytetit të Durrësit, Bardhyl Agasi, theksoi se muajt e verës do të jenë vendimtarë në marrjen e mbështetjes së bazës së Partisë Socialiste dhe bashkimi i tyre me Lëvizjen Nano. “Mund të them që lëvizja po gjen mbështetje edhe nga krerët e organizatës së PS-së. Dhe gjithashtu mund të them se vazhdojnë kontaktet edhe me anëtarët e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Vetë zoti Nano ka marrë kontakte të vazhdueshme me anëtarët e Asamblesë së PS-së”, deklaroi Agasi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›