E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilla, Viti 2011, si të kërkoni punë



Tashmë jemi në fillim të vitit 2011 dhe është koha për të kontrolluar kërkimin tuaj për punë. Këtë vit, kompanitë mund të mos kërkojnë, siç kanë kërkuar, të punësojnë në vitet e kaluara. Ju takon juve të punësoheni. Harroni se si po zhvillohet ekonomia. Reflektoni për zhvillimet e vitit të kaluar nëse ju duhet, por mos e mbani mendjen aty. Këtë vit fokusi juaj është të gjeni punën e duhur për ju dhe të bëni gjithçka që mundeni për të qenë kandidati më i mirë për atë punë. Konkurrenca mund të jetë ende e ashpër, por ju duhet të jeni më të mirë se konkurrenca.
Ja si duhet ta ktheni tavolinën në favorin tuaj

1. Kufizojini kërkimet tuaja.
Mjaft aplikuat për punë për të cilat nuk jeni të kualifikuar apo që thjesht nuk i doni. Është kohë e shpenzuar kot. Jini të ndershëm me veten kur vlerësoni vendin e punës. Nëse ju duhet të filloni punë nesër, i keni të gjitha aftësitë që ju nevojiten për të pasur sukses? Apo ka hapësira në përshkrimin e punës për të cilat nuk keni përvojë? Ndërsa është gjithmonë e mirë të keni dëshirë për të mësuar, shumë kompani do të duan të punësojnë dikë që mund të hidhet direkt në punë dhe të fillojë pa pasur nevojë të trajnohet. Fokusojeni kohën tuaj për të bërë aplikime të mira për punën për të cilën jeni të kualifikuar.

2. Duhet të dini saktësisht se çfarë doni.
Të kufizoni fushën e kërkimeve për punë mund t’ju nxisë të bëni pyetje të tilla si: çfarë pune mund të kërkoj pas kësaj? Çfarë aftësish ofroj për punëdhënësin? Nëse nuk jeni të sigurt për përgjigjen, bëni një listë me aftësitë e punës që ju dallojnë dhe nxirrni në pah një nga aftësitë që ju pëlqen të përdorni më shumë. Përdorini këto aftësi si term kërkues në punën tuaj.

3. Rivlerësoni grupin e aftësive tuaja.
Nëse mendoni se keni kërkuar të gjitha punët e mundshme, por nuk keni gjetur atë që përkon me aftësitë tuaja, është koha të merrni disa aftësi të reja. Sipas ekspertëve të burimeve njerëzore, të papunët këshillohet të rikthehen në bankat e shkollës. Për ndonjë prej jush mund të jenë të dobishme edhe programet e trajtimeve.

4. Vendosni qëllimet.
Sigurisht qëllimi juaj kryesor është të gjeni një punë. Por, të vendosni në një periudhë afatshkurtër qëllimet e punës për një vit do t’ju ndihmojë të rriteni e të vlerësoni në mënyrë të vazhdueshme progresin tuaj. Zgjeroni rrjetet e komunikimit, p.sh. në janar vendosni të regjistroheni në një organizatë profesionale, në shkurt të bëheni pjesë e shoqatës Alumni të universitetit tuaj.

5. Provoni diçka të re.
Nëse gjendeni të përfshirë në rutinën e kërkimit të një pune të re, krijoni një strategji të re. Në vend të kërkimit online të punës, përpiquni të punoni me një rekrutues, dhe zgjeroni informacionet për industrinë që jeni të interesuar. Një angazhim i gjithanshëm do të ketë rezultate më të mira.

6. Kaloni mbi konkurrencën.
Nëse i jeni afruar një pune që duket e përkryer për ju, bëni diçka që ju ndihmon të qëndroni mbi turmën që po aplikon. Nëse gjeni një vend pune ku doni të aplikoni, gjeni emrin e ekspertit të burimeve njerëzore ose të dikujt që punon në atë departament dhe nisni direkt një e-mail personal. Është viti 2011, çka do të thotë se pothuajse gjithçka mund të gjendet online, duke përfshirë emra dhe adresa e-mail-i. Një kërkim i kompanisë në “LinkedIn” mund t’ju japë emrat e disa të punësuarve me pozicionet e tyre të punës. Ju duhet të zgjidhni personin më të përshtatshëm. Më tej, kërkoni faqet e internetit të kompanisë apo njoftimet për shtyp, për të marrë e-mail-in e kompanisë.

7. Mbani një reputacion të mirë në internet.
Kur një ekspert i burimeve njerëzore bën një kërkim me emrin tuaj në internet (dhe këtë e bëjnë) duhet të jeni në gjendje të kontrolloni se çfarë gjejnë. Rezultatet e kërkimit që janë profesionale, të qëndrueshme dhe që ju prezantojnë si një ekspert i fushës, kanë një vlerë shumë më të madhe se fotografia e bërë në festa dhe e publikuar në “Facebook”. Ndaj regjistrimi me faqet më të populluara duke u dhënë hapësirave tuaja përmbajtje profesionale do të bënte përshtypje shumë të mirë.

8. Hapni një faqe interneti.
Nëse doni të jeni një hap para me praninë tuaj në internet, krijimi i një faqeje interneti ju mundëson t’i shfaqni aftësitë tuaja përmes një rruge interesante. Ajo shton profesionalizmin tuaj dhe rrit besueshmërinë. Për më tepër, nuk është aq e kushtueshme dhe nuk ju merr aq kohë sa mendoni. Një domain (emrijuaj.com) mund të regjistrohet në faqe të tilla si Bluehost.com për rreth 10 dollarë dhe hapësira iu kushton rreth 3 dollarë në muaj.

9. Jini aktual:
Ju duhet të jeni gjithmonë të lidhur me zhvillimet, edhe kur nuk jeni në punë. Lexoni publikimet e tregtisë, komentet për industritë dhe mbani në vëmendje të veçantë teknologjitë dhe politikat e reja që mund të kenë ndikim në rritjen e karrierës suaj. Kjo, jo vetëm do t’ju ndihmojë juve të keni një komunikim shumë të mirë me një intervistues të mundshëm, por mund t’ju japë ide të reja se ku dhe si të shikoni për një punë.

10. Shituni:
Në intervistë nuk është momenti për modesti, veçanërisht në kohë të tilla. Kur përcaktoni një intervistë, shkoni të përgatitur me të paktën pesë shembuj që tregojnë idetë tuaja më të mira. Kështu, kur një intervistues ju pyet “pse duhet t’ju punësoj?”, mund të tregoni se jeni një njëri që i mëson shumë shpejt të rejat. Sigurohuni që po i lini intervistuesit numrin e telefonit dhe referenca mbresëlënëse.

11. Mbajeni gotën gjysmë plot gjatë gjithë vitit.
Kërkimi i punës gjithnjë mund të ketë momentet e tij më të vështira, pasi gjërat jo gjithmonë ndodhin kur dhe si duam ne. Por, në vend që pengesat të dobësojnë motivimin tuaj, përdorini ato në të mirë, merrni mësim prej tyre. Me mungesën e intervistave të duhura, mund të reflektoni dhe rivlerësoni aftësitë e prioritetet, çka mund t’ju çojë drejt një karriere më të suksesshme. Ky lloj qëndrimi pozitiv do të jetë më produktiv në gjetjen e punës tjetër.
Këtë vit, kërkimi për punë pritet të vazhdojë të jetë i vështirë. Por, punësimi edhe në atë që e konsideroni ëndërr, mund të jetë akoma një realitet. Një kërkim proaktiv punë është basti juaj më i mirë për këtë vit për të ndërmarrë hapat e nevojshëm, për të siguruar punën që dëshironi.

11 Janar 2011

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›