Këshillat/ Tirana dhe Kavaja drejt përfundimit të numërimit, PS me shumicë mandatesh në të 5-ta bashkitë

Tirana dhe Kavaja nuk e kanë përfunduar ende numërimin e votave për Këshillat Bashkiakë, ndërkohë që ky proces është mbyllur në Vorë, Kamëz dhe Rrogozhinë.
Për Këshillin Bashkiak të Tiranës ka mbetur vetëm kutia e fundit për t’u numëruar nga 941 që ishin në total.
Ndërkohë deri më tani, Partia Socialiste ka marrë 34 mandate në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, Bashkë Fitojmë renditet e dyta me 16 mandate, dhe më pas Partia Demokratike e cila ka siguruar 4 mandate.
Bashkia e Tiranës do të vijojë me të njëjtin kryetar, Erion Veliajn, të rikonfirmuar në mandatin e tretë në zgjedhjet e 14 majit, me 54.69% të votave.
Për Këshillin Bashkiak të Kavajës, kanë mbetur ende dhe 3 Qendra Votimi për t’u numëruar. Por nga numërimi i 89 kutive, rezulton se Partia Socialiste ka marrë 13 mandate, Bashkë Fitojmë 9 mandate dhe Partia Demokratike 3 mandate.
Kavaja është njëra prej 7 bashkive të fituara nga Bashkë Fitojmë. Me 51.89% të votave, Fisnik Qosja arriti të siguronte mandatin 4-vjeçar për drejtimin e kësaj bashkie.
Sakaq, numërimi i kutive për Këshillin Bashkiak të Vorës, Kamzës dhe Rrogozhinës, është mbyllur. Konkretisht, PS ka siguruar 12 mandate në këshillin e Vorës, Bashkë Fitojmë 4 mandate. Në Këshillin Bashkiak të Kamzës, PS mori 19 mandate, Bashkë Fitojmë 11 mandate dhe Partia Demokratike 3 mandate. Ndërsa në Këshillin Bashkiak të Rrogozhinës, e fundit për qarkun e Tiranës, PS siguroi 9 mandate, Bashkë Fitojmë 4 mandate dhe PD 3 mandate.
/rtsh.al/