E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Bashkiak 5 muaj mungesë, rrezikojnë të digjen fondet e strehimit

Keshilli Bashkiak i TiranesNdonëse ligji e kërkon që Këshilli Bashkiak të mblidhet çdo muaj, mbledhja e fundit e parlamentit vendor ka qenë në muajin maj. Kanë kaluar 5 muaj qysh atëherë, dhe sërish nuk është lënë asnjë datë për mbledhjen e radhës. Ligji në fuqi parashikon që nëse këshilli bashkiak nuk mblidhet për të paktën tre muaj atëherë ai vetëshpërbëhet.

Mbledhja e fundit

Po sipas ligjit, nëse këshilli bashkiak nuk mblidhet për gjashtë muaj atëherë  kompetencat e secilit këshilltar humbasin, duke çuar në këtë mënyrë në shpërbërjen e parlamentit vendor. Mbledhja e fundit daton në muajin maj atëherë kur kreu i këshillit bashkiak me shumicë votash u zgjodh Aldrin Dalipi. Ndërkohë që mbledhja e miratimit të vendimeve për punët e qytetit ishte në muajin prill, e thërritur sipas rregullave dhe me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të këshillit bashkiak. Nëse anëtarët nuk mblidhen edhe për një muaj, atëherë bashkë me fondin për kreditë e strehimit, banesat sociale, projektet për qytetin do të digjen edhe fondet për bursat e studentëve, nxënësve të shkëlqyer, me probleme familjare ekonomike, apo ata që e kanë shkollën shumë larg vendbanimit. Nëse këshillin bashkiak nuk e ndihmon qeveria qendrore nëpërmjet një vendimi që njeh ligjshmërinë e këtij këshilli atëherë anëtarët duhet të zgjidhen nga e para.

Ligji

Më poshtë po japin të gjitha nenet e ligjit të pushtetit vendor të cilat sqarojnë shpërbërjen, humbjen e kompetencave dhe problematikën që sjell mungesa e mbledhjes së parlamentit vendor. Neni 31, pika 8, në ligjin 8652 Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore përcakton shprehimisht se: Kur këshilli nuk mblidhet për shkak të mungesës së anëtarëve të tij gjatë tre muajve, duke filluar nga data e mbledhjes së fundit të tij, këshilli quhet i vetëshpërndarë. Po ashtu sekretari i këshillit komunal ose bashkiak, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 3-mujor, duhet të njoftonte prefektin e Tiranës për situatën e krijuar me anë të një shkrese zyrtare (nenit 31, pika 8, fjali e dytë). Ky afat 10-ditor ka skaduar tashmë që më datë 14 gusht. Edhe në rastin e supozuar kur një njoftim i tillë i është komunikuar prefektit, mbetet e paqartë se përse Këshilli i Ministrave, nuk u është nënshtruar kërkesave të ligjit, që parashikon në këtë rast nxjerrjen e një VKM-je për shpërndarjen e këshillit bashkiak (neni 38/1, germa a, të ligjit 8652).

Problemet

Ndërkohë nga mosmbledhja e Këshillit Bashkiak një listë e gjatë vendimesh vijojnë që të qëndrojnë pezull. Midis tyre janë kërkesa dhe probleme të rëndësishme që prekin qytetarët e Tiranës siç janë kreditë e strehimit të cilat qëndrojnë pezull për shkak të mosmbledhjes së anëtarëve dhe përgatitjes së projektvendimeve nga ana e tyre për ti paraqitur në mbledhje. Problem mbeten banesat sociale, të cilat qëndrojnë bosh ndërkohë që nuk janë përcaktuar kriteret dhe nuk janë hequr pengesat nëpërmjet vendimeve për përfituesit dhe ata që kanë më shumë nevojë. Rrezikojnë buxhetet për bursat e nxënësve dhe studentëve, si dhe kanë mbetur të paplotësuara një listë projektesh për punët infrastrukturore të qytetit. Ndërkaq të tre palët: Bashkia e Tiranës, Njazi Kosovrasti dhe Aldrin Dalipi kanë bërë padi të ndërsjella ku akuzojnë njëri-tjetrin për shpërdorim detyre, tejkalim të kompetencave, pengesë dhe abuzim me detyrën për shkak të parregullsive të konstatuara në kompetencat si anëtarë të këshillit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›