Samiti i Presidentëve të rajonit: Korridori i 8-të mundësi për të gjithë
Mbahet në Durrës takimi i pestë i Presidentëve të Rajonit. Mungon Serbia dhe Bosnja
Takimi Rajonal i Presidentëve ka mbledhur dje në Durrës Presidentët e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Ndërkohë që e kanë bojkotuar këtë takim Presidenti i Serbisë dhe ai Bosnjës, pavarësisht ftesës që kanë pasur për të qene të pranishëm.
Nishani
Në cilësinë e të zotit të shtëpisë, Presidenti Bujar Nishani tha se ky samit është rast jo vetëm në funksion të objektivit të integrimi në BE, por dhe të kontributit për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunimit të ngushtë. Samiti ishte një rast tjetër i vijimësisë së kontributeve tona të përbashkëta, në konsolidimin jo vetëm të takimeve dhe forcimit të miqësisë mes nesh, por dhe shprehjes së ideve tona në funksion të objektivave të përbashkët, ku spikat kontributi për fqinjësisë ë mirë dhe bashkëpunimit të ngushtë mes vendeve tona, u shpreh Presidenti Nishani. Duke u ndalur tek integrimi evropian, kreu i shtetit tha se Bashkimi Evropian mbetet objektivi kryesor për vendet e rajonit. U nënvizua më shumë dhe më fort mundësia e rrugëtimit të përbashkët të integrimit të BE. Integrimi në BE është dhe mbetet prioritet kryesor dhe ky rrugëtim i përbashkët do i bëjë proceset me eficente, deklaroi Presidenti, Bujar Nishani.
Ivanov
Presidenti Ivanov në fjalën e tij u ndal veçanërisht tek ndërtimi i korridorit të 8-të. Sipas tij, po bëhen përpjekje që ky korridor të kalojë edhe në Shqipëri dhe Maqedoni. Shqipëria dhe Maqedonia nuk kanë dalje në korridorin e 8-të dhe pikërisht ky është një qëllim dhe i takimit tonë sot këtu. E vlerësojmë Korridorin 8-të dhe ndaj kërkojmë që të arrijë deri në Qafë-Thanë dhe ndaj qeveria po punon për të gjetur investitorë. Këto samite si ky sot kanë vlera dhe qëllime të caktuara, u shpreh Ivanov. Edhe Presidenti i Malit të Zi, Josipoviç vlerësoi ndërtimin e korridorit të 8-të ndërsa tha se ky projekt meriton të financohet nga të gjithë. Autostrada do të lidhte të gjitha vendet e rajoni dhe meriton të afirmohet si projekt i fuqishëm dhe ia vlen të financohet, deklaroi Presidenti Josipoviç.
Jahjaga ftesë Serbisë dhe Bosnjës për samitin që do zhvillohet në Kosovë
Mbledhja e radhës e këtij samiti do të zhvillohet në Kosovë. Për këtë fakt Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga u ka bërë thirrje Presidentit të Serbisë dhe atij të Bosnjës që të jenë të pranishëm në takimin e radhës. Sipas Jahjagës këto takime shërbejnë për të vendosur marrëdhënie dhe ura komunikimi mes vendeve të rajonit duke nxitur përmirësimin e jetesës së këtyre vendeve. Vitin e ardhshëm organizimin e këtij Samiti e ka Kosova dhe unë u bëj thirrje shteteve si Bosnja dhe Serbia që të jenë pjesë e këtij Samiti në mënyrë që të ngremë ura bashkëpunimi dhe të përmirësojmë jetën e vendeve tona, u shpreh Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga. Në samitin e zhvilluar dje në Durrës, Presidenti i Serbisë dhe ai i Bosnjës nuk morën pjesë në të duke e bojkotuar atë.
Jahjaga-Gruevski: Nuk do ketë më probleme në pikat kufitare
Presidenti i Maqedonisë, Gruevski siguroi se nuk do të ketë më pengesa mes Kosovës dhe Maqedonisë në pikat kufitare. Ai tha se këto probleme morën fund që në datën 15 shtator dhe tashmë marrëdhëniet mes dy vendeve janë normale. Kjo nuk është më çështje, pasi deri më 15 shtator ishte masa për pengesën e drithit, tani do nxjerrim mësim të mos ndodhin më ngjarje të ngjashme. Ne jemi anëtarë të CEFTA dhe nëse do i respektojmë, nuk do ketë më gjëra të tilla, u shpreh Presidenti Gruevski. Nga ana e saj, edhe Presidentja Jahjaga i cilësoi si të mira marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë janë marrëdhënie të mira, dhe moskuptimi dhe jo lufta tregtare ka tejkaluar dhe shpresojmë të mos përsëritet më. Ne i kemi pasur këto raste dhe me raport me shtetet e tjera, por me përkrahjen e të dyja qeverive kemi zgjidhur situatën. Të dyja vendet tona kanë të ardhme në BE, dhe çështja e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave është parakusht për këtë proces dhe ky do jetë kusht për të mos u përsëritur më në të ardhmen, tha Jahjaga.