Këshilli Bashkiak i Maliqit zhvillohet online

Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Maliqit kanë qenë të pranishëm fizikisht vetëm disa këshilltarë për të respektuar masat anticovid, të cilat nuk lejojnë grumbillimin e më shumë se 10 personave në një ambjent, ndërkohë që pjesa tjetër e këshilltarëve kanë qenë të pranishëm në diskutime e vendimmarrje online. Këshilltarët kanë miratuar heqjen e mandatit para kohe për këshilltaren Aleksandra Bardhi Kinolli, pasi ajo ka ndryshuar vendbanimin e saj larg zonës ku është zgjedhur. Një gjë e tillëështë lajmëruar nga vetë këshilltarja, pas lidhjes në martesë dhe largimit të gjendjes civile nga bashkia e Maliqit
Në vijim të mbledhjes këshilltarët kanë diskutuar dhe miratuar ndihmën ekonomike deri në 6% të fondit të bllok ndihmës për familjet të cilat nuk kanë arritur të plotësojnë kriteret për të marrë ndihmë të plotë. Një tjetër pikë e rendit të ditës ka qenë nisja e procedurave për dhënien me qira të disa tokave në pronësi të bashkisë Maliq të ndodhura në Gurishtë të njësisë administrative Pirg
Për shkak se në certifikatën e pronësisë të tokave bujqësore nuk ishte shënuar bashkia Maliq por Republika e Shqipërisë, këshilltarët e quajtën lapsus një gjë të tillë, duke e kaluar këtë pikë për miratim në mbledhjen e ardhshme deri në sqarimin e pronësisë së tokave të Gurishtës. Një tjetër pikë e rendit të ditës ka qenë nisja e procedurave për dhënien me qira të një sipërfaqe të ish Kombinatit të Sheqerit në Maliq
Këshilltarët kanë miratuar edhe listat e tokave të pandara me qëllim dhënien me qira të tyre për njësitë administrative Pirg, Vreshtas dhe Pojan të bashkisë Maliq.