Bardhi takime në Romë: Italia, avokat i shqiptarëve në institucione evropiane

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, së bashku me deputeten e PD-së Jorida Tabaku, gjatë vizitës në Romë, Itali, u takuan me Giorgio Mulé, zëvendëskryetar i Dhomës së Deputetëve.
Bardhi bëri të ditur se gjatë takimit, “folëm hapur për sfidat e Shqipërisë në rrugën e saj evropiane”.
“Në emër të Partisë Demokratike e falënderuam për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj evropiane”, theksoi Bardhi.
Bardhi nënvizoi më tej se, “Italia ka qenë gjithmonë avokat i interesit të shqiptarëve në institucionet evropiane. Ne i jemi falënderues për gjithçka, por është përgjegjësi jonë ta çojmë vendin përpara”.
“Shqipëria përballet me sfida të mëdha që nuk kapërcehen me propagandë, por me punë dhe rezultate konkrete. Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet prova kryesore e shtetit shqiptar. Integrimi nuk është dhuratë dhe as slogan, por është detyrim për të përmbushur standardet”, theksoi Bardhi.
Sipas tij qeveria e Edi Ramës ka zëvendësuar reformat me propagandë dhe po mbron politikisht korrupsionin, duke e larguar vendin nga rruga evropiane.
/m.q/j.p/