Këshilli Bashkiak, zhvendosja e kazinove kalon me votat e mazhorancës

Me 28 vota pro të mazhorancës Këshilli bashkiak i Tiranës ka kaluar projektin për kazinotë, ndërsa opozita ka bojkotuar votimin, duke hedhur fletët e votimit drejt podiumit ku ishte pozicionuar Kryetari i Bashkisë, cfarë ka cuar dhe në ndërprerjen e seancës së punimeve.
Që në hyrje të saj mbledhja e këshillit bashkiak ka nisur me zhurma të prodhuara nga këshilltarët e majtë, nën pretendimin se këshilltarët e majtë janë penguar të hynë në mbledhje. Ashtu sic ishte paralajmëruar më herët, çështje kryesore e rendit të ditës ishte projekti për zhvendosjen e kazinove. Pavarësisht terrenit të papërshtatshëm, Kryebashkiaku Lulzim Basha u ka bërë thirrje të majtëve të votojnë projektin dhe të qëndrojnë larg porosive politike.
Duke e vlerësuar realitet problematik, Basha theksoi se ky problem social po merr përmasa të paprecedentë. Lidhur me këtë ai shtoi se kjo nuk nënkupton pengimin e individëve që e zgjedhin për zbavitje, por shmangien e tentativës së kësaj industrie për të zënë në cark shtresat në nevojë dhe shresat më të varfra të shoqërisë.
Lidhur me këtë, Basha parashtroi 2 hapa në të cilat do të procedohet për projektin.
1- Me një taksë të veçantë të përkohshme, i cili do të vendoset për të gjitha kazionotë që shtrihen në territorin e Tiranës dhe pas 6 muajsh do të 10- fishohen nëse kazinotë nuk pranojnë të vendosen në vendet e caktuara.
2- Përcaktimi i kësaj zone është menduar në zonën e autotraktorëve, duke qenë të hapur që ta përcaktojmë edhe zona të tjera.
Nga ana tjetër Dalipi shpjegoi se ky qëndrim i tyre nuk përkthehet në qëndrim kundër kazinove, por procedurave organizative dhe mbarëvajtjes së këtyre mbledhjeve. Ai i kërkoi kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha që të kërkojë ndjesë për mosmbajtjen e mbledhjes se shkuar. Dalipi tha se këshilltarët e opozitës nuk janë lejuar të hyjnë në Bashki dhe se për mosmbajtjen e mbledhjes ata janë njoftuar me një SMS.
“Mbyllni të gjitha, s`na interesojnë asnjë. Ne na intereson vendosja e integritetit në këtë sallë, nëse këshilltarëve të opozitës u mbyllet dera në fytyrë dhe këshilli bashkiak të mblidhet në tre muaj, nuk ndaj të njëjtin qëndrim. Mos individoni këshilltarët e opozitës, nuk u shmangemi përgjegjësive tona” tha ai
Ndërsa përfaqësuesi i këshilltarëve të LSI-së, Shezai Rrokaj deklaroi votën pro këtij vendimi, ndërsa shtoi se bizneseve u duhet dhënë kohë për zhvendosjen në mënyrë që të mos cenohen. Ai tha se duhet të shkohet drejt metropoleve që i pozicionojnë kazinotë në një vend të caktuar.